Greqia merr paketën e dytë të ndihmës, 130 mld €

21.02.2012 (komentet: 0)

Marrëveshja përfshin ofrimin e ndihmës financiare për Greqinë, me vlerë 130 miliardë € dhe procedurat për prerje të borxhit deri në 53.5 %, gjë që ul rrezikun për falimentimin.

 

BRUKSEL - Arrihet marrëveshja mbi paketën e re të ndihmës ekonomike për Greqinë, pas një mbledhje maratonë të Eurogrup, e cila përfundoi rreth orës 5:00 të mëngjesit të sotëm.

Marrëveshja përfshin ofrimin e ndihmës financiare për Greqinë, me vlerë 130 miliardë € dhe procedurat për prerje të borxhit deri në 53.5 %, gjë që ul rrezikun për falimentimin. 

Plani i mbështetjes do të lejojë uljen e borxhit publik grek në 120.5 % të PBB deri në 2020, një nivel të afërt me 120%, që kërkohej nga disa huadhënës, si Gjermania, Hollanda dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Deri tani "mali" i borxheve është ulur nga 160 % në 129 % të PBB.

Ndërkohë paralelisht me negociatat që bënte Eurogrup, sektori privat ra dakord për të rritur prerjen e vlerës së bonove në 53.5% kundrejt 50%, që ishte vendosur nga samiti i BE. Kreditorët privatë pranojnë kështu një humbje edhe më të madhe nga borxhi që iu ka Greqia. Qeveria e Athinës do iu bëjë fillimisht një ofertë kreditorëve privatë për këmbimin e bonove. Nëpërmjet shlyeres së letrave të vjetra me vlerë dhe dhënies së bonove të tjera me afat 30 vjeçar, do të nxirren 100 miliardë euro.

Eurogrup ra dakord gjithashtu për të rritur praninë e përhershme të Task Force në Athinë, përfshirë praninë e zgjeruar të Trojkës mbështetur nga ekspertët, në mënyrë që të jetë në gjendje për të siguruar koordinim të plotë në kontrollin e zbatimit të programit. 

Që në fillim të mbledhjes, atmosfera ishte pozitive, por kundërshtimet e disa vendeve të tilla si Holanda e cila kërkonte kujdestari të përhershme të Athinës dhe reagimet e individëve për masën e "prerjes" së borxhit, e vonuan rezultatin. 

Vendimet i njoftoi vetëm pas orës 06:00 të këtij mëngjesi, presidenti i Eurogroup Jean Claude Juncker në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionerin Olli Rehn dhe kreun e FMN-së, Christine Lagarde. 

Marrëveshja e re e kredisë do të nënshkruhet në fillim të muajit mars.

Greqia duket se është shpëtuar paraprakisht. Athinës i nevojiteshin paratë deri në 20 mars, kur ishte afati i fundit për pagesën e këstit të huasë me vlerë 14.5 miliardë Euro obligacione shtetërore dhe praktikisht për të shmangur falimentimin e pakontrolluar. 

Menjëherë pas shpalljes së marrëveshjes, Euro pësoi një rritje të dukshme në treg. Brenda dhjetë minutash Euro u rrit nga 1.3185 në 1.3266 kundrejt Dollarit. 

Deklaratat

Kreu i FMN-së, Christine Lagarde, e përshëndeti marrëveshjen dhe theksoi se deri në fund të shkurtit, Greqia duhet të respektojë angazhimet e saj dhe të përfitojë nga progresi i madh që shënoi Eurogroup me vendimin e tij. 

"Eurogroup është në dijeni të përpjekjeve të mëdha të bëra nga qytetarët grekë, por është e nevojshme puna e mëtejshme, për të kthyer në Greqi zhvillimin e qëndrueshëm", tha Presidenti i Eurogrup Jean-Claude Juncker, pas përfundimit të negociatave. Juncker tha gjithashtu se prania e Trojkës në Athinë do të forcohet, me qëllim që të mbikëqyrë zbatimin e programit, ashtu siç është rënë dakord. 

Komisioneri i BE për Ekonominë Olli Rehn tha se "Plani grek bazohet në një kusht të rreptë: siguron për mbikëqyrje të zgjeruar të Greqisë dhe imponimin e pranisë së përhershme të misionit të Komisionit Evropian në terren, për të siguruar ndihmë, në mënyrë që të përmirësohet funksionimi i shtetit".

Për një marrëveshje shumë të mirë foli Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Drago, i cili përshëndeti "angazhimin e qeverisë greke për të rikthyer rritjen ekonomike dhe stabilitetin" dhe "angazhimin e vendeve të tjera të eurozonës për të vazhduar mbështetjen e tyre në Greqi." 

"Rezultat i mirë për Greqinë, tregjet dhe zonën euro", e përshkroi marrëveshjen Mario Monti, kryeministër dhe ministër i financave të Italisë. 

"Zbatimi i marrëveshjes së kredisë së re dhe zbatimi i PSI, do të rrisë besimin dhe do të zvogëlojë pasigurinë që ndjejnë njerëzit, në lidhje me perspektivën e ekonomisë", tha kryeministri Lukas Papadhimos. Kryeministri raportoi për tri zhvillime pozitive që do të sillte miratimi i programit, që janë: përmirësimi i konkurrencës, përmirësimi i klimës ekonomike dhe politike, dhe shpëtimi i ekonomisë greke. Ai sqaroi se marrëveshja duhet të ratifikohet në datën 15 mars në Parlamentin grek dhe vetëm pas kësaj mund të zhvillohen zgjedhjet politike në vend. 

Kthehu mbrapa

Shto koment