Gjermania do të japë rreth 30 milionë euro ndihmë për Kosovën

26.09.2013 (komentet: 0)

Qeveria gjermane ndihmon zhvillimin ekonomik, zhvillimin e sektorit të energjisë, zhvillimin e demokracisë e të shoqërisë civile si dhe administratën publike.

 

 

Bekim Salihu  

Prishtinë, 25 shtator 2013 – (E plotësuar) Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë kanë nënshkruar të mërkurën në Prishtinë një marrëveshje që përcakton destinimin e ndihmës financiare që do t’i jepet Kosovës gjatë vitit të ardhshëm.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Bloumeyer, kanë bërë të ditur se shuma e ndihmës gjermane për vitin 2014 do të jetë 29.5 milionë euro.

“Sot ne nënshkruam protokollin për bashkëpunim për vitin 2014, i cili rezulton me një përkrahje financiare nga Republika Gjermane me një shumë 29.5 milionë euro për vitin 2014 që do të përfshijë projekte të natyrës jashtëzakonisht të rëndësishme, të cilat janë priotizuar në mënyrë të përbashkët dhe këto kanë të bëjnë me energjinë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, zhvillimin e demokracisë, shoqërisë civile dhe administratës publike por edhe në formave të bashkëpunimeve në nivel rajonal” ka thëne Ministri i Financave i Qeverise se Kosoves, Besim Beça.

Sipas tij, nga vitit 1999 e deri më sot përkrahje financiare për qytetarët e Kosovës nga Gjermania kap shumën prej 420 milionë euro.

Ndërkaq, Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer, theksoi se këtë vit ka pasur negociata shumë të rëndësishme, siç ka qenë, sipas tij, marrëveshja e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë. Blomeyer, ka thënë se duhet pasur parasysh që qytetarët e pjesës veriore të Kosovës të inkuadrohen edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Ai ka thënë se nuk do t’i ndalin zhvillimet pozitive edhe pse javën e kaluar u vra një pjesëtar i EULEX-it në atë pjesë të vendit. “Negociatat këtë vit kanë pasur një kontekst të veçantë nga ky regjin ka pas lajme të mira sivjet, e kemi marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të 19 prillit e kemi një marrëveshje për impelemntim ku në krejt Kosovën do të ketë zgjedhje lokale më 3 nëntor. Dhe këto zhvillime pozitive nuk do të na ndalin duke e pas parasysh krimin e rëndë që ndodhi javën e kaluar. Do ta theksoja një gjë në veçanti e kemi për detyre që popullin e veriut ta inkuadrojmë në Kosovë dhe ne e kuptojmë se njerëzit atje janë të brengosur për jetën e tyre”, ka thënë Blomeyer.

Edhe udhëheqësja e Divizionit për Bashkëpunim për Evropën Juglindore dhe Kaukaz në Ministrinë Federale për bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim Annette Seidel, ka theksuar se do të vazhdojnë t’i mbështesin programet të cilat e bëjnë përafrimin e Kosovës në BE. “Duke e pasur këtë qëllim të përbashkët të projekteve tona financiare mbështetet nga Banka për Zhvillim dhe Rindërtim natyrisht edhe për programet me mbështetje teknike të cilat mbështeten nga BE-ja dhe që të dyja janë në qëllimin tonë të përbashkët për përafrimin në BE. Sa i përket operacionit financiar ofrojmë subvencione të ndryshme në infrastrukturë dhe këtë vit kemi negociuar me furnizim me energji elektrike dhe është me rëndësi që Kosova të jetë e kyçur në rrjetin elektrik edhe në rajon për këtë arsye kemi financuar edhe stacionin në Dragash si dhe linja të tjera të rrymës”, theksoi Seidel.

***

Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e Kosovës

Prishtinë, 25 shtator 2013 – Qeveria e Gjermanisë do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e fushave të ndryshme në Kosovë. Kjo mbështetje është konfirumuar në bisedimet ndërqeveritare për bashkëpunim politiko-zhvillimor në mes Gjermanisë dhe Kosovës, të cilat kanë përfunduar sot (e mëkurë) në Prishtinë.

“Sot, në Prishtinë, për të pestën herë me radhë, u mbajtën bisedimet ndërqeveritare për bashkëpunim politiko-zhvillimor në mes të Gjermanisë dhe Kosovës. Me këtë rast qeveria gjermane shtetit më të ri në Evropë i ka siguruar mbështetjen e mëtutjeshme për afrimin me BE-në. Pikërëndesa të bashkëpunimit mbesin mbështetja ekonomike dhe e punësimit, qeverisja e mirë, furnizimi me energji dhe ujë, si dhe arsimi”, thuhet në krye të komunikatës së Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Në komunikatë bëhet e ditur se në muajt në vijim qeveria gjermane do të mbështesë zhvillimin e ndërmarjeve të vogla dhe të mesme, me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës.

“Kosova ka një papunësi prej rreth 40 për qind. Për të avancuar zhvillimin ekonomik, Kosova ka nevojë për një ekonomi private inovative. Për këtë arsye, Gjermania e mbështet Kosovën në zhvillimin e zingjirëve të shtimit të vlerës në sektorë të veçantë, me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës. Pikërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë ato, të cilat krijojnë vende të reja pune, por kanë nevojë për qasje në kredi. Nga këtu niset bashkëpunimi zhvillimor gjerman dhe mbështet themelimin e një fondi të garantimit të kredive, për të siguruar kreditë e tilla”, thuhet në komunikatë.

Qeveria gjermane do të mbështesë edhe përmirësimin dhe funksionalizimin e regjistrit kadastral, me qëllim të definimit të qartë të raporteve pronësore.

“Një parakusht për zhvillim ekonomik përbëjnë, përveç kësaj, edhe raportet e qarta pronësore. Për shkaqe të luftës situata pronësore është shpesh e paqartë. Për këtë arsye Gjermania angazhohet në fushën e menaxhimit të pronësisë së tokës për të kontribuar në një sistem dhe regjistër kadastral funksional”, thuhët në kumtesë.

Por, Qeveria gjermane do të mbështesë edhe ngritjren e kapaciteteve të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, si dhe trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave dhe modernizimin e rrjetiot elektrik.

“Bashkimi Evropian do të fillojë së shpejti negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Kosovën. Për këtë arsye Gjermania e këshillon Ministrinë e Invegrimeve Evropiane në ngritjen e kapaciteteve. Synime të tjera i kontribuojnë afrimit të Kosovës me BE-në, si për shembull ndërtimi i një impjanti për pastrimin e ujërave të zeza, financimi i një menaxhimi të mbeturinave në nivel komunal, si dhe modernizimi i rrjetit të rrymës”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Bisedimet ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim politiko-zhvillimor zhvillohen çdo vit. (r.m.)

Kthehu mbrapa

Shto koment