Fuele: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kryekusht për Serbinë

15.08.2012 (komentet: 0)

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fuele është shprehur i bindur se negociatat për anëtarësim në BE do të jenë prioritet edhe i Qeverisë së re të Serbisë, porse përparimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë i domosdoshëm për hapjen e negociatave.

Këto komente komisionari për Zgjerim i bëri në intervistën për portalin EurAktiv, në të cilën ai e quajti “gabim të madh” ndaljen e procesit të zgjerimit. Ai shfaqi bindjen se Serbia do të shënojë përparim në marrëdhëniet me Kosovën dhe e quajti “problem fondamental i cili qëndron në rrugën e hapjes së negociatave”, transmetojnë mediet e Beogradit.

Fuele rikujtoi një varg detyrash që duhet të përmbush Serbia, të shtruara nga Këshilli i Europës qysh në dhjetor të vitit 2011. 

 Në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit theksohet se Serbia duhet të vazhdojë dialogun dhe të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që të marrë datën e fillimit të negociatave.

Fuele në këtë intervistë po ashtu është shprehur optimist rreth perspektivës evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kroacinë e Malin e Zi, të cilat kanë bërë më së shumti përparim.

Kthehu mbrapa

Shto koment