Fenomeni “Kony 2012”: Bota po zgjohet, revolucioni global filloi!

12.03.2012 (komentet: 0)

Videoklipi "Kony 2012" brenda pak ditëve është parë nga afro 74 milionë njerëz. Qëllimi i këtij filmi ishte ndërgjegjësimi i masave për komandantin famëkeq të një grupi kryengritës nga Uganda, i cili ka rrëmbyer mbi 60 mijë fëmijë duke i detyruar ata që të jenë pjesë e ushtrisë së tij private. Ky projekt, si asnjëherë më parë, ka dëshmuar fuqinë për ndryshime të mediave sociale të internetit.

Njerëzit nuk e dinë se kush është Kony, por kur e marrin vesh, do të bëjnë presion që ai të arrestohet dhe t’i dorëzohet drejtësisë ndërkombëtare. Kjo ishte ideja motivuese e shoqatës jo fitimprurëse amerikane, Invisible Children (fëmijët e padukshëm), për filmin që pa vazhdimisht po përhapet në internet dhe që shpërndanë lajme për krimet e komandantit famëkeq nga Armata e Rezistencës së Zotit (LRA), Joseph Kony.

Përkushtimi në realizimin e idesë ka dhënë rezultate mahnitëse: videoklipi “Kony 2012” është parë brenda pak ditësh nga mbi 73 milionë njerëz, ndërsa ky numër po rritet çdo orë.

Por, kush është Kony? Lideri i LRA-s e ka paramenduar një detyrë profetike për veten: ai është “lajmëtari” i Zotit, i cili në moshën 22- vjeçare është “zgjedhur” për luftën kundër grupit të margjinalizuar etnik, të njohur si acholi. Por, shumëçka ka ndryshuar që atëherë, meqë grupi i tij bëhet jashtëzakonisht i dhunshëm.

Kony akuzohet se ka detyruar mbi 60 mijë fëmijë që të jenë pjesë e grupit të tij, duke i bërë ata hajdutë dhe vrasës. Djemve ua ka shpëlarë trurin që të jenë pjesë e ushtrisë, ndërsa vajzat i shndërron në skllave seksuale. Anëtarët e ushtrisë së tij janë të njohur për brutalitetin që e kanë shfaqur, duke vrarë dhe torturuar popullatën lokale.

"Qëllimi është që ta bëjmë Konyn të njohur, e jo të famshëm, që të rritet mbështetja për arrestimin e tij”, thonë nga Invisible Children, i cili kulmin e kampanjës planifikon ta arrijë më 20 prill, në aksionin “Cover of the Night” (mbulesa e natës). Atë natë rrugët e qyteteve amerikane do të duhej të mbuloheshin me pllakatet për Konyn.

Por, një problem në këtë rrëfim është shoqata jo fitimprurëse, e cila duket se nuk është fare e tillë. 11 filmat për Konyn, sa janë xhiruar deri tash, janë realizuar me një buxhet prej mbi 8.5 milionë dollarësh, ndërsa ata akuzohen se 70 për qind e atyre mjeteve kanë shkuar në pije, udhëtime, marketing dhe prodhim. 
Shoqata është akuzuar për manipulimin të shifrave, në mënyrë që të arrijë qëllimet dhe efektin e dëshiruar. Po ashtu, akuzohen edhe për sensacion, meqë në fokus e kanë vënë njeriun e bardhë, amerikanin, si shpëtimtar të Afrikës.

"Nuk është e rrezikshme ideja e shpëtimit të fëmijëve dhe Afrikës nga ana e njeriut të bardhë të Shteteve të Bashkuara”, ka komentuar politologu Chris Blattman nga Universiteti Yale.

Filmi do të jepet të martën edhe në Afrikën Qendrore. Agnes, si çdo ugandase tjetër, po e shpërndan fjalën për këtë. Ajo ka jetuar në konfliktin brutal të vendit të saj dhe tash përkrahë tri shtetet që janë terrorizuar nga forcat rebele të Konyt.

Fshati i saj është shpërngulur në kampe. Ajo nuk ka mundur të shkojë në shkollë derisa nuk e fitoi një bursë nga Invisible Children. Kjo shoqatë tash inkurajon nxënësit që t’i përdorin mediat sociale për t’i angazhuar njerëzit me ndikim, në kulturë dhe politikë, në realizimin e qëllimit të projektit “Kony 2012”.

"Ka pasur përparime të mëdha në muajt e fundit në ndalimin e dhunës së RLA-së”, ka thënë Ben Keesey, drejtor ekzekutiv i Invisible Children. “Nëse bota vazhdon të mblidhet pas këtij projekti, viti 2012 do të jetë vit i realizimit final të paqes - një herë e përgjithmonë”.

“Kony 2012” është bërë pjesë e statusit të shumë anëtarëve të rrjetit social facebook. Christopher Tunnard, i cili ligjëron efektin e mediave sociale në politikë, në Unveristetin Tufts, thotë: “Kur i përdorë mediat sociale për ta rrëzuar një diktator, kjo punë është e thjeshtë dhe e lehtë”...

Pranvera Arabe lindi me qëllimin: për të përmbysur diktatorët, si atë të Egjiptit, Hosni Mubarak. Por, mobilizimi i masave egjiptiane për ta ndërtuar demokracinë e ka shpërfaqur edhe fuqinë e “twitterëve” të këtij vendi.

Ish-guvernatori i New Yorkut, Eliot Spitzer, e ka krahasuar përhapjen “virale” të videos si me fenomenin e shtypit të Gutembergut.

“Është mahnitëse se si arena e re e informatave rrjedhë aq shpejtë te popullatat e ndryshme”, ka thënë ai. “Është si Gunebergu. Papritmas, të gjithë mund të shohin dhe mësojnë”.

Luis Moreno Ocampo, prokurori i Tribunalit të Hagës, i ka mbrojtur krijuesit e “Kony 2012”, duke e cilësuar këtë si kampanjë që ka mobilizuar botën.

Suksesi i jashtëzakonshëm i videos 30-minutëshe është cilësuar si një frymëzim që të rinjtë të kyçen në aktivitete, por ka marrë edhe kritika, përfshirë ato se e kanë thjeshtëzuar krizën e të drejtave të njeriut. Regjisori Jason Russell thotë se këtë e ka bërë me qëllim

"Kjo video nuk është përgjigja, është vetëm një portë në bisedim. E kemi bërë shpejt dhe e kemi thjeshtëzuar me qëllim", tha ai. "Jemi krenarë që kjo është e thjeshtë. Ne e pëlqejmë kështu. Dhe ne duam që ju të vazhdoni me hetime, ne duam që ju ta lexoni historinë".

Reagimet e ndryshme në Ugandë përfshijnë kritikat se vëmendja për këtë ka ardhur vonë, se shumë konflikte të armatosura janë lënë mënjanë dhe se në film ushtria e Ugandës shpesh akuzohet se ka kryer krime si luftëtarët e Konyt. Përveç kësaj, besohet se Kony ka kohë që ka ikur nga Uganda dhe se tash komandon me “vetëm” disa qindra ndjekës.

"Kony është akuzuar, kjo është ajo që ne jemi duke thënë. Nuk ka rëndësi nëse ai ka tre luftëtarë, 300 apo 3000. Kjo nuk është çështja", tha Russell.

Qëllimi është që Kony të dorëzohet dhe të sillet para Tribunalit në Hagë, ku ai është nën padi.

"Ai duhet të përballet me drejtësinë dhe ne duam që t'i japë atij zgjedhjen për t’u dorëzuar", tha Russell.

Invisible Children po përballen po ashtu me kritikat për shumat e mëdha të fondit, të përdorura për udhëtime e jo për punë humanitare.

"Ata dëgjojnë fjalën lëmoshë dhe nuk e kuptoj pse të gjitha paratë tona nuk shkojnë në Afrikën Qendrore”, shton Russell. “Ne kemi menduar se paratë e investuara në mediat tona dhe filmat tanë, ndryshojnë jetë. Dhe me këtë jeta ndryshon, sepse ka dhënë rezultate në lëvizje... lëvizja nxit misionin”.

Të tjerët thonë se problemi duhet të zgjidhet me Ugandën e jo ndonjë kampanjë që haset nga shikuesit që nuk e kuptojnë situatën në terren.

Për këto kritika, Russell thotë: "Ne nuk mendojmë se amerikanët duhet të jetë policia e botës, kjo nuk është ajo që ne po mbrojmë Ne duam të vazhdojmë të bëjmë presione mbi krijuesit tanë të politikave”.

Video fillon me parullën: "Asgjë nuk është më e fuqishme se një ide" dhe i dedikohet fuqisë së mediave sociale, si facebook, e cila mund të nxisë veprim të menjëhershëm. Suksesi i ka habitur edhe krijuesit, të cilët kanë synuar më së shumti 500 mijë shikime në YouTube.

"Ne nuk ishim të përgatitur për këtë lloj të reagimit”, thotë Russell. “Për ne bota po zgjohet... është një revolucion global”. 

Kthehu mbrapa

Shto koment