Fenomenet ekstreme meteorologjike

30.12.2012 (komentet: 0)

Edhe viti që po lëmë pas nuk ka kaluar pa fenomene ekstreme meteorologjike. Gjithsesi, këtu duhet veçuar uraganin “Sandy”, i cili u formua më 22 tetor. Më datë 24, “Sandy” preku së pari Xhamajkën, pastaj Haitin e Porto-Rikon, të nesërmen Kubën, për t’u drejtuar më pas drejt brigjeve juglindore, Midwestit e për të përfunduar me tërë fuqinë në Nju-Jork, në SHBA.

 

Pasi ishte zbutur, ai kishte prekur edhe lindjen e Kanadasë. Në përgjithësi, gjatë rrugëtimit të tij,“Sandy” ka shkaktuar 253 viktimave dhe dëme të mëdha materiale (së paku 65 miliardë dollarë, kryesisht në SHBA).

Ndërsa, ishujt Mindanao në Filipine më 5 dhjetor qenë goditur nga super-tajfuni “Bopha”, i cili ka mbytur mbi 1.000 veta, e ka zhdukur mbi 800. Dëmet e shkaktuara prej tij vlerësohen në rreth një miliard dollarë.

Në këtë listë duhet përfshirë edhe thatësinë historike në Shtetet e Bashkuara. Që nga pranvera e deri në fund të gushtit, afër 80 për qind e territorit të SHBA-së qe përfshirë nga një mot i thatë.

Dhe, gati gjysma e kësaj hapësire ishte prekur nga një thatësi ekstreme. Autoritetet kanë theksuar se me thatësi të ngjashme vendi është përballur në vitet 1930 dhe 1950, dhe së fundi më 1988-1989, por asnjëherë në një hapësirë kaq të gjerë. Pasojat e kësaj thatësie kanë qenë shkatërrimtare, sidomos për drithrat, shumë prej të cilave janë shkatërruar, prandaj edhe qenë ngritur çmimet e tyre për gati 50%.

Gjithashtu, gjatë vitit 2012 ka pasur edhe shkrirje rekorde të akullnajave të Arktikut.

Një studim i ri ka konstatuar se akullnajat në Groenlandë dhe Antarktidë po shkrihen me një ritëm më të shpejtë. Rezultatet tregojnë se shkrirja e shtresave të akullit po bëhet kontribuesi kryesor në rritjen e nivelit të detit më shumë se sa pritej. 

Ky ishte një ndër studimet më të gjata të bëra deri tani në lidhje me akullnajat. Bazuar në dy dekada matjesh mujore përmes satelitit dhe duke studiuar modelet klimatike rajonale, rezultatet janë të qarta, thotë autori kryesor i këtij studimi Erik Rigno, transmeton Zëri i Amerikës.

“Ajo që po vërejmë në Groenlandë dhe Antarktidë është humbja më e shpejtë e masës së akullnajave. Dhe këto shtresa jo vetëm që po shkrihen në oqean, por humbja e masës po rritet nga viti në vit.”

Të dhënat nga studimi parashikojnë se deri në vitin 2050, niveli i detit do të rritet me 32 centimetra, 15 prej të cilave do të jenë nga shkrirja e akullnajave në Groenlandë dhe Antarktidë, në se ky proces vazhdon me ritmin  e tanishëm. Zoti Rigno thotë se kjo është shumë më e lartë se sa ishte parashikuar nga Komisioni Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimin e Klimës.

Kthehu mbrapa

Shto koment