Fëmijët romë u shitën për 500 euro!

31.08.2013 (komentet: 0)

Skandali i fëmijëve romë nga Shqipëria të zhdukur në Greqi, u shitën për 500 euro.

Shumë e rëndë është ajo që ka ndodhur me 502 fëmijët romë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur nga institucioni shtetëror bamirës, "Agia Varvara" në Greqi, në vitin 1998 dhe për fatin e të cilëve askush nuk thotë gjë.

 

 

Deputetja e SYRIZA-s Maria Janakaki, e cila e ngriti çështjen në Parlamentin grek, thotë se interesimi i saj për këtë çështje bie në vesh të shurdhër. Ajo tregon se në qendrën e fëmijëve stafi është ndërruar krejtësisht, por edhe punonjësit e rinj japin përgjigje të çuditshme. "Sa herë që jam përpjekur për të marrë përgjigje nga institucioni, kam ndeshur në një mur të lartë. Më kanë thënë se fëmijët kapërcyen gardhin dhe ikën", thotë ajo.

Teksa Ministri i Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtat e Njeriut, Haralambos Athanasiu urdhëroi një hetim të ri nga e para për skandalin, është vendosur prokurori i ri për çështjen. Ai duhet të hetojë sesi për 15 vjet, jo një e dy, por plot 502 fëmijë janë zhdukur nga institucioni " Agia Varvara".

grekja deputete Gjithçka e ka fillesën në vitin 1998, kur ministri i atëhershëm grek i Rendit Publik urdhëroi të ndalohet biznesi i shfrytëzimit të fëmijëve, pasi një makinë aksidentoi në Selanik dy fëmijë shqiptarë të rrugës.

Gjatë aksionit, policia mblodhi nga rruga 615 fëmijë shqiptarë, të cilët u dërguan në qendrën për mbrojtjen e të miturve "Agia Varvara", qendër që varet nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mirëqënies.

Disa prej këtyre fëmijëve u riatdhesuan në Shqipëri, ku dhe kanë gjetur familjet e tyre. Rreth 60 prej tyre u morën nga familje kujdestare apo shkuan në jetimore në Greqi.

Veçse për 502 fëmijë të tjerë, fati vazhdoi të jetë ndoshta edhe më i vështirë, pasi në rrethana misterioze u zhdukën nga institucioni dhe askush nuk i kërkoi.

Në vitin 2002 organizata "Terre des Hommes" filloi hetime për fëmijët e rrugës nga Shqipëria në gjithë Evropën dhe tha se fëmijët e zhdukur nga Fondacioni grek iu ishin shitur trafikantëve nga disa punonjës të institucionit, me çmimin 500 € secili. Sipas organizatës me qendër në Zvicër, shumë prej fëmijëve të zhdukur nga Fondacioni u blenë nga kontrabandistët për 500 €, për shfrytëzim ekonomik, për të lypur, për prostitucion apo për shitje të organeve.

Mediat greke flasin për një bashkëpunim të mafias shqiptare dhe asaj greke, që përfitojnë nga shitja dhe shfrytëzimi i fëmijëve.

Një hetim i Avokatit të Popullit në Greqi në mars 2004, doli në përfundimin se nuk ka pasur tregti me fëmijët.

Në vitin 2007 papritur për motive të panjohura kërkimi ndaloi, megjithatë prokurorët gjetën probleme serioze në funksionimin e institucionit, pritjen e fëmijëve në të, ku bashkangjitën edhe përgjegjësitë e Ministrive të Rendit Publik dhe asaj të Punës, për trajtimin e çështjes.

Në qershor 2012 çështja u ripublikua nga Komiteti për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve të OKB-së, i cili kërkoi hetim të saj.

Para disa ditësh skandali u denoncua në Parlament nga deputetja e SYRIZA-s, Maria Janakaki dhe për pasojë ministri i Drejtësisë kërkoi rihapje të dosjes. Megjithatë ka shumë pak gjasa që ne të dimë se çfarë ka ndodhur me këta njerëz, kush dhe pse dhunoi këta fëmijë, duke stigmatizuar përgjithmonë shpirtrat e tyre të pafajshëm…?! /Balkanweb/

Kthehu mbrapa

Shto koment