Fajon: Liberalizimi varet nga përgjegjësia politike

21.01.2012 (komentet: 0)

Raportuesja në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka mirëpritur vendimin e djeshëm të Komisionit Evropian për nisjen e dialogut për viza me Kosovën.

Sipas saj, është lajm i mrekullueshëm për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit që kanë mbetur prapa murit të vizave në Ballkanin perëndimor .

“Njerëzit meritojnë këtë privilegj të udhëtimit pa viza në momentin kur qeveria t’i ketë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme. Tani është momenti për ta kapur këtë mundësi”, ka thënë Fajon në një komunikatë për medie.

Ajo thekson se Parlamenti Evropian është mbështetës i fuqishëm i liberalizimit të vizave për të gjithë Ballkanin perëndimor dhe në të kaluarën, shumë shpesh i ka kërkuar Komisionit (Evropian) dhe shteteve të BE-së që të nis dialogu për liberalizim të vizave me Kosovën.

“Ne do ta vazhdojmë mbështetjen tonë. Është me rëndësi të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës që politikanët e përgjegjshëm t’i bashkojnë të gjitha përpjekjet e tyre në mënyrë që të arrijnë progres konkret në zbatimin e reformave të nevojshme për të garantuar sigurinë e dokumenteve të udhëtimit, kufij të sigurt, rendin publik dhe ta forcojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka porositur Fajon, duke shtuar se “shpejtësia e procesit do të varet tërësisht nga qeveria e Kosovës”.

Ajo thotë se ndjenja e lirisë në të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor do të arrihet vetëm atëherë kur edhe qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në BE.

Në fund, ajo paralajmëron një vizitë në Prishtinë kah fundi i muajit shkurt. /Zëri/

Kthehu mbrapa

Shto koment