Erdogan, sërish zgjidhet kryetar i partisë në pushtet

01.10.2012 (komentet: 0)

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në Turqi, e ka rizgjedhur sërish Erdoganin si kryetar të partisë së saj, gjatë kongresit të katërt të partisë të organizuar në Ankara. Erdogan zgjidhet për herë të tretë dhe të fundit si kryetar, pasi rregullorja e brendshme e partisë nuk ia lejon të zgjidhet më shumë se tre herë. Gjatë fjalës së tij, Erdogan la të nënkuptohej dëshira e tij e madhe për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale që organizohen në vend në vitin 2014.

artikuj



 

Erdogan mori 1421 vota nga 1424. Bashkë me kryetarin, u zgjodhën dhe përfaqësuesit e partisë në rrethe, anëtarët e komisionit ekzekutiv ku u ruajtën pothuaj të njëjtët anëtarë, ku më i spikaturi mes tyre ishte ministri i jashtëm Ahmed Dautoglu. Kurse 21 anëtarë të tjerë ishin të rinj.

Në fjalën e tij Erdogan premtoi ndryshim rrënjësor të kushtetutës dhe hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet me kurdët.

Fjalimi i tij ndërpritej shpesh herë nga duartrokitjet. Ai tha se shërbimi ndaj njerëzve është më i rëndësishëm se postet. Erdogani e konsideroi të perënduar kohën e grushteve të shtetit nga ana e ushtrisë. Ai tha se partia e tij ishte shndërruar në model për barë botën islame vetëm gjatë dhjetë viteve në pushtet. “Ne i treguam botës se demokracia e zhvilluar mund të funksionojë edhe në një vend me shumicë myslimane.”

Erdogan u fokusua dhe në çështje të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Lidhur me Sirinë, ai iu drejtua Rusisë, Kinës dhe Iranit, si mbështetës të regjimit sirian, duke u thënë:”Historia nuk do u falë për mbështetjen që i keni dhënë regjimit sirian.”

Erdogan dënoi fyerjet ndaj figurës së profetit Muhamed a.s, por dhe islamofobinë e përhapur.

Lidhur me marrëdhëniet me Izraelin, Erdogan tha se këto marrëdhënie nuk do të normalizohen derisa Izraeli të kërkojë falje dhe të paguajë kompensimet për familjet e viktimave.

Ai përshëndeti dhe u lut për paqe për të gjithë botën, ku në mënyrë të veçantë përmendi disa kryeqytete si Arbil, Kabul, Kajron, Algjerin... Përshëndetjet e mia më të ngrohta për heronjtë në Siri. Përshëndetjet e mia më të përzemërta për Mekën dhe Medinen – tha ai.

Njëkohësisht, Erdogan përshëndeti miqtë e ftuar nga jashtë, të cilët i përmendi me emra; Presidenti egjiptian Muhamed Mursi, kryetarin e parlamentit të Irakut, ish kryeministrin e Pakistanit, kreun e lëvizjes Nahda shejh Rashid Gannushi, kryeministrin e Qipros Ihsan Kexhik, kryetarin e zyrës politike të Hamas, Halid Mishal... /ardhmeriaonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment