Dukuria e zhdukjes së foshnjave në Serbi

08.04.2013 (komentet: 0)

Goran Filipoviq thotë se vajza e tij, sivjet, mbush 15 vjet. Ai ende shpreson ta takojë një ditë. Mjekët në një spital të Beogradit, ku ajo ka lindur, i kanë thënë Goranit dhe gruas së tij se ka vdekur menjëherë pas lindjes.

Fotografi ilustruese

Çifti, megjithatë, beson se vajza e tyre është gjallë dhe në fakt është vjedhur për birësim. E gjithë kjo në kuadër të një skeme të gjerë të krimit, që ka përfshirë mjekë dhe infermiere në klinikat shtetërore të Serbisë.

Historia tragjike e familjes nuk është e pazakontë në Serbi, ku qindra prindër kanë bërë ankesa të ngjashme me vite.

Pak ditë më parë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i ka kompensuar një nëne serbe dëmin moral me 10 mijë euro. Djali i saj ishte zhdukur në një maternitet të Serbisë 30 vjet më parë.

Ky vendim i jep shpresa Goranit se do të ndihmojë në kthimin te familjet të të gjithë fëmijëve të zhdukur.

Telefoni im cingëron pa ndalur. Pranoj telefonata të shumta nga prindër të dekurajuar nga mosveprimi i shtetit. Ata duan që të bashkohemi të gjithë dhe të detyrojmë autoritetet të merren me rastet tona dhe t’i zgjidhin ato. Besoj se tani do të zhvillojmë një luftë të përbashkët për të vërtetën, e cila do të zbulohet shpejt ose vonë”, thotë Goran Filipoviq.

Paditësja e suksesshme, Zorica Jovanoviq, ka lindur një djalë të shëndetshëm në tetor të vitit 1983. Por, kur ajo dhe djali ishin gati për të lëshuar spitalin tre ditë më vonë, ajo është informuar se i biri ka vdekur nga shkaqe të pacaktuara.

Trupi i foshnjës nuk është dorëzuar kurrë. Jovanoviqit nuk i është dhënë ndonjë raport autopsie dhe nuk i është thënë se ku është varrosur.

Më 2002 dhe më 2007, zyrtarët lokalë kanë konfirmuar se vdekja e djalit të saj nuk është regjistruar në regjistrat komunalë, duke i forcuar dyshimet se foshnja është kontrabanduar e gjallë jashtë spitalit.

Gjykata Evropiane ka konstatuar se autoritetet serbe kanë shkelur të drejtën e Jovanoviqit, duke dështuar vazhdimisht në ofrimin e informacioneve të besueshme, se çfarë ka ndodhur me djalin e saj.

Asaj i janë dhënë 1,800 euro shtesë për tarifat e avokatit dhe shpenzime të tjera.

Gjykatësit në Strasburg kanë urdhëruar po ashtu autoritetet serbe që të hetojnë secilin rast individual dhe t’iu sigurojnë familjeve fatkeqe kompensim adekuat brenda një viti.

Rreth 100 ankesa të ngjashme të prindërve serbë aktualisht janë në pritje para gjykatave.

Zhdukjet duket se kanë ndjekur të njëjtin model.

Goran Filipoviq thotë se i është ndaluar po ashtu të shohë vajzën e tij, gjoja të vdekur.

Kur kam shkuar në spital, më kanë thënë se fëmija ynë ka vdekur 15 minuta më parë. Kur kam kërkuar të shoh, ata kanë refuzuar”, rrëfen Filipoviq.

Me gjithë mungesën e certifikatës së vdekjes, ai thotë se ka qenë i verbuar nga pikëllimi dhe besimi në mjekë për të dyshuar menjëherë në mashtrim.

Rastet e zhdukjes së të porsalindurve në spitalet e Serbisë janë raportuar qysh në vitet 1970, por është bërë shumë pak për të sjellë autorët para drejtësisë dhe për t’i dhënë fund praktikës së tmerrshme që ka vazhduar deri në fund të viteve 1990.

Për Jovanoviqin, Filipoviqin dhe prindërit e tjerë që vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për fatin e fëmijëve të tyre, vendimi i Gjykatës Evropiane është, megjithatë, një fitore e madhe.

Filipoviq është i vetëdijshëm se asnjë gjykim nuk mund të garantojë se ai do të gjejë fëmijën e tij, e lëre më të rikthejë vitet e humbura larg njëri-tjetrit.

Por, pas disa dekadave të mosveprimit të autoriteteve vendore, ai thotë se Gjykata e Strasburgut është shansi i vetëm për ribashkimin me vajzën e tij.(v.tela)

G

Kthehu mbrapa

Shto koment