Drews në Tiranë, bashkëpunimi i shkëlqyer

25.01.2012 (komentet: 0)

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, priti të mërkurën në një takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Erhard Drews, ku u diskutua për bashkëpunimin dypalësh.


Gjatë bisedës mes tyre, dy personalitetet shkëmbyen pikëpamjet mbi forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit mes të gjitha agjencive ligjzbatuese, raporton Start.

Nishani paraqiti praktikat e mira të bashkëpunimit me të gjithë vendet e rajonit në kuadër të kontrollit kufitar, patrullimeve dhe operacioneve të përbashkëta policore, si dhe goditjen e elementëve dhe veprimtarive kriminale.

“Ndërsa lehtësuam lëvizjen e qytetarëve mes Shqipërisë dhe Kosovës duke kryer vetëm një kontroll në hyrje në kufi, vetëm në muajt korrik-gusht arritëm të identifikojmë dhe arrestojmë 19 persona të kërkuar nga Shqipëria, Kosova dhe Interpoli”, bëri të ditur në takim Nishani.

Ministri Nishani shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me komandën e KFOR-it dhe autoritetet policore të Kosovës për të goditur çdo dukuri dhe veprimtari kriminale. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment