Dorëzohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave
14.06.2012 (komentet: 0)
Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Sesilia Malmstrom, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
“Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet t’i plotësojë Kosova. Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore. Përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave”, thuhet në komunikatën e KE-së.
Në këtë komunikatë, zonja Malmstrom citohet të ketë thënë se “Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza”.
Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t’i implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza.
“Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren,” ka thënë zonja Malmstrom.
Në ceremoninë e dorëzim-pranimit, komisionerja Malmstrom u takua me Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.
Shto koment