DOKUMENT: OFERTA DJALLËZORE

19.12.2012 (komentet: 0)

serbia ia ka prezantuar planin e saj për Kosovën Baroneshës Catherine Ashton. Në këtë dokument - që ende është sekret shtetëror - autoritetet serbe ndërhyjnë në rendin kushtetues të vendit tonë. Aty zotohen se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë, kërkojnë që Parlamenti i Kosovës t’i ketë dy dhoma, insistojnë në autonomi territoriale për Veriun dhe shuarjen e FSK’së. Për Qeverinë e Kosovës, ky propozim është plotësisht i papranueshëm. Gazeta Express sjell pjesë të dokumentit.

Serbia ka hapur letrat e saj për Kosovën, derisa procesi i bisedimeve - me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton - është duke u zhvilluar në kryeqytetin europian.

Autoritetet e Beogradit e kanë finalizuar platformën e tyre për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës” dhe atë ia kanë prezantuar Kryediplomates së BE’së dhe disa ambasadorëve të rëndësishëm të akredituar në Serbi.

Gazeta Express ka arritur ta sigurojë këtë dokument, i cili së shpejti pritet të nxirret për diskutim në Parlamentin e Serbisë.

Platforma është paralajmëruar të jetë oferta përfundimtare e Serbisë për Kosovën, por ajo nuk ndryshon shumë nga qëndrimet e shprehura të lidershipit serb tash e saj vjet.

Gazeta serbe “Novosti” tashmë ka raportuar për një segment të kësaj platforme, që kërkon entitet autonom serb në Kosovë që ngjason me Republika Srpska, por dokumenti i siguruar nga Gazeta Express në fakt shkon përtej kësaj kërkese - duke ndërhyrë rëndë në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Bashkëbiseduesit e Express në Bruksel pohojnë se dokumenti ka lënë shije të keqe edhe te zyrtarët afër Baroneshës Ashton, pasi që kjo platformë konsiderohet se “i bën më shumë dëm se hair” Serbisë në procesin e dialogut politik të dy kryeministrave. Sidoqoftë, mbetet të shihet reagimi zyrtar i BE’së.

Në një deklaratë për Express, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e ka quajtur të papranueshëm dokumentin e shtetit serb.

Mst: Kërkojnë Parlament me dy dhoma

Në platformën që ende e mban vulën “Top Secret”, propozimi kryesor i Beogradit është rajonalizimi i Republikës së Kosovës dhe që Parlamenti i Kosovës t’i ketë dy dhoma - atë të Përfaqësuesve dhe atë të Rajoneve.

Me këtë pala serbe pretendon t’i japë mbrojtje më të madhe popullatës serbe, por me gjasë ky është mekanizëm që do të krijonte bllokada të përhershme në punën e Parlamentit. Siç dihet, janë disa shtete që kanë dy dhoma, pikësëpari Britania dhe SHBA’të, në të cilat vendimet si buxheti apo ndryshimet kushtetuese rëndom kërkojnë shumicën e të dy dhomave parlamentare.

Kosova ka sistem një-kameral dhe zyrtari që ia dha dokumentin Gazetës Express tha se modeli i parlamenteve me dy dhoma është diskutuar edhe gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të ndërmjetësuar nga Presidenti Martti Ahtisaari. Por, ky zyrtar që ka qenë pjesë e këtij procesi, tha se bashkësia ndërkombëtare atëbotë nuk ka pasur disponim për të krijuar strukturë bipolare parlamentare.

 

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Kthehu mbrapa

Shto koment