Djaloshi që nuk e maste jetën në kohë, por në vepra

14.05.2014 (komentet: 0)

Nëna e të riut frymëzues, Stephen Sutton, ka folur sot për thyerjen e zemrës së saj, pas vdekjes së djaloshit “guximtar, vetëmohues dhe frymëzues”, i cili kishte mbledhur më shumë se tre milionë funta për bamirësi.

Stephen, 19, humbi betejën e tij me kancerin e zorrëve, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në muajt para vdekjes së tij, ai fitoi zemrat e miliona njerëzve, duke frymëzuar njerëz në të gjithë botën në ngritjen e fondeve për “Teenage Cancer Trust”.

Duke njoftuar vdekjen e tij, sot nëna e tij në Facebook ka shkruar: "Zemra ime është duke shpërthyer me krenari, por e thyer dhe me dhimbje për të guximshmin, vetëmohuesin, birin tim frymëzues, i cili u nda nga jeta në mënyrë paqësore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, të mërkurën e 14 majit”.

"Mbështetja e vazhdueshme dhe dashuria për Stefanin do të më ndihmojnë në masë të madhe, në këtë kohë të vështirë, në të njëjtën mënyrë siç e ndihmoi Stefanin në të gjithë udhëtimin e tij. Ne të gjithë e dimë se ai kurrë nuk do të harrohet, shpirti i tij do të vazhdoj të jetoj. Dashuria ime”, ka shkruar ajo.

Edhe vëllai i tij më i vjetër Chris, 21, tha se ishte "i bekuar" që ishte rritur me Stefanin, raporton DailyMail, transmeton Telegrafi.

Ai në twitter ka shkruar: "Pra, Stephen ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Unë mund të rri gjithë ditën këtu duke shkruar të gjitha fjalët si: frymëzues, krenar,... por sinqerisht jeta e tij dhe ajo që ai e ka arritur, flet vetë, ajo nuk ka nevojë për një eulogji nga unë. Pusho në paqe vëlla”, ka shkruar ai.

Brenda disa minutave, prej kur ishte publikuar mesazhi i saj, ishte shpërndarë në më shumë se 100 mijë herë.

Dhe një valë e madhe e njerëzve që vizituan faqen e Stefanit, bëri që faqja të “bllokohet”.

Kryeministri David Cameron nderoi 19-vjeçarin, duke lavdëruar "shpirtin dhe trimërinë" e tij, dhe duke e konsideruar si një "frymëzim".

Ai shkroi: "Unë jam ndier thellësisht i pikëlluar kur kam dëgjuar se Stephen Sutton ka vdekur. Shpirti i tij, trimëria dhe mbledhja e fondeve për hulumtime të kancerit, ishin të gjitha një frymëzim".
 

Gjithashtu, udhëheqësi i Laburistëve, Ed Miliband, i bëri jehonë ndjenjave të kundërshtarit të tij, në twitter: "Është lajm tragjik se Stephen Sutton ka vdekur”, ka shkruar ai.

“Trimëria dhe vendosmëria e tij, për të jetuar jetën të plotë, ishte një frymëzim për të gjithë ne", ka vlerësuar Miliband.

Ndërkaq, Siobhan Dunn, kryeshef ekzekutiv i “Teenage Cancer Trust” ka shkruar: “Stephen ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe ambasador për Teenage Cancer Trust”. 

Kthehu mbrapa

Shto koment