Dështon përpjekja e të rinjve të Serbisë

04.03.2012 (komentet: 0)

Është hedhur poshtë kërkesa e të rinjve të Serbisë, për përjashtimin e të rinjve të Kosovës nga Asambleja Gjenerale e Këshillit të Rinisë Evropiane. Gjatë një seance të kësaj asambleje, kundër kësaj kërkese kanë votuan 286 delegatë, ndërsa për ishin vetëm 87 delegatë.


Presidenti i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës, Avdullah Hasani, ka falënderuar të gjithë ata që kanë votuar kundër kërkesës së të rinjve serb dhe pro mbetjes së të rinjve të Kosovës në këtë asociacion.

“Ne, të rinjtë e Kosovës, jemi të gatshëm si të rinj të një shteti të pavarur dhe demokratik të kemi një raport institucional, anëtarësie të barabartë edhe me Këshillin e Rinisë Evropiane të Serbisë, por asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nëse do të cenohej shtetësia e Kosovës, Republika e Kosovës, Deklarata e Pavarësisë e ratifikuar në Parlamentin e Kosovës më 17 shkurt 2008, të pakontestuar nga GJND-ja, madje duke e pranuar si të drejtë legjitime të popullit të Kosovës konform të gjitha normave ndërkombëtare”, ka thënë Hasani, njofton “Kosovapress”.

Ditë më parë, përmes një kërkese, të nënshkruar nga 67 delegatë nga të rinjtë e disa shteteve evropiane, të rinjve të Serbisë, kanë kërkuar që të rinjtë e Republikës së Kosovës të mos kenë përfaqësues në këtë Asamble. Kjo kërkesë, sipas nënshkruesve, “arsyetohej” me atë se statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur dhe se deputetët e të rinjve të Serbisë i përfaqësojnë edhe të rinjtë e Kosovës. 

Kthehu mbrapa

Shto koment