DER SPIEGEL”: INTELIGJENCA GJERMANE PO PËRGJON SHBA-NË

07.11.2015 (komentet: 0)

E përditshmja gjermane “Der Spiegel” në numrin e sotëm ka botuar një artikull ku shkruan se Shërbimi Inteligjent Federal i Gjermanisë (BND) në mënyrë sistematike ka përgjuar vendet aleate në botë

 

Madje sipas kësaj gazete në shumicën e vendeve BND-ja e ka bërë këtë pa u konsultuar me Agjencinë Amerikane për Siguri (NSA).

BND-ja ishte në qendër të kritikave edhe më parë kur akuzohej se e ka ndihmuar NSA-në për të spiunuar institucionet evropiane, e po ashtu edhe qeverinë dhe bizneset gjermane, transmeton KosovaPress.

Por Spiegel ka gjetur se ndërmarrësia përgjuese e BND-së ka qenë e një aktiviteti edhe më të gjerë se që ishte raportuar më parë përfshi Departamentin e Brendshëm të SHBA-ve, ministrat e brendshëm të BE-së nga Polonia, Austria, Danimarka dhe Kroacia, madje edhe Vatikanin.

Po ashtu, BND-ja gjermane thuhet të ketë përgjuar edhe linjat e komunikimit në Bruksel dhe Nju Jork që i përkasin SHBA-së.

Në listën e gjatë që ka përgjuar BND-ja, sipas “Der Spiegel”, hyjnë edhe organizatat botërore si “Care International”, “Oxfam”, si dhe Këshilli Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë, ndërkaq brenda vendit BND-ja është përkujdesur që të spiunojë konsullatat, ambasadat dhe institucionet tjera përfaqësuese. /KosovaPress/

Kthehu mbrapa

Shto koment