Dënohen “Çakejtë”

11.02.2014 (komentet: 0)

Nëntë ish-luftëtarë serbë janë dënuar për kryerjen e vrasjeve të civilëve shqiptarë nga fshatrat e Pejës gjatë konfliktit në Kosovë. Ata kanë marrë dënimin prej 106 vjetësh burgim.

Njësia "Çakejtë" gjatë luftës në Kosovë | Foto: BI
nga   Marija Ristiq
© Të drejtat autoriale

Gjykata Speciale e Beogradit i shpalli nëntë ish-pjesëtarët e Skuadrës 177-të Intervenuese të Armatës Jugosllave fajtorë për vrasjet e më se 100 civilëve shqiptarë gjatë muajve prill dhe maj 1999, pas sulmeve në katër fshatra të Kosovës.

“Këta burra kanë sulmuar popullatën civile, i kanë nxjerrë me dhunë ata nga shtëpitë e tyre, i kanë ndarë burrat nga gratë dhe më pas i kanë vrarë burrat”, deklaroi gjyqtarja kryesuese Snezhana Nikoliq-Garotiq.

“Ata morën dhe shkatërruan dokumentacionet e tyre dhe i detyruan që të braktisin fshatrat. Trupat e të vrarëve më pas u dogjën me zjarr, në mënyrë që mbetjet e tyre mortore të mos gjenden më kurrë, ndërsa shtëpive të tyre iu vu flaka në mënyrë që ata që u përzunë të mos kenë ku të kthehen më,” shtoi gjyqtarja.

Ish komandanti i Armatës Jugosllave, Toplica Milladinoviq është dënuar me 20 vjet heqje lirie që ka urdhëruar komandantin e njësisë “Çakejtë”, Nebojsha Miniqin të nisë sulmet në fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaq dhe Qyshk, në rrethinën e Pejës. Miniqi i njohur me noftën ‘Mtrvi’ (‘I vdekuri’), vdiq nga SIDA në vitin 2005 në Argjentinë.

Dy luftëtarë të tjerë të njësisë, Dejan Bulatoviq dhe Milojko Nikoliq, janë dënuar gjithashtu me nga 20 vjet burgim, ndërsa Ranko Moniq me 15 vjet qëndrim prapa grilave.

Abdullah Sokiq është dënuar me 12 vjet burgim, Sreçko Popoviq me 10 dhe Sinisha Mishiq me 5 vjet burgim.

Ndërsa të akuzuarit tjerë, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq janë dënuar me nga dy vjet burg, derisa Radosllav Brnoviq dhe Velko Koriçanin janë liruar nga akuzat.

Gjyqtari tha se këta luftëtarë nuk ishin paramilitarë, siç thoshte prokuroria në fillim të gjykimit, por ata ishin pjesëtarë të rregullt të Armatës Jugosllave të cilët bartnin dokumentet ushtarake të identifikimit dhe merrnin rrogë nga armata.

Të akuzuarit këmbëngulnin se janë të pafajshëm, duke deklaruar se ata ishin patriotë që po mbronin vendin e tyre nga terroristët.

Në vendim thuhet se gjatë sulmit në fshatin Pavlan, është dhunuar një vajzë shqiptare 13 vjeçare, por nuk është vërtetuar përtej dyshimit se kush nga luftëtarët ishte përgjegjës për këtë krim.

Gjyqtarja tha se disa familjeve të të vrarëve madje iu ishte mohuar e drejta për të varrosur të afërmit e tyre.

“Ata i kishin bërë lutje ushtrisë që të merrnin trupat e të vrarëve, por ushtarët kishin refuzuar t’ ua jepnin. Një ditë më pas, trupat u morën, për t’u gjetur dhjetë vjet më vonë në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë”, deklaroi gjyqtarja.

Prokuroria dhe mbrojtja kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi brenda 30 ditëve të ardhshme.

http://gazetajnk.com

Kthehu mbrapa

Shto koment