Darka Rama-Vuçiq pa tensione, Daçiqi këndoi

12.11.2014 (komentet: 0)

Tensioni mes kryeministrave Rama e Vuçiq është shfaqur vetëm gjatë konferencës së drejtpërdrejt kur nga kreu i qeverisë shqiptare u prek çështja e Kosovës, pasi çdo takim tjetër që pasoi vizitën historike në Serbi ishte bashkëpunues. Kështu shprehet për “A1 REPORT” këshilltari i kryeministrit Rama për çështjet e rajonit, Shkëlzen Maliqi.
 

Ai ka thënë se në darkën pa protokoll mes dy delegacioneve atmosfera ka qenë mjaft relaksuese, aq sa ministri i jashtëm serb, Daçiq, edhe ka kënduar! Por, për kryeministrin Vuçiq, thotë Maliqi, ishte e vështirë të pranohej deklarata e Ramës se “Kosova e pavarur është fakt i patjetërsueshëm dhe se duhet respektuar”. Herë pas here, rrëfen Maliqi, Vuçiqi i ankohej kryeministrit Rama dhe, siç shpjegon Maliqi, kjo lidhet me presionet e brendshme që mund t’i marrë Vuçiqi nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët, sipas tij, mund ta konsiderojnë të dobët përballë guximit të Edi Ramës për të prekur në mes të Beogradit një çështje të “nxehtë” për ta. 
 
Maliqi: Ja detajet e darkës pa protokoll në “Shtëpinë e Gjahut”
 
Një ditë pas përmbylljes së vizitës historike të kryeministrit shqiptar në Serbi, këshilltari për rajonin i Edi Ramës, rrëfen për “A1 REPORT detajet e pazbuluara më parë për mediet mbi darkën pa protokoll të dy delegacioneve në Beograd. 
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli”, Shkëlzen Maliqi ka thënë se në ndryshim nga tensioni përgjatë konferencës së drejtpërdrejtë të dy kryeministrave Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, darka pa protokoll ofroi një tjetër atmosferë.
Këshilltari i Ramës për çështjet e rajonit zbuloi për “A1 REPORT” se darka nuk është mbajtur në restorant, siç u përfol në disa media, por në një pjesë të ish-rezidencës së presidentit të ish-Jugosllavisë Tito. Madje sjell edhe një detaj mjaft interesant për ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiq. “Ata e quajnë ‘Shtëpia e Gjahut’. Ka qenë një atmosferë e relaksuar, darkë pa protokoll, në të cilën ishin vetëm delegacionet e ngushta, kryeministrat dhe anëtarët e delegacionit. Kishte ushqim të bollshëm, pak muzikë, madje zv/kryeministri Ivica Daçiq ka kënduar arie dhe këngë të popullarizuara”, ka thënë Maliqi.
 
Maliqi: Herë pas here Vuçiqi ankohej te Rama për deklaratën e Kosovës
 
Por pavarësisht marrëveshjeve të firmosura dhe frymës së bashkëpunimit që është shfaqur në takimet pas konferencës për media të dy homologëve, për kryeministrin serb Vuçiq ka qenë e vështirë të “kapërdijë” deklaratën për Kosovën, e cila doli jashtë pritshmërive të tij. Maliqi e shpjegon këtë fakt me presionet e brendshme që mund të marrë Vuçiqi nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët sipas tij mund ta konsiderojnë të dobët përballë guximit të Edi Ramës për të prekur në mes të Beogradit një çështje të “nxehtë” për ta.
“Vuçiqi është ankuar te Rama se i ka sjellë shumë probleme me atë deklaratë. Kohë pas kohë ia kujtonte këtë, por atmosfera ka qenë pa tensione, me biseda dhe batuta të këndshme siç takohen një grup njerëzish që edhe pse nuk janë miq pretendojnë të nisin një frymë të re marrëdhëniesh mes tyre. Kishte disa momente kur Vuçiq prapë shpërthente ose e shprehte pakënaqësinë se nuk duhej që Rama të hapte temën e Kosovës, ai ka brengat e veta, ka kundërshtarët e vet politik që mund ta shfrytëzojnë këtë për të thënë se Vuçiqi është politikan i dobët”, ka deklaruar Maliqi.

Kthehu mbrapa

Shto koment