Daçiq: Të hyrat nga doganat nuk do të shkojnë në Prishtinë

18.01.2013 (komentet: 0)

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot, pas takimit të katërt me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton në Bruksel, se gjatë këtij raundi është arritur marrëveshje e përkohshme për mbledhjen e të hyrave në dogana, si dhe është hapur tema e veriut të Kosovës.

 

“Jemi marrë vesh që parat nga të hyrat në dogana të shkojnë në një fond të veçantë për zhvillimin e komunave në veri të Kosovës, i cili do të jetë nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian”, ka thënë Daçiq.

Kryeministri serb ka thënë se kjo marrëveshje është e karakterit të përkohshëm dhe se ende duhet identifikuar disa detaje teknike, por sipas tij, kjo marrëveshje është në pajtim me interesat nacional dhe qëndrimin e serbëve të Kosovës që mos pagesa në dogana mos t’iu shkoj institucioneve të Kosovës.

Daçiq ka thënë se bisedimet kanë qenë të hapura dhe se “për herë të parë në një mënyrë serioze është hapur çështja e institucioneve paralele dhe marrëdhënieve speciale ndaj popullit serb që jeton në Kosovë”.

“Kjo është çështje e rëndësishme që nuk mund të zgjidhet brenda një natë, por rruga për zgjidhje është hapur”, ka thënë kryeministri serb, duke shtuar se zgjidhja qëndron në formimin e institucioneve të reja në veri të cilat do të jetë të pranueshme edhe për Prishtinën edhe për serbët e Kosovës.

“Është e rëndësishme që deri në prill të arrijmë përparim në dialog, në pajtim me rezolutën dhe interesat tonë nacional”, ka thënë Daçiq. (ORAinfo)

Kthehu mbrapa

Shto koment