Daçiq hakmerret për Limajn, arreston 6 shqiptarë në Luginë

04.05.2012 (komentet: 0)

Në një aksion policor, të ndërmarrë sot në Luginë të Preshevës, janë arrestuar gjashtë shqiptarë, të cilët, sipas agjencisë serbe të lajmeve FoNet, dyshohen për krime lufte të bëra në Kosovë. Kjo agjenci citon burime të Ministrisës së Brendshme të Serbisë, të cilat pohojnë se aksioni po vazhdon dhe se ministri Ivica Daçiq hollësitë do t’i bëjë publike në një konferencë shtypi, të paralajmëruar për orën 11, që do ta mbajë në Vranjë.

Të enjten Daçiq, duke reaguar për aktgjykimin lirues të Fatmir Limajt, të akuzuar për krime lufte ndaj serbëve dhe joshqiptarëve në Kleçkë, deklaroi se derisa të jetë ai në krye të MPB-së do të arrestojë secilin që ka bërë krime lufte dhe se Prishtina, për këtë vendim të turpshëm, siç e citojnë mediet serbe, “nuk do të presë gjatë për përgjigjen”.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, aksionin e arrestimeve, por tash për tash, ka thënë se nuk ka informacione se për çka bëhet fjalë. Ai ndërkohë i ka thënë B92 se po bastisen shtëpi shqiptarësh në Tërnoc e lokalitete të tjera dhe se janë arrestuar shumë veta.

Kthehu mbrapa

Shto koment