Clinton nominohet për Çmimin Nobel për Paqe

27.02.2012 (komentet: 0)

Instituti Nobel ka bërë të ditur se 231 personalitete janë nominuar këtë vit për Çmimin Nobel për Paqe.

Instituti me bazë në Norvegji po ashtu njoftoi se të nominuarë për këtë çmim janë edhe ish presidenti amerikan, Bill Clinton, kancelari gjerman Helmut Kohl, si dhe Bradley Manning, ushtari amerikan që përballet më gjyqin ushtarak amerikan për shkak të dhënies së mijëra informacioneve të ndejshme të ushtrisë dhe mesazheve diplomatike në faqen e internetit "Wikileaks".

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, ka dhënë kontribut të madh në vitin 1999 për lirinë e Kosovës, ndërsa kancelari gjerman ka arritur t’i bashkojë Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore në mënyrë paqësore.

Këtë vit janë propozuar edhe presidenti i Tunizisë, Moncef Marzouki, i cili ka ardhur në pushtet pas revolucionit në vend, pastaj stacioni televiziv “Al Jazeera”, si dhe shkencëtari amerikane Gene Sharp i njohur për teorinë e tij për rezistencën e padhunshme e cila besohet se ka frymëzuar figurat kryesore që kanë qëndruar pas revolucioneve në shtetet arabe.

Numri prei 188 individëve dhe 43 organizatave i afrohet rekordit të vitit të kaluar kur nga 241 kandidatë Çmimi Nobel iu nda presidentet së Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, aktivistes nga ky shtet, Leymah Gbowee, dhe aktivistes nga Jemeni, Tawakel Karman.

Me mijëra njerëz nga bota mund të marrin pjesë në nominime, përfshirë deputetë, ministra, ish laureat dhe disa institute ndërkombëtare, të cilat deri më 1 shkurt duhet të japin kandidaturat.

Instituti Nobel, sipas traditës, që 50 vjet i mban sekret emrat e kandidatëve, por organizatat dhe individët që japin propozime i deklarojnë ato në publik.

Ndarja e Çmimit Nobel për Paqe do të shpallet në tetor, ndërsa Çmimi jepet më 10 dhjetor, ditën e vdekjes së shkencëtarit suedez, Alfred Nobel.

Kthehu mbrapa

Shto koment