CIA zbardh sekretet: Tito kishte lidhje në Tiranë me Haxhi Lleshin e Myslym Pezën

19.02.2013 (komentet: 0)

Raporti i CIA-s për bisedimet e datës 8 tetor 1952 me ish-Mbretin. Tito njoftonte Zogun se kishte lidhje me Haxhi Lleshin e Myslym Pezën. Në vigjilje të Konferencës së Tiranës të vitit 1956, Rankoviçi pohonte se Dali Nderu vepronte për interes të UDB-së. (vijon nga numri i kaluar): “Zogu i kërkoi Titos 8 mijë kosovarë të rrëzonte Enverin”

ahmet-zogu-dhe-josip-tito

Komunikimi i Zogut me shërbimet amerikane në vitin 1952 fokusohej në negociatat e ish-Mretit me Titon, liderin komunist të Jugosllavisë për të përmbysur regjimin e Tiranës. Në numrin e kaluar zbardhëm pjesën e parë të dokumentit sekret, të hartuar nga njëri prej oficerëve të lartë të Drejtorisë së Operacioneve Klandestine (OPC-CIA) që bën fjalë për misionin e të dërguarit personal të Zogut pranë oficerëve të lartë të UDB-së.
Pjesa në vijim e dokumentit të Shërbimit Sekret Amerikan, hartuar në tetor të vitit 1952, sjell disa të dhëna shumë interesante për të kuptuar sadopak prapaskenat që luheshin midis Zogut dhe Shërbimit Sekret Jugosllav. Dosja e ish-Mbretit, tashmë e deklasifikuar dhe në dispozicion të studiuesve të interesuar për periudhën e luftës së ftohtë, ka mjaft të dhëna interesante dhe të papritura të mëdha. Ashtu siç kemi vënë në dukje edhe në numrin e kaluar, ish-Mbreti Zog, i mërguar në Egjipt, papritmas, duke shfrytëzuar koniunkturat politike të kohës, kishte filluar kontaktet e fshehta me liderin komunist Tito. Këto kontakte realizoheshin nga njerëz shumë të besuar të Zogut dhe mbaheshin nën kontrollin e rreptë të UDB-së dhe personalisht të gjeneralit famëkeq Rankoviç. Jugosllavia, e cila kishte prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe ndihej e izoluar nga blloku komunist lindor, dërgonte sinjale bashkëpunimi me amerikanët në fushën e shërbimeve sekrete. Një ndër këto sinjale ishte edhe informacioni që jugosllavet i kishin dhënë amerikanëve mbi tentativat e ish- Mbretit Zog për të komunikuar nëpërmjet kanaleve të besuara me Titon. Amerikanët, të cilët po mbanin peshën kryesore të operacioneve klandestine kundër Shqipërisë, kërkonin me çdo kusht rezultate pozitive dhe duket se propozimet e jugosllavëve për bashkëpunim kundër regjimit të Hoxhës i kanë pranuar pa mëdyshje. Megjithëse nga disa memorandume të takimeve midis dy shërbimeve, duket se amerikanët kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur jugosllavët në distancë nga planet e tyre operacionale.
Memorandum i datës 9 tetor është një dokument i detajuar i një interviste që Mbreti Zog ka pasur me një prej oficerëve të lartë të OPC, apo Zyra e Operacioneve Klandestine, e drejtuar nga Frank Wisner. Ky memorandum flet qartë mbi përpjekjet e Zogut për të negociuar një marrëveshje sa më të pranueshme me Titon, duke bërë të mundur marrjen e mbështetjes jugosllave për një ndërhyrje të armatosur në Shqipëri nga kufiri verior. Megjithatë, rrëfimi i Zogut në vetë të parë para zyrtarit të lartë amerikan nuk lë asnjë dyshim mbi vërtetësinë e fakteve që përmban ky dokument.
Nga dëshmia e Zogut del se përfaqësuesi i tij, Irfan bej Ohri, ka qenë shumë i kujdesshëm në bisedimet me oficerët e lartë të UDB-së jugosllave, për të mos lënë asnjë shteg keqkuptimesh mbi mënyrat e bashkëpunimit. Pa dyshim, faktet më interesante të dëshmisë së Zogut janë emrat e propozuar nga Shërbimi i Fshehtë Jugosllav për të bashkëpunuar në rrëzimin e regjimit të Hoxhës. Duke parë nivelin shumë të lartë të pjesëmarrësve në këto bisedime, kuptohet qartë se këto dëshmi janë pohime të cilat duhet të pranohen si fakte të rëndësishme për të kuptuar dinamiken e këtyre ngjarjeve. Ekspozimi i emrave të liderëve kryesorë të diasporës shqiptare si bashkëpunëtorë të UDB-së është një fakt shumë i rëndësishëm që duhet trajtuar me shumë kujdes. Sakaq, dëshmia e Zogut se jugosllavët u kanë kërkuar bashkëpunim të paktën tre udhëheqësve nga më kryesorët në radhët e lidershipit komunist të regjimit të Tiranës, është një surprizë e madhe. Emrat e Myslym Pezës, Haxhi Lleshit dhe Dali Ndreut në listën e Titos janë një dëshmi mjaft intriguese për të gjithë ata që nuk i kanë ndjekur me kujdes prapaskenat e zhvillimeve të lëvizjes komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Emrat e Pezës dhe Lleshit janë shumë të njohur për dokumentet e Shërbimit britanik SOE, të cilët kishin bërë të mundur financimin e tyre gjatë luftës. Megjithatë, pyetja nëse lista jugosllave është një listë e vërtetë apo një provokim kundrejt Mbretit Zog është mjaft legjitime. Duke pasur parasysh që ky dokument ka qenë tepër sekret dhe i destinuar për drejtuesin e OPC, autenticiteti i tij nuk mund të vihet në diskutim, por mundësia e një provokimi ndaj Zogut nuk ka përse të mos merret në konsideratë. Pjesa në vijim e këtij memorandumi, që do ta zbulojmë në numrin e ardhshëm, do na njohë me fakte të reja mbi bashkëpunimin e ish- Mbretit Zog me Jugosllavinë e Titos.
MEMORANDUMI
Subjekti: Biseda me Mbretin Zog më 8 tetor 1952
…Irfan Beu u shpjegoi jugosllavëve se as ai dhe as kolonel Dërhalla nuk ishin njerëz të politikës dhe qëllimi kryesor i kësaj vizitë ishte fakti që, nëse ishte e mundur për jugosllavët, të dërgonin një person për të folur direkt me Mbretin Zog. Koloneli Branko u përgjigj se jugosllavët do të dërgonin një person të përshtatshëm për të biseduar me Zogun në të ardhmen. Kur Irfan Beu sugjeroi mundësinë e hapjes së bisedimeve me ambasadorin jugosllav në Kajro, kolonel Branko u shpreh vendosmërisht se kjo nuk do të ndodhë. Nga këndvështrimi i Irfan Beut për mënyrën se si ky sugjerim nuk u pranua, ka shumë mundësi që jugosllavët nuk kanë besim tek ambasadori i tyre në Kajro, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë arsye të tjera për të menduar se ambasadori nuk është personi i duhur për të folur me Zogun.
-Koloneli Cedo nxori një listë me 40 emra dhe pasi ia tregoi Irfan Beut, e pyeti atë nëse Mbreti ishte i gatshëm “t’i pranonte këta njerëz”. Kur koloneli u pyet që ta sqaronte se çfarë nënkuptonte me fjalën “pranim”, atëherë ai tha se pyetja ishte nëse Mbreti do t’i falte këta njerëz dhe do të pranonte që ata t’i puthnin dorën. Irfan Beut nuk iu dha një kopje e kësaj liste, megjithatë pas leximit ai vuri re se kjo listë përmbante jo vetëm persona kyç të Komitetit të Prizrenit, i sponsorizuar nga jugosllavët si dhe një numër shqiptarësh serbofilë, por edhe një numër shqiptarësh që janë aktualisht në Shqipëri, përfshirë edhe 6 komunistë titistë, që janë aktualisht në regjimin e Hoxhës. Në mesin e këtyre të fundit ishte edhe një person i cili, sipas Irfan Beut, ishte gjeneral. Po kështu, kjo listë përmbante edhe emrat e shqiptarëve që janë aktualisht në emigracion, si Muharrem Bajraktari, Sait Kryeziu, Abaz Kupi dhe Gjon Markagjoni. Nga radha e komunistëve në këtë listë ishin Mulin Pera, Hadji Leshi dhe Dalip Nehu. (shënimi me shkrim dore në fund të dokumentit qartëson emrat e saktë të Myslym Pezës, Haxhi Lleshit dhe Dali Ndreut)
-Më tej, jugosllavët pyetën se çfarë do të bënte Mbreti Zog me Komitetin e Prizrenit, nëse ai do të udhëhiqte luftën për çlirim. Irfan Beu u përgjigj se edhe kjo ishte një çështje që duhej biseduar direkt me Mbretin, por megjithatë ai besonte se Mbreti ishte i gatshëm të bashkëpunonte me të gjitha grupet dhe organizatat që kërkonin të kontribuonin në këtë luftë. Pastaj jugosllavët pyetën se çfarë do të bënte Mbreti me komitetin anglo-amerikan “Shqipëria e Lirë”, i cili është me bazë në Romë. Irfan Beu u përgjigj se ai ishte i sigurt se qëndrimi i Mbretit do të ishte ashtu si edhe për Komitetin e Prizrenit.

Organizatat kundër regjimit të Tiranës i paguajnë të huajt

Bisedimet e Zogut me zëvendësshefin e Zyrës së CIA-s të 8 tetorit 1952
Pjesa e tretë e memorandumit të bisedimeve midis ish-Mbretit Zog dhe zëvendësshefit të OPC (Zyra e Operacioneve Klandestine amerikane) sjell disa të dhëna mjaft interesante mbi prapaskenat e bisedimeve Zog-Tito në vitin 1952. Një analizë e kujdesshme e këtij dokumenti, të botuar për herë të parë, tregon se përfaqësuesit e Titos, oficerët e lartë të Shërbimit të Fshehtë Jugosllav, kanë qenë mjaft të detajuar në disa prej kërkesave të tyre ndaj Mbretit të Shqipërisë. UDB-ja jugosllave ka paraqitur një listë me emra të njerëzve, të cilët i konsideronin minimumi dashamirës të Jugosllavisë, si kandidatë potencialë në një qeveri pas-komuniste në Shqipëri. Sigurisht kjo listë e paraqitur nga jugosllavët duhet të merret me rezerva dhe duhet trajtuar me kujdes për të nxjerrë konkluzionet e duhura. Gjithsesi, në këtë memorandum tepër sekret është me interesante të shikojmë një nga një disa prej pikave kryesore të bisedës midis përfaqësuesve të Zogut dhe UDB-së jugosllave për të kuptuar më qartë rëndësinë e këtyre bisedimeve.
Siç shikohet edhe nga biseda e regjistruar në këtë dokument, të dyja palët kanë qenë mjaft ironike në momentin kur biseda është fokusuar në mënyrën e financimit të organizatave kryesore që operonin kundër regjimit të Tiranës. Jugosllavët kundrejt komitetit “Shqipëria e Lirë”, që financohej nga amerikanët e CIA-s dhe përfaqësuesi i Zogut kundrejt “Komitetit të Prizrenit”, i cili ishte një vegël në duart e UDB-së jugosllave. Duket qartë se të dyja këto organizata që operonin kundër Shqipërisë komuniste ishin organizata të krijuara dhe financuara nga shërbimet e huaja dhe jo një përpjekje organike e mërgatës shqiptare. Ndoshta kjo ka qenë një prej çështjeve kryesore për të kuptuar edhe dështimin e këtyre përpjekjeve, të cilat mbështeteshin nga shërbimet inteligjente perëndimore.
Pika e dytë me mjaft interes në këtë memorandum është përshtypja e UDB-së se Mbreti Zog nuk kishte bërë asgjë për të iniciuar dhe udhëhequr një revolucion në vendin e tij, me qëllim rrëzimin e qeverisë komuniste. Kjo përshtypje e Shërbimit të Fshehtë Jugosllav është mjaft domethënse, pasi jugosllavët monitoronin me shumë kujdes çdo lëvizje që kishte të bënte me Shqipërinë dhe ishin shërbimi më i mirinformuar mbi çështjet shqiptare. Prandaj dëshmia e tyre në këtë dokument duhet trajtuar si mjaft e vërtetë. Po kështu, fakti se jugosllavët kishin paralajmëruar qeverinë greke për të ndaluar çdo përpjekje të kësaj të fundit për një ndarje eventuale të territoreve shqiptare të Jugut, tregon qartë se jugosllavët kërkonin një Shqipëri miqësore dhe jo të ndarë sipas interesave të fqinjëve, gjë që do të sillte komplikime shumë të mëdha në gjeopolitikën rajonale.
Pika tjetër mjaft interesante në këtë dokument është dëshmia e oficerëve të lartë të UDB-së mbi faktin se nëse Mbreti Zog dhe shqiptarët e tjerë nuk e rrezonin dot regjimin e Hoxhës, jugosllavët ishin përgatitur ta rrezonin atë me metodat e tyre. Kjo dëshmi e vlerësuar në kontekstin e zhvillimeve të kohës, mund të japë një të dhënë shumë interesante mbi prapaskenat e Konferencës së Tiranës, në prill të 1956-s, ku një përpjekje shumë serioze për të rrëzuar Enver Hoxhën u tentua pa sukses. A ka lidhje kjo dëshmi me konferencën e Tiranës apo jo, kjo është një çështje për t’u sqaruar më tej, por në këtë dokument kuptohet qartë se jugosllavët ishin përgatitur shumë seriozisht të përdornin çdo metodë për të rrëzuar Hoxhën. Nëse hipoteza jonë është e saktë dhe jugosllavët kanë qenë mbrapa Konferencës së Tiranës (ashtu edhe siç janë akuzuar nga Enver Hoxha), atëherë ky dokument na jep një këndvështrim të ri për të sqaruar disa enigma të asaj kohe, disa emra të përfolur të lidhur me këtë ngjarje, por edhe mbi arsyet e vërteta të ekzekutimit të gjeneral Dali Ndreut, i cili është një prej tre emrave kryesorë të listës që UDB-ja jugosllave i paraqiti ish-Mbretit Zog si mbështetës të politikës jugosllave në Tiranë. Përse dy emrat e tjerë të listës jugosllave nuk kanë pasur asnjë problem me Enver Hoxhën? Ky mbetet një mister i cili mund të dalë nga studimi i mëtejshëm i dokumentacionit jugosllav.
Pika tjetër mjaft dome-thënëse në këtë dokument sekret është fakti që jugosllavët i kanë kërkuar ish-Mbretit shqiptar një fshehtësi absolute mbi këto bisedime. Jugosllavët, të cilët e monitoronin Zogun me mjaft kujdes, i kanë kërkuar atij një marrëveshje dypalëshe, përpara se amerikanët të futeshin në lojën e operacioneve klandestine nga territori jugosllav. UDB-ja, e cila kishte filluar një bashkëpunim të kujdesshëm me Zyrën e Operacioneve Klandestine, ishte në dijeni të kontakteve të Zogut me amerikanët. Ndoshta testimi i sinqeritetit të Zogut në këto marrëveshje ka qenë edhe arsyeja specifike që jugosllavët i kanë kërkuar Mbretit shqiptar të mos i ndante këto bisedime me fuqi të tjera, duke nënkuptuar me takt palën amerikane. Megjithatë Zogu, si një politikan tipik ballkanik, është munduar që të luajë një lojë të rrezikshme me të dyja palët, duke kërkuar një përfitim personal nga përfundimi që do të sillte një përfshirje e jugosllavëve dhe amerikanëve në planet e tij për t’u rikthyer në Shqipëri.
MEMORANDUM
Subjekti: Biseda me Mbretin Zog të Shqipërisë, më 8 tetor 1952
…Koloneli Branko pyeti se përse Mbreti Zog deri më tani nuk ka bërë asgjë për të organizuar një revolucion në vendin e tij. Irfan Beu u përgjigj se përgjigja duhet kërkuar te qëndrimi i fqinjëve të Shqipërisë në këtë pikë. Mbreti nuk dëshiron të veprojë deri sa të ketë garanci se vendi nuk do të copëtohet nga fqinjët e tij. Në këtë pikë, koloneli Branko u përgjigj se Jugosllavia i qëndron vendosmërisht idesë së ruajtjes së integritetit territorial të Shqipërisë. “Qeveria e Jugosllavisë i ka shprehur qartësisht qeverisë greke se një sulm kundër Shqipërisë do të konsiderohet si një sulm kundër Jugosllavisë. Ky qëndrim, – tha koloneli Branko, -mund të merret nga Mbreti Zog si një garanci e ruajtjes së kufijve aktualë të territorit shqiptar”.
-Në bisedimet e detajeve praktike se si ky revolucion mund të fillohet, Irfan Beu shpjegoi se në terma të përgjithshëm Mbreti Zog mendon se aksioni mund të fillojë 30 -40 km nga territori jugosllav. Koloneli Cedo u shpreh se “ne mendojmë ta bëjmë ndryshe”, megjithatë ideja për t’i filluar luftimet në distancë nga kufiri jugosllav është një ide shumë e mirë. Në ditën e fundit të bisedimeve, përfaqësuesit e Mbretit Zog u informuan se jugosllavët do të preferonin që Shqipëria të çlirohet nga vetë shqiptarët, përfshirë edhe Mbretin Zog, por nëse shqiptarët nuk e kishin kapacitetin që të rrëzonin Enver Hoxhën, jugosllavet do ta bënin vetë në mënyrën e tyre, pasi situata në Shqipëri ishte e patolerueshme.
-Përpara se të ndaheshin nga bisedimet, Irfan Beu pyeti nëse jugosllavët kishin ndonjë rekomandim për Mbretin. Jugosllavët u përgjigjën se kanë dy: e para që Mbreti Zog duhet të ruajë sekretin absolut mbi këto bisedime dhe të jetë i sinqertë me jugosllavët. E dyta, që Mbreti Zog nuk duhet të sjellë në këto bisedime asnjë fuqi të huaj deri sa të ketë arritur një marrëveshje të sigurt me jugosllavët. Jugosllavët gjithashtu deklaruan se nëse Mbreti Zog dhe familja e tij e kishin të pamundur të qëndronin në Egjipt, ai ishte i mirëpritur në Beograd, ku një shtëpi do t’i jepej në përdorim për të banuar sa të dëshironte.
-Irfan Beu gjithashtu foli mbi komentet mjaft të hidhura të përfaqësuesve jugosllavë ndaj Bashkimit Sovjetik.
-Mbreti Zog tha se ai mendon se bisedimet me jugosllavët po marrin një kthesë shumë interesante, por ai nuk ishte shumë i bindur se jugosllavët dëshironin sinqerisht të bashkëpunonin me të apo jo. Ai mendon se jugosllavët ndoshta kërkonin të zbulonin asetet e tija ose të zhvillonin një mënyrë që të përdornin atë apo emrin e tij në ndihmë të kauzës së tyre në Shqipëri. Mbreti Zog e konsideron shumë të rëndësishme sjelljen e amerikanëve në pozita udhëheqëse në veprimet aktive për të rrëzuar regjimin e Tiranës, pasi frika se pa një përfshirje të amerikanëve nuk do të garantohet një shtet i pavarur dhe i lirë. Në këto bisedime ai do të insistojë që jugosllavët të bien dakord për të prezantuar planin final për çlirimin e Shqipërisë për aprovimin e amerikanëve. Po kështu, ai mendon se forma finale e qeverisjes pas revolucionit të suksesshëm në rrëzimin e regjimit të Tiranës të përcaktohet nga një referendum kombëtar, nën vëzhgimin dhe kontrollin e Kombeve të Bashkuara.
- Mbi premtimin e jugosllavëve për të dërguar një person për bisedime të mëtejshme me Mbretin Zog në Egjipt apo diku tjetër, Zogu më kërkoi që nëse ishte e mundur ta vizitoja përsëri gjatë bisedimeve me jugosllavët për t’u konsultuar me mua. Ai e ka të qartë që këto bisedime duhen mbajtur shumë sekret nga jugosllavët.

Kthehu mbrapa

Shto koment