CIA PARASHIKON THELLIMIN E HENDEKUT MES SHQIPTARËVE E MAQEDONASVE

16.03.2013 (komentet: 0)

Washington, 15 mars - Viti 2013 parashikohet edhe me më shumë probleme të tipit politik dhe etnik për Ballkanin Perëndimor. Ky është vlerësimi i agjencive amerikane të zbulimit, sipas raportit të përvitshëm që ato i paraqesin Kongresit.








Sipas vlerësimit të agjencive të zbulimit, shtetet e të dobëta të këtij rajoni vuajnë nga ngecja ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni dhe një shtet i dobët ligjor.

Në Maqedoni, transmeton INA, raporti nuk parashikon një kthim në luftën civile të një dekade më parë, por parashikon thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve shqiptare dhe maqedonase.

Ndërkaq, në Shqipëri, sipas raportit, institucionet qeverisëse vuajnë nga korrupsioni dhe ndikimi i tepruar politik mbi to. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjet parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here parlamentin për gati 2 vjet.

Raporti në fjalë është paraqitur nga drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper, së bashku me drejtorin e ri të CIA-s, John Brennan dhe me drejtorin e FBI-së, Robert Mueller,  gjatë një seance në Komisionin e Përzgjedhur të Senatit për Çështjet e Zbulimit.

Raporti thekson se me shtimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ekziston edhe rreziku i shtimit të dhunës nga grupet ekstremiste serbe në veri të Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment