Brukseli ia bën të qartë Serbisë: Kosova kryekusht

04.09.2012 (komentet: 0)

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic në vizitën e tij të parë në Bruksel, në cilësinë e shefit të qeverisë, ka marrë porosi se dhënia e datës për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE do të varet nga përmirësimi i dukshëm i raporteve me Kosovën.

 

 

Dacic këtë porosi së pari e mori nga presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, raporton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Brukseli.

Presidenti i BE-së tha se mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së që një ditë, kur të përmbushen kushtet e njohura mirë, edhe Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

“Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve me Kosovën mbetet kërkesë vendimtare për hapin e ardhshëm të nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Jam i lumtur se Qeveria e Serbisë ka dhënë instruksione për të lejuar një bashkëpunim të mirëfilltë rajonal. Por puna nuk përfundon këtu. Të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog duhet të përmbushen, e në veçanti marrëveshja për pikëkalimet. Duhet të gjendet një zgjidhje për situatën e paqëndrueshme në veri të Kosovës, një zgjidhje që do të përmirësonte jetën e njerëzve atje. Prandaj u bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialog të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Van Rompuy.

“Isha i lumtur të dëgjoj nga kryeministri se ai dhe qeveria e tij janë të përkushtuar për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Duke folur për ato që i quajti suksese në politikën e zgjerimit në Ballkan, që ka rritur stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, ka ndihmuar reformat dhe zhvillimin e demokracisë, presidenti i BE-së Van Rompuy tha se të gjitha shtetet e rajonit kanë mundësi të ndjekin shembullin e Kroacisë, e cila me shumë punë ka arritur t’i përmbushë të gjitha kushtet për anëtarësim.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se në përputhje me konkluzionet e Këshillit Evropian Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun sa i përket Kosovës dhe Metohisë, siç e quan Beogradi Republikën e Kosovës.

Ai tha se qeveria e tij “nuk i vë në dyshim marrëveshjet të cilat janë arritur tashmë në Bruksel”.

“Siç keni parë para dy ditësh qeveria ka dhënë instruksionet lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Serbisë në takimet rajonale dhe mënyrën e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të organeve të pushtetit nga Prishtina“, ka thënë kryeministri i Serbisë.

“Jemi të gatshëm për dialog jo vetëm për çështje teknike, por edhe politike dhe që niveli në këtë takim të jetë shumë i lartë. Gjasat për marrjen e datës për nisjen e negociatave është në duart tona. Atë që kërkojmë nga partnerët tanë është që të mos e lëvizin tabelën në të cilën shkruan ‘caku’ dhe që të mos këtë kushte shtesë dhe zgjerim të kërkesave të përmendura në dhjetorin e vitit të kaluar”, u shpreh ai.

Dacic gjatë ditës do të ketë takime edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së Catherine Ashton, me komisionerin e Zgjerimit, Stefan Fule dhe me komisioneren për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment