Bosnja Nis Lëshimin e Vizave për Kosovarët

08.03.2012 (komentet: 0)

Kosovarët do të mund të pajisen me viza në secilën prej ambasadave të Bosnjës dhe Hercegovinës në rajon dhe jo në kufi, siç ishte menduar me parë, ka bërë të ditur për Gazetën JnK, ambasadori shqiptar, Flamur Gashi. Ende nuk është vendosur nëse vizat do të vendosen në pasaportat që mbajnë logon RKS. Kjo do të vendoset me një udhëzim të posaçëm administrativ brenda 15 ditësh.

Foto nga arkivi: gJnK

Shtetasit e Republikës së Kosovës, tash e tutje, do të mund të pajisen me viza për të udhëtuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. 

Vendimi është marrë sot në mënyrë unanime nga Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe do të hyjë në fuqi menjëherë. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, ambasadori i Shqipërisë në këtë vend, Flamur Gashi, pak minuta pasi ai ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të BeH, Zlatko Lagumdžija.

Ende nuk është vendosur nëse vizat do të vendosen në pasaportat që mbajnë logon RKS, apo do të vendosen në një letër. Kjo do të vendoset me një udhëzim të posaçëm administrativ, i tha Gashi, gazetës nëpërmes telefonit. 

Udhëzimi administrativ do të nxirret brenda 15 ditësh. 

Deri më tani, qytetarët me nënshtetësi të Kosovës nuk ishin në gjendje të udhëtonin për në BeH, përveç atyre që punojnë në organizata të ndryshme joqeveritare, dhe me leje speciale. 

Kosovarët do të mund të pajisen me viza në secilën prej ambasadave të Bosnjës dhe Hercegovinës në rajon, si në Shkup dhe Podgoricë, dhe jo në kufi, siç ishte menduar me parë, ka shpjeguar ambasadori shqiptar. 

Bosnja dhe Hercegovina është i vetmi shtet në rajon, krahas Serbisë, që nuk e ka pranuar ende shtetësinë e Kosovës, për shkak të kundërshtimit të entitetit serb, pjesë e Federatës.

Kthehu mbrapa

Shto koment