Berlini: S’ka tërheqje të trupave nga Kosova

03.02.2012 (komentet: 0)

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere tha se nuk pret tërheqje të shpejtë të paqeruajtësve të NATO-s nga Kosova, për shkak të situatës “së vështirë” në shtetin ballkanik.

De Maiziere ka bërë këto komente para gazetarëve, në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në selinë e aleancës ushtarake në Bruksel, njofton DPA.

NATO fillimisht pat planifikuar që të përgjysmojë këtë vit numrin e trupave në Kosovë.

Aktualisht janë rreth 5800 ushtarë nga 29 shtete që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërkaq Gjermania ofron kontingjentin më të madh me 1349 trupa.

Në vitin e kaluar Kosova u kaplua nga një valë e tensioneve të reja me serbët në veri.

“Aktualisht nuk shoh mundësi të tërheqjes së trupave tjera”, ka thënë de Maiziere, duke shtuar se “vetëm politikanët mund të zgjidhin problemet” që prekin Kosovën. /rel

Kthehu mbrapa

Shto koment