Berisha ‘s’ua varë’ ambasadorëve: Shtetësinë do e jap

18.12.2012 (komentet: 0)

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha sulmoi në një konferencë ambasadorët Arvizu dhe Sekui, të cilët e kritikuan atë për retorikën nacionaliste. Por sulmoi edhe ambasadoren gjermane, që pati thënë se statusi nuk merrej edhe nëse miratoheshin tre ligjet.

Berisha, në një konferencë për shtyp, deklaroi se nuk ka asgjë të keqe me qëndrimet e tij nacionaliste. Ai madje shtoi se këto qëndrime janë ripërsëritje.
Ai theksoi se nuk do ndalet në dhënien e shtetësisë për çdo shqiptar, madje theksoi se votimet nuk do bëhen pengesë për këtë gjë.
Berisha e krahasoi kryetarin e PS, Edi Rama, me grekët e Aleks Cipras, që flasin në parlament për këtë çështje.
Në këtë mënyrë Berisha i është kundërpërgjigjur ambasadorit amerikan, Arvizu, por edhe atij të BE, Sekui, që u shpreh se BE nuk toleron qëndrime të tilla.
“Nuk komentoj deklarata ambasadorësh, por ajo që thoni ju janë të pavërteta të mëdha. Deklaratat e mia kanë qenë e janë në tërësinë e tyre një ripërsëritje e qëndrimeve të mia. Absolutisht. Në vitin 1992 do gjesh qëndrimin e sotëm për shtetësinë në dekret. Aty thotë se shtetësia shqiptare do u njihet të gjithë qytetarëve me origjinë shqiptare kudo që ndodhen. Ky problem është parashikuar edhe në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë. Kush është hipokrit me Kushtetutën, është hipokrit me veten e tij”, tha Berisha.
Kryeministri më pas lexoi edhe një letër që i kishte ardhur nga një kosovare që studionte në Amerikë, e cila kërkonte marrjen e shtetësisë shqiptare.
“Hezitimet, ngurrimet nga disa grupe brenda vendit janë një atavizëm e dasive të ndryshme, të cilat ky komb i ka kapërcyer me vendosmëri e kohë. Për dekada e dekada të huajt janë përpjekur të përdorin dialektet e gjuhës sonë si mure ndarëse. Ata që vërshuan nga e gjithë bota, nga gjitha trojet etnike shqiptare për të festuar pavarësinë e Shqipërisë, dhanë mesazhin e qartë se kanë dalë mbi krahinorizmat,” tha Berisha”, tha Berisha, duke shtuar se “dhënia e shtetësisë nuk do të ndodhë përpara zgjedhjeve, por problemi i votës nuk do jetë një pengesë”.
Kryeministri Sali Berisha sulmoi edhe kreun e PS, Edi Rama në lidhje me këtë çështje, duke e krahasuar atë me deputetët e lëvizjes SYRIZA në Greqi.
“Përfaqësuesit e Cipras flisnin njësoj si Edi Rama në parlament”, tha Berisha.
Më pas kryeministri rezervoi një tjetër sulm ndaj një diplomateje. Kësaj here ndaj diplomates së Gjermanisë në Tiranë, që pati deklaruar se statusi nuk do merrej edhe nëse miratoheshin tre ligjet.
Berisha tha se Këshilli i Ministrave të BE, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian kanë thënë të njëjtën gjë, që duhen miratuar tre ligjet për të marrë statusin. Berisha tha se ai njeh fjalën e institucioneve, duke kërcënuar se edhe nja dy ambasadorë të huaj thanë se nuk do e marrim ftesën për në NATO. “Por ku përfunduan ata”, tha Berisha.
“Ditën që do merrej ftesa për në NATO, ishin dy ambasadorë që u kishin thënë socialistëve që nuk do e marrin. Për të mos shkuar pastaj më tutje”, tha Berisha.
Madje kryeministri deklaroi se edhe mediat nuk thonë të vërtetën në lidhje me statusin. “Është në etikën profesionale të mediave që të thonë të vërtetën”, tha Berisha.

Kthehu mbrapa

Shto koment