Berisha: Me turqit kemi lidhje gjaku

06.04.2012 (komentet: 0)

“Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mynxyra dhe pushtime shekullore, ne lindëm shqiptare dhe vdiqëm shqiptarë, falë moralit të grave dhe nënave shqiptare. Ndaj dhe sot në këtë 100 vjetor, nderimi më i madh ju përket, grave dhe nënave shqiptare”. Kështu deklaron kryeministri Sali Berisha sa herë më 8 mars, në Ditën e Gruas.



Por ndërsa ka qenë në konferencë për shtyp me kryeministrin turk, ka deklaruar se kemi lidhje gjaku me turqit. Natyrisht diçka e tillë është normale për kryeministrin, i cili edhe kur shkoi në Azerbajxhan, na bëri me origjinë azere. Kësaj here Berisha tha se kemi lidhje gjaku me turqit. “Edhe njëherë, zoti kryeministër dua tu falënderoj shumë përzemërsisht për pritjen vëllazërore. E them vëllazërore sepse e theksuat ju që kemi lidhje gjaku. Çfarë më ndodh mua, të dashur miq? Çdo delegacioni turk që unë takoj, pasi merr fund pjesa zyrtare unë ju shtroj një pyetje. Cili nga ju ka gjak shqiptar në deje? Nuk kam gjetur deri më sot asnjë. Juve zoti kryeministër nuk ja u kam shtruar ndonjëherë këtë pyetje se jam i sigurtë që nuk bëni përjashtim,” tha Berisha.

Në të vërtetë në fjalën e zbardhur nga kryeministria nuk duket gjëkundi konstatimi i Erdogan se jemi vëllezër apo kemi lidhje gjaku. Por normalisht Erdogan ka rezervuar shumë lavdërime për Berishën.

“Së pari, dëshiroj të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, mikun e shtrenjtë zotin Sali Berisha. Shqipëria është aleat strategjik i Turqisë në Ballkan. Sigurisht që vizitat e ndërsjella kanë ndikuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Unë, kur kam vizituar Shqipërinë kam ndjerë emocione të veçanta. Zoti Sali Berisha e vizitoi vendin tonë në 2006 dhe gjatë kësaj vizite në të gjitha takimet që ne kemi bërë kemi marrë në shqyrtim tema, të cilat i përkasin bashkëpunimit mes dy vendeve tona,” tha Berisha.

Sërish i entuziazmuar, Berisha e ftoi Erdoganin të vinte të festonte 100 vjetorin e pavarësisë nga Turqia. Kryeministri turk nuk dha një përgjigje për këtë ftesë. Të paktën jo në konferencë për shtyp.

“Kam ardhur këtu me ftese te kryeministrit Erdogan, në një vizitë që përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ky është një rast i shkëlqyer për mua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100 vjeçare që i ka dhëne Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Unë shfrytëzova rastin të ftoj mikun tim kryeministrin Erdogan në një vizitë në Shqipëri në kuadrin e këtij 100 vjetori. Dua të shpreh shumë mirënjohje ndaj kryeministrit Erdogan, qeverisë së tij, popullit mik turk për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, pas daljes së saj nga një diktaturë infernale, përpjekje e kurorëzuar me sukses,” tha Berisha.

Ndërkohë Erdogan ka premtuar shtim të bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë dhe ka shprehur mbështetje për projektin e gazsjellësit Transadriatik.

“Ne i qëndrojmë fjalës tone. Këtu kemi përpjekjet e Azerbajxhanit në këtë drejtim. Ne kemi shansin që të japim këtu mbështetjen me potencialin tone. Çështja është pasi gazi të dalë nga Turqia, kemi çështjen e kalimit te tij në Shqipëri, pra të projektit të gazsjellësit. Këtu ju e dini qe ne i kemi dhënë Greqisë gaz natyror. Tani në rend të ditës është Italia. Ne duam që Italia me Shqipërinë të ndihmohen së bashku. Pra, ashtu siç do t’i jepet Italisë në të njëjtën mënyrë ti jepet edhe Shqipërisë. Kështu do zgjidhet problemi i gazit natyror. Ne nuk kemi ndonjë pikëpamje negative në këtë drejtim. Ne jemi te vendosur të mbështesim Shqipërinë ne projektin e gazsjellësit Transadriatik,” tha Erdogan./tema/

Kthehu mbrapa

Shto koment