Beogradi planifikon të ngrejë përmendore për Millosheviçin

18.08.2016 (komentet: 0)

Socialistët e prirë nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, duan të ndërtojnë një përmendore për ish-diktatorin serb Slobodan Millosheviç.

 

Aktgjykimi i Tribunalit të Hagës në rastin e Radovan Karagjiçit përmban 2590 faqe. Aty përshkruhet në detaje roli i këtij krimineli të luftës gjatë tragjedisë boshnjake. Në akgjykim bëhet fjalë edhe për Slobodan Millosheviçin, liderin serb gjatë viteve `90.

Sipas interpretimit të krerëve të Partisë Socialiste të Serbisë, Tribunali i Hagës në gjykimin kundër Karagjiçit ka ardhur në përfundim se Millosheviçi nuk është fajtor për krime të luftës në Bosnjë.

Ivica Daçiçi, dikur zëdhënës i Millosheviçit dhe mjeshtër i propagandës, deklaroi se, pasi Gjykata e Hagës e ka shpallur të pafajshëm Millosheviçin, Perëndimi duhet të pranojë se e ka sulmuar Serbinë në bazë të informacioneve të rreme. Daçiç aludoi se nuk ka pasur gjenocid në Bosnjë, ndonëse këtë e ka konfirmuar vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe parlamenti serb, tërthorazi, pa e përmendur fjalën gjenocid, e ka dënuar masakrën e Srebrenicës duke iu referuar pikërisht vendimit të GJND-së.

Milkutin Mërkonjiç, një funksionar tjetër i socialistëve, tha se «të gjtihë ne e dimë se Millosheviçi ka qenë i pafajshëm».

Procesi kundër Millosheviçit nuk ka përfunduar kurrë për shkak se i akuzuari ka vdekur në qeli nga një atak në zemër. Ky proces është një nga dështimet më të mëdha të juristes zvicerane Carla Del Ponte, e cila e kishte ngarkuar dosjen me të gjitha konfliktet në Ballkan se në vend se diktatori serb të dënohej së pari për krimet në Bosnjë e Kroaci, pastaj për masakrat në Kosovë – apo anasjelltas.

Daçiç dhe Mërkonjiç po angazhohen po ashtu për një përmendore për Millosheviçin në Beograd, përkunder faktit se ai, në fund të fundit, edhe vetë Serbisë i ka sjellë varfëri, instalim të mafies në strukturat shtetërore, plaçkitje të pasurisë publike. Në aktgjykimin kundër Karagjiçit thuhet se «nuk ka dëshmi të mjaftueshme» që Millosheviçi ka miratuar planin e serbëve të Bosnjës për të kryer krime kundër popullsisë civile boshnjake. Por, në aktgjykim theksohet poashtu se Beogradi «ka asistuar» me armë, forca policore dhe ndihmë logjistike në favor të serbëve të Bosnjës.

Aktivistja beogradase e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, ka protestuar kundër përpjekjes së Daçiçit dhe Mërkonjiçit për ta shpallur Millosheviçin të pafajshëm; një gjë e tillë, në fakt, nuk është e mundshme juridikisht, por kjo s’i pengon propagandistët serbë për të shtembëruar historinë. Në këtë mënyrë mohohen jo vetëm krimet në Bosnjë, por edhe në Kosovë dhe Kroaci. Për shkak të këtyre deklaratave së fundi janë acaruar raportet e Serbisë me Kroacinë, e cila si çdo vit në fillim të gushtit përkujton marrjen nën kontroll të territoreve të pushtuara nga serbët./Dialogplus

Kthehu mbrapa

Shto koment