BE vështirëson kushtet për Kosovën

28.05.2012 (komentet: 0)

Entuziazmi për perspektivën evropiane në Prishtinë po shkon çdo herë e më shumë drejt zbehjes, jo vetëm te qytetarët, por edhe te zyrtarët qeveritarë. Dialogu për liberalizim vizash me Kosovën, Brukseli e nisi si një premtim të mbajtur për definimin e kësaj perspektive, por sharra ka hasur në gozhdë, pasi Prishtinës jo vetëm që nuk po i definohet rruga, por kushtet vetëm sa i shtohen dhe fuqizohen, shkruan “Zëri”.

Pas disa shtyrjeve, më datën 30 maj ka shumë mundësi që të vendoset rreth listës së kushteve të cilat BE pret që Kosova t’i plotësojë për të pasur mundësi udhëtimi pa viza në vendet e zonës Shengen. Në Qeverinë e Kosovës nuk preferojnë të flasin publikisht për këtë temë, megjithëse jozyrtarisht e pranojnë që zhgënjimi është shumë i madh me diskutimet që po bëhen për këtë temë mes Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së. 

Njëherë disa shtete në krye të të cilave ishte Franca, kërkonte që jo vetëm kushtet për Kosovën të jenë shumë më të rënda, por udhërrëfyesi i Kosovës të ndahet në dy faza. “Zëri” ka mësuar nga burime qeveritare të Kosovës, se ndarja e udhërrëfyesit nuk është më opsion, por ai padyshim që do jetë shumë më i rëndë sesa kushtet e vëna për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 

“Më datën 30 maj është takimi i fundit në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Aty pritet të merret vendimi për udhërrëfyesin, përkatësisht për datën kur do dorëzohet ai. Përfundimisht do jetë njëfazor, por më shumë kushte se për vendet e rajonet”, thotë njëri nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, që po merret me këtë çështje.

Kthehu mbrapa

Shto koment