BE humb besimin, shtyhen vizat!

04.03.2013 (komentet: 0)

Dyshimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian ndaj institucioneve të Kosovës, për shkak të aferave korruptive dhe keqmenaxhimit, po ndikon që liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit dhe integrimi i tyre drejt Evropës, do të vonojë më shumë se që është paraparë, mendojnë analistët dhe opozita.

Një prej çështjeve me të cilat BE së fundi ka treguar se nuk ka më besim ndaj institucioneve të Kosovës, është rasti me riatdhesimin dhe riintegrimin e personave të kthyer në Kosovë. Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Brendshme, vitin 2011 ka shpenzuar vetëm 11 për qind të fondit të ndarë për këta persona, ndërsa vitin 2012 ka shpenzuar rreth 50 për qind, ndërkohë që kosovarët të cilët shtetet perëndimore po i kthejnë në Kosovë, për shkak statusit të tyre të parregullt në Evropë, vazhdojnë të jenë pa kulm mbi kokë, pa punë, pa shkollim dhe pa integrim.

Para disa ditësh, BE ka ndarë një shumë prej 1.5 milion euro për ndihmë të personave të riatdhesuar, por këto mjete do të menaxhohen nga vetë BE.
Gazeta ka raportuar se plani i BE-së, ka qenë që paratë e këtij projekti të shpenzohen nga vetë Qeveria, por fakti kjo e fundit nuk i ka shpenzuar as paratë e veta për riatdhesim, ka bërë që shtetet evropiane të humbin besimin.

Vjosa Osmani nga Lidhja demokratike e Kosovës (LDK) dhe anëtare në Komisionin për Integrime Evropiane, tha se jo vetëm çështja e fondeve për persona të kthyer, por janë edhe shumë dështime tjera të kësaj qeverie që kanë bërë që BE të humbë besimin ndaj institucioneve vendore.

“Kështu derisa kemi këtë qeverisje jo efektive, të korruptuar të dështuar me afera të ndryshme korruptuese do të pësojmë vonesa në rrugën drejt integrimeve dhe liberalizimit të vizave”, tha Osmani. Sipas saj, mjaftojnë të shikohet raporti i fundit i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, ku kritikon ashpër edhe procesin e personave të kthyer.

Kurse Alma Lama nga Vetëvendosje, po ashtu anëtare e Komisionit për integrime evropiane, tha se në rast se BE vërtet nuk i ka dhënë këto para në menaxhim të institucioneve të Kosovës, vetëm për shkak të mosbesimit, atëherë kjo është shumë e dëmshme. “Në rast se nuk besohet qoftë edhe një fond për personat e kthyer, atëherë si do të mund të besohet i gjithë procesi i liberalizimit të vizave, proces i cili kërkon një sërë kriteresh dhe garancish”, tha Lama.

Një tjetër pasojë nga ky vendim i BE-së është edhe fakti që ky fond prej 1.5 milion euro nuk do të mund të shkojë në tërësi tek ata për të cilët është dedikuar. “BE do të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë, kështu një shumë e madhe do të kthehet përsëri në BE dhe pak do të mbesin për personat e kthyer”, tha Lama.

Të njëjtit mendim janë edhe analistët. Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtat dhe Lirive të Njeriut, tha se nga ky vendim janë dy të këqija. “E para ka të bëjë me atë se me këtë tregon se BE nuk ka besim tek institucionet e Kosovës dhe kjo e dëmton vendin në rrugën drejt integrimeve. Por çështja tjetër është se edhe pse këto para janë ndarë për personat e riatdhesuar, BE duke paguar ekspertë të huaj shumicën e tyre do t’i kthejë përsëri në Evropë, dhe pak do të mbesin për njerëzit në nevojë”, tha Shala.

Prandaj sipas tij, ajo që ka mundur të bëjë BE në këtë rast është që të vendosë dikë që do të mbikëqyrë realizimin e projektit, pasi që nuk ka besim te vendorët.

Nga ana tjetër, ai fajësojë BE-në edhe për kthimin në numër kaq të madh të kosovarëve nga shtetet perëndimore, duke pasur parasysh që vetë Kosova ka një papunësi deri në 50 për qind.

Ndërsa Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i lëvizjes “Fol”, tha se duke parë dështimet e institucioneve të Kosovës, aferat korruptive, BE ka hezituar që paratë e tyre të menaxhohen nga vetë këto institucione. Por, edhe Zogaj nuk e sheh të arsyeshme që paratë që BE i jep për riatdhesimin dhe riintegrimin e personave të kthyer t’i menaxhojë vetë.

Madje ai përmend edhe misionin e EULEX-it, që është mision i BE-së, i thirrur për sundim të ligjit, i cili nuk ka treguar se përfaqëson vlerat evropiane dhe qeverisjen e mirë demokratike. “Kështu BE ka mundur të gjejë një formë që t’i përcjellë ato para nëse po shkojnë në vendin e duhur, e jo të i shpenzojë duke paguar ekspertë ndërkombëtarë”, tha Zogaj.

Ndryshe, Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se ky fond do të përdoret për një projekt me anë të së cilit do të ndihmohet krijimi i sistemit të administrimit dhe menaxhimit të migrimit dhe sigurimin e masave socio-ekonomike për individët dhe familjet e kthyera, e ai do të menaxhohet nga vet zyra e BE-së.

Kthehu mbrapa

Shto koment