BAN KI-MOON I ALARMUAR ME SHPËRTHIMIN E DHUNËS

11.05.2015 (komentet: 0)

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka shprehur,sic thuhet, alarmin lidhur me shpërthimin e dhunës së fundit në Kumanovë dhe u ka dërguar ngushëllimet familjeve të të vrarëve.

"Ai mbështet fuqishëm thirrjet nga ana e Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare duke u bërë thirrje autoriteteve shtetërore dhe të gjithë udhëheqësve politikë dhe të komunitetit që të bashkëpunojnë për të rivendosur qetësinë dhe për të hetuar plotësisht ngjarjet në mënyrë objektive dhe transparente," thuhet në deklaratën që e lëshoi sot në New York zëdhënësi i Sekretarit Ban.

"Në këtë kohë të ndjeshme, Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje të gjithë aktorëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo retorikë apo veprime që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet," thuhet në këtë deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu u ka bërë thirrje autoriteteve të Maqedonisë që të adresojnë shqetësimet e shprehura në mars nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, në mënyrë që të riafirmohet përkushtimi i për të drejtat themelore të njeriut dhe sundimin e ligjit. Në raport kjo zyrë pati shfaqur shqetësimin e thellë rreth bllokadës së tejzgjatur politike pas publikimit të përgjimeve në Maqedoni dhe implikimet që kishte ajo për të drejtat e njeriut.

Kthehu mbrapa

Shto koment