Azilkërkuesit shqiptarë kthehen në prioritet të politikës gjermane

13.02.2015 (komentet: 0)

Ministrat e Brendshëm të landeve gjermane do të diskutojnë të premten për azilkërkuesit nga Kosova dhe Shqipëria. Kërkohet ndryshimi i ligjit për vendet e sigurta, por kanë nisur që tani masat e para.

 

Shtimi i shpejtë i azilkërkuesve nga Kosova dhe Shqipëria është kthyer në preokupim për politikën gjermane. Një numër i madh përfaqësuesish në qeverinë gjermane e sidomos në lande kanë kërkuar këtë javë marrjen e masave të shpejta. Diskutimet për përfshirjen e Kosovës dhe Shqipërisë në “vendet e sigurta” të origjinës vazhdojnë, por ndërkohë organet gjermane po marrin masa praktike kundër shpërdorimit të kërkesës për azil nga shtetas të këtyre vendeve.

Ministrat e brendshëm gjermanë për Kosovën e Shqipërinë

Në një konferencë telefonike të premten, Ministrat e Brendshëm të landeve gjermane do të diskutojnë për shtimin e numrit të migrantëve nga Kosova dhe Shqipëria. Propozimin për konferencën e bëri të martën Ministri i Brendshëm i Landit të Saksonisë së Poshtme, Pistorius. Agjencia gjermane e lajmeve, dpa citon me këtë rast edhe një zëdhënës të ministrisë së Brendshme të landit të Baden-Vyrttembergut. Ministria në Shtutgart drejtohet nga socialdemokratët. Baden-Vyrttembergu do të paraqesë me këtë rast një dokument, në të cilin do të diskutohet edhe çështja e zgjerimit të rrethit të "shteteve të sigurta". Rregulli që do të propozohet pritet të përmbajë përshpejtimin e refuzimit në procedurën e azilimit, të pasuar nga kthimi pas në vendet nga kanë ardhur personat. Deri tani, statusin e vendeve të sigurta, në të drejtën e azilit e kanë Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia.

Edhe Ministria Federale e Brendshme theksoi të mërkurën (11.02.2015) nevojën për veprim të përshpejtuar në çështjen e azilkërkuesve nga Kosova. "Ne po e përshpejtojmë në mënyrë masive përpunimin e kërkesave për azil nga Kosova", tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. "Migrimi masiv" nga Kosova i ka çuar në kufijtë e tyre mundësitë për strehimin në Gjermani dhe mund të ketë veç kësaj "pasoja shkatërrimtare" për stabilitetin e Kosovës vetë.

Por Ministria Federale e Brendshme nuk planifikon të ndërmarrë vetë ndonjë iniciativë për zgjerimin e listës së "vendeve të sigurta" edhe me Kosovën dhe Shqipërinë. Një ndryshim i ligjit kërkon shumë kohë, tha zëdhënësi i Ministrisë Federale të Brendshme. Kërkesa e momentit është "marrja e masave të menjëhershme dhe gjetja e përgjigjeve të shpejta".

Problemi qëndron në dhënien e miratimit për ndryshimin e ligjit nga landet gjermane që qeverisen nga socialdemokratët. SPD e ka lënë të hapur nëse do ta mbështesë një zgjerim të listës me vende të reja të sigurta. Por ministri i Brendshëm i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW), Ralf Jäger (SPD) tha se njerëzit që vijnë kanë nevojë shpejt për siguri "nëse mund të qëndrojnë këtu apo jo". Ai tha se njerëzit nga Kosova janë viktima të premtimeve të gënjeshtërta nga banda kriminele të trafikantëve të njerëzve.

Trajtim në praktikë i Kosovës e Shqipërisë si “vende të sigurta”

Në këtë situatë, organet gjermane kanë nisur t'i trajtojnë që tani praktikisht Kosovën dhe Shqipërinë sikur të bënin pjesë në listën e "shteteve të sigurta".

Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Nyrnberg deklaroi të mërkurën (11.02.2015) se për kërkesat për azil të kosovarëve ndërkohë vendoset brenda dy javësh. Një zëdhënës bëri të ditur se lutjet e kosovarëve përpunohen njësoj shpejt si lutjet nga vendet e reja të sigurta, Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kuota e pranimit të lutjeve nga Kosova është vetëm 0,3 për qind, u bë e ditur. Pra pjesa dërrmuese e njerëzve duhet të llogarisin kthimin në atdhe.

Bavaria: jo para refugjatëve nga ish-Jugosllavia dhe Shqipëria

Kurse landi i Bavarisë që përballet me dyndjen më të madhe të refugjatëve ka planifikuar të shkojë një hap më tej. Bavaria nuk do t'u japë më para në dorë azilkërkuesve nga ish-Jugosllavia dhe nga Shqipëria. "Për këto vende ne në Bavari do të kalojmë shumë shpejt në parimin e shërbimeve në natyrë", tha të mërkurën në Munih Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joahim Herrmann (CSU). "Nuk duam të ofrojmë nxitje (për të ardhur)", tha Herrmann. Sipas tij, rregulli i ri do të vlejë për Serbinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Shqipërinë. Bavaria ngul këmbë që veç tri vendeve të para, në vendet e sigurta të përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova. Bavaria ka bërë të ditur se një kërkesë të tillë do ta shtrojë në Dhomën e Landeve, në Bundesrat.

Edhe zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Thomas Strobl tha se është e nevojshme që edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova të shpallen shtete të sigurta të origjinës. Agjencisë së lajmeve Reuters ai i tha se "sistemi i azilimit do të bëhej kështu më i drejtë". Për këtë duhet të japë mbështetje edhe Dhoma e Landeve.

Në situatën e krijuar, Ministrja për Evropën në Bavari, Beate Merk (CSU) do të qendrojë të enjten (12.02.2015) për bisedime politike në Prishtinë. Synimi i vizitës është frenimi i valës së largimeve nga Kosova.

Zëdhënësi i Ministrisë Federale të Brendshme në Berlin tha se Ministria po e vëzhgon me shqetësim dhe me kujdes zhvillimin aktual. Ai tërhoqi vëmendjen se gati 99 përqind e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen në Gjermani. Azilkërkuesit nga Kosova duhet ta dinë, se për "shumicën e tyre, një qendrim i përhershëm në Gjermani nuk është i garantuar."

Shtim i azilkërkuesve kosovarë në gjithë Gjermaninë

Kosova ka avancuar ndërkohë në vendin e dytë të origjinës së azilkërkuesve në Gjermani, pas Sirisë. Në janar, kërkesë për azil në Gjermani shtruan për herë të parë rreth 3030 njerëz nga Kosova. Ky është dyfishi i numrit të azilkërkuesve kosovarë në dhjetor. Në vitin 2014 u paraqitën gjithsej 6900 kërkesa të tilla.

Sipas një sondazhi të agjencisë gjermane të lajmeve dpa, numri i azilkërkuesve nga Kosova është rritur me vrull gati në të gjitha landet gjermane. Në Baden-Vyrrtemberg në shkurt, një në dy refugjatë erdhi nga Kosova. Në Bavari, në janar 3000 kosovarët përfaqësonin shumicën e azilkërkuesve. Gati shtatë herë më shumë refugjatë nga Kosova se një muaj më parë erdhë në janar në landin e Rheinland-Pfalz-it.

Vitin e kaluar, në Gjermani u paraqitën gjithsej 203.000 lutje për azil. Organizata Pro Asyl kërkoi që shqyrtimi individual i rasteve duhet të mbetet në qendër të procedurës së azilimit në Gjermani. Partia opozitare Të Gjelbrit paralajmëroi që azilkërkuesit kosovarë të mos kthehen në bllok. "Përballë varfërisë dhe vuajtjeve kjo do të ishte në kufirin e refuzimit të pranimit të realitetit", tha shefja e të Gjelbërve, Simone Peters./DW

Kthehu mbrapa

Shto koment