Avokati i Popullit: Dhunë ndaj të arrestuarve për vrasjen e 5-fishtë

18.05.2012 (komentet: 0)

Avokati i Popullit në Maqedoni deklaron se është ushtruar dhunë ndaj të arrestuarve në operacionin "Monstër". Nisur nga aneksat e familjarëve të të burgosurve avokati i popullit, Ixhet Mehmeti, ka kryer një inspektim në burgun e Manastirit.

“Tek dy persona është konstatuar dhunë që kanë pasuar me lëndime trupore në burgun e Manastirit”, ka deklaruar Mehmeti, duke shtuar se me këtë rast pritet të ngritet padi penale për keqtrajtim dhe ushtrim dhune gjatë detyrës nga ana e zyrtarëve të policisë së burgut.
Amnesty International pritet të informohet lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarëve të operacionit “Monstra” që gjendjen në burgun e Manastirit. Organizata për të drejtat e njeriut IGFM në Maqedoni ka paralajmëruar se do të informojë instancat ndërkombëtare dhe organizatat e ndryshme për ushtrim dhune ndaj të paraburgosurëve, të cilët janë të arrestuar si persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Ndërkaq ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti theksoi se është informuar mbi pohimet e Avokatit të Popullit dhe se do të shqyrtohet rasti. Sipas ministrit Bexheti, në rast se do të konfirmohet se është ushtruar dhunë ndaj të paraburgosurëve, atëherë do të ketë dënime të ashpra ndaj personave përgjegjës. 

Ndërkaq autoritetet e burgut kanë mohuar të jetë ushtruar dhunë ndaj të arrestuarve të operacionit 'Monstër'. Shqetësimet lidhur me këtë rast janë shprehur edhe nga faktorët ndërkombëtarë në Maqedoni, që kanë apeluar për një proces të drejtë hetimor dhe gjyqësor. Në burgun e Manastirit janë të vënë në paraburgim 30 ditor, tre të dyshuarit kryesor sipas ministrisë së brendshme për vrasjen e pesëfishtë. 

Kthehu mbrapa

Shto koment