Austriakët nuk lejojnë dëbimin e Leonesës

04.12.2012 (komentet: 0)

Më në fund një lajm i mirë për vajzën shqiptare nga Kosova me qëndrim në Austri. Leonesa 12 vjeçare bashkë me familjen, nuk do të dëbohen nga Austria, ku jetojnë prej pesë vitesh.

 

 

Një vendim paraprak i gjykatës së azilit, për dëbimin e familjes së saj në Kosovë kishte mobilizuar gjithë shkollën ku ndjek mësimet Leonesa, në Vjenë. Rreth 500 nënshkrime, ose afërsisht aq sa është numri i nxënësve dhe mësuesve të shkollës, kryesuar nga drejtori, ishin grumbulluar për të mos lejuar deportimin e nxënëses së shkëlqyer.

Mediet austriake, përfshirë edhe televizionin publik ORF, kishin ndihmuar në këtë fushatë, duke bërë portretime të Leonesës dhe duke theksuar idenë se ajo dhe familja e saj janë të integruar mirë aty ku jetojnë.

Vetë Leonesa, sipas mësuesve dhe drejtorit, është nxënësja më e mirë pikërisht në gjuhën gjermane, të cilën nuk e ka njohur fare para se të vinte në Austri.

Megjithatë, në vendimin e gjyqit të azilit, familja kritikohej për mungesë përpjekjesh për integrim. Në fakt, prindërit e Leonesës nuk punojnë dhe familja jeton nga ndihmat sociale. Por, ata duan të punojnë dhe vazhdimisht kanë kërkuar punë, thotë vajza 12 vjeçare për mediet austriake. Mirëpo, atyre nuk u lejohet të gjejnë punë për shkak të statusit..., transmeton Albinfo.ch.

Të premten, Ministria e Brendshme ka dërguar sinjale pozitive. Ajo i ka kujtuar familjes se ka mundësi të bëjë kërkesën për qëndrim humanitar. Këtë kërkesë, familja kosovare nuk e ka bërë ende. Së këndejmi, për dëbimin e tyre në Kosovë as që bëhet fjalë.

E intervistuar para këtij vendimi nga mediet austriake, Leonesa thoshte se po jetonte me frikën se çdo natë mund ta merrte policia për të huaj dhe ta deportonte.

Me përgjigjen e ardhur nga Ministria, Leonesa nuk ka më përse të brengoset

Kthehu mbrapa

Shto koment