As Belgjika s’pranon azilantë nga Kosova

17.12.2014 (komentet: 0)

 

As Belgjika s’pranon azilantë nga Kosova

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku ka treguar se as Belgjika nuk pranon azilkërkues kosovarë pasi Kosovën e konsiderojnë shtet të sigurt.

 

Ministri Çollaku takoi Sekretarin e Shtetit për Azil, Migracion dhe thjeshtëzimin e çështjeve Administrative të Belgjikës, Theo Francken.

Ata biseduan për procesin integrues Evropian me fokus në liberalizimin e vizave dhe çështje të ndërlidhura me këtë proces. Në takim u diskutua veçanërisht rreth problematikës së azilkërkuesve dhe migrimit të paligjshëm.

Me këtë rast, Ministri Çollaku ka treguar se Belgjika nuk pranon azilantë nga Kosova.

"Biseduam me Francken për vazhdimin e shkëlqyeshëm të bashkëpunimit ne mes shtetit Belg dhe Kosovës. E falënderova për mbështetjen e Belgjikës në të gjitha fushat me prioritet integrimin Evropian. Sa i përket çështjes së migrimit ilegal, është me rëndësi të theksohet se për Belgjikën, Kosova është në listën e vendeve të sigurta, gjë që nënkupton se nuk ofron strehim për azilkërkues. Një gjë është e sigurt se streha më e mirë dhe më e sigurt për Kosovarët është Republika e Kosovës."

Në anën tjetër, Theo Francken, ka thënë se janë të rreme premtimet se kosovarët mund të marrin azil në Beligjikë.

"Kemi bashkëpunim të shkëlqyer ndërmjet Belgjikës dhe Kosovës për kthimin dhe ripranimin e qëndruesve të parregullt nga Kosova. Megjithatë, ne duhet ti kushtojmë vëmendje faktorëve nxitës për njerëzit që dalin nga Kosova. Ne shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë me autoritetet e Kosovës për të bërë të vetëdijesuar publikun për rreziqet e pretendimeve të rreme të azilit. Kosova është në listën belge të vendeve të sigurta, që do të thotë se shanset janë shumë të ulëta se kërkesat për azil do të miratohen".

Kthehu mbrapa

Shto koment