Arnauti: Në Siri, shqiptarët po luftojnë në krah me terroristët

15.08.2013 (komentet: 0)

“Kemi shqiptarë të armatosur që luftojnë për motive fundamentaliste, për të krijuar një shtet islamik në Siri. Ata po stërviten dhe po luftojnë atje. Një ditë do të kthehen në Kosovë me po të njëjtat ide dhe kjo është shumë e rrezikshme”, thekson Arnauti.

 

Prishtinë, 15 gusht 2013 – Historiani sirian me prejardhje nga Kosova, Muhamed Mufaku – Arnauti, shprehu shqetësimin lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën civile në Siri.

Në një intervistë për televizionin Klan Kosova, Arnauti tha se shqiptarët po luftojnë në krah me fundamentalistët islamikë dhe me grupet terroriste siriane. Ai shprehu dronë se një ditë ata do të luftojnë për të njëjtat ide edhe në Kosovë.

“Kemi shqiptarë të armatosur që luftojnë për motive fundamentaliste, për të krijuar një shtet islamik në Siri. Ata po stërviten dhe po luftojnë atje. Një ditë do të kthehen në Kosovë me po të njëjtat ide dhe kjo është shumë e rrezikshme”, theksoi ai.

Historiani Arnauti, i cili ka punuar edhe në Universitetin e Prishtinës, theksoi se shqiptarët nuk kanë çfarë kërkojnë në luftën e Sirisë.

“Fushëbeteja e shqiptarëve nuk është në Siri, por është këtu, për t’u inkuadruar në jetën e Kosovës, për të krijuar vende pune dhe ambient të mirë”, theksoi ai.

Arnauti tha se institucionet e shtetit, shoqëria civile dhe mediat nuk duhet të rrinë indiferentë ndaj këtij fenomeni.

“Më së pari media, Bashkësia Islame dhe Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të mblidhen dhe ta diskutojnë një gjë të tillë dhe të ndërmarrin diçka. Unë nuk e kam dëgjuar askënd përveç deputetit Amir Ahmeti ta ketë përmendur këtë zhvillim”, përfundoi Arnauti.

Ai theksoi se në Siri nuk dihet kush me kë po lufton.

“Kush me kë po lufton, nuk dihet. Kemi grupe josiriane që kanë ardhur. Kanë ardhur grupe nga Tunizia e Libia, nga Ballkani dhe nga vendet tjera. Me fjalë të tjera, Siria është shndërruar në një Afganistan. Po e përmend rastin e vrasjes së një hoxhe nga Shkupi, në betejë me kurdët. Si është e mundur që personi  që ka luftuar për pavarësinë e Kosovës të luftojë kundër kurdëve që kërkojnë të drejtat e tyre, të cilat pa dyshim se i meritojnë”, theksoi Arnauti.

Muhamed Mufaku – Arnauti është ligjëruesi në Universitetin e Amanit në Jordani. (R.M.)

/Illyria/

Kthehu mbrapa

Shto koment