ARMËT E SKËNDERBEUT PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI, BËHEN PËRGATITJET

24.07.2012 (komentet: 0)

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen nga Austria në Shqipëri, për t’u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, raporton BW.

Shefja e Muzeologjisë dhe Historisë në Muzeun Historik Kombëtar, Sotirulla Hoxha deklaroi se tre specialistë nga Muzeut Historik të Artit në Vjenë, kanë vizituar paraditen e sotme pavionet e MHK-së dhe kanë rënë dakort në parim për të sjellë në Shqipëri armët e Skënderbeut.

Iniciativa për të sjellë për herë të parë në vend armët e Heroit tonë Kombëtar u bë nga Ministri i Jashtëm austriak, Mikael Spindeleger gjatë një takimi që zhvilloi me kryeministrin Sali Berisha në samitin e përvitshëm të Dubrovnikut që u mbajt në Kroaci, në fillim të këtij muaji u shpreh se do të sillen në Shqipëri armët autentike të Skënderbeut që ndodhen në muzeun e Vjenës.

Kërkesa për të sjellë në Shqipëri armët e Skënderbeut janë bërë disa herë që në kohën e Zogut, së fundi edhe në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Për shkak të kushteve dhe të mungesës së sigurisë përgjigjet kanë qenë gjithmonë negative. 100-vjetori i Pavarësisë do të mundësojë që përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut të ekspozohen për herë të parë në Shqipëri për një publik të gjerë.

Kthehu mbrapa

Shto koment