Analfabetizëm alarmant në botë

30.01.2014 (komentet: 0)

Një në katër të rinj në vendet në zhvillim janë të paaftë për të lexuar, ka thënë Organizata e Kombeve të Bashkuara. Edhe analfabetizmi i të rriturve ka mbetur vendosmërisht i lartë

 

Një në katër të rinj në vendet në zhvillim janë të paaftë për të lexuar një fjali, sipas një raporti të ri, i cili paralajmëron se arsimimi i dobët e ka lënë një “trashëgimi të analfabetizmit” më të përhapur sesa që besohej më parë. Hulumtimi i publikuar të mërkurën nga Unesco, organi arsimor, shkencor dhe kulturor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sugjeron se 175 milionë të rinjve u mungojnë madje edhe aftësitë bazike të shkrim-leximit, ka raportuar The Guardian.

“Qasja në arsim nuk është kriza e vetme – cilësia e dobët po e stagnon të mësuarit edhe për ata të cilët shkojnë në shkollë”, ka thënë drejtoresha e përgjithshme e Unesco-s, Irina Bokova, në një parathënie të raportit “Arsimim për të gjithë”, i cili e mat progresin drejt objektivave globale.

Nja 250 milionë fëmijë nuk po mësojnë shkrim dhe lexim bazik, sipas raportit, ndonëse gjysma e tyre kanë kaluar së paku katër vjet në shkollë. Kjo “krizë globale e arsimimit” i kushton vendeve në zhvillim me humbjen e fondeve për arsim prej miliarda dollarë në vit, paralajmëron raporti. 

Analfabetizmi i të rriturve ka mbetur vendosmërisht i lartë gjatë dekadës së fundit, ka shtuar raporti i Unesco-s. Më 2011, në botë kanë qenë 774 milionë të rritur analfabetë, duke rënë për vetëm 1 për qind që nga viti 2000. Kjo shifër pritet të bie paksa, në 743 milionë, para vitit 2015.

Gati tri të katërtat e të rriturve analfabetë të botës vijnë nga vetëm dhjetë vende – India, Kina, Pakistani, Bangladeshi, Nigeria, Etiopia, Egjipti, Brazili, Indonezia dhe Kongos, sipas raportit.

Në shkallë globale, pothuajse dy të tretat e të rriturve analfabetë janë femra, një shifër që ka mbetur pothuajse statike që nga viti 1990. Nëse trendët aktualë vazhdojnë, femrat e reja të varfra në vendet në zhvillim nuk pritet të fitojnë aftësi universale shkrim-leximi deri në vitin 2072.

Pauline Rose, udhëheqëse e raportit të Unesco-s për gjendjen e arsimit në botë, ka thënë se shkrim-leximi dhe arsimimi i të rriturve kanë pësuar nga neglizhenca relative, teksa vëmendja është përqendruar mbi rritjen e numrit të fëmijëve në shkollat fillore në vendet e varfra. Masat e progresit në nivelin kombëtar dhe global shpesh fshehin pabarazitë e thella, ka shtuar ajo.

Për shembull, nëse trendët aktualë vazhdojnë, djemtë e pasur në Afrikën nën-saharane do të arrijnë shkollim universal fillor më 2021, përderisa vajzat e varfra do të duhet të presin deri më 2086.

Sistemet e arsimit në vendet e pasura gjithashtu po i lënë pas minoritetet, thuhet në raportin e Unescos. Në Zelandën e Re, për shembull, të gjithë nxënësit e pasur arrijnë standarde maksimale në klasat e katërta dhe të teta, përderisa këtë e arrijnë vetëm dy të tretat e nxënësve të varfër.

Gjatë Forumit Botëror të Arsimit të mbajtur në vitin 2000 në Dakar të Senegalit, pjesëmarrësit ishin pajtuar për gjashtë objektiva globale për plotësimin e nevojave mësimore të të gjithë fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve deri në vitin 2015. Sipas raportit të Unesco-s, të publikuar të mërkurën, asnjë vend në botë nuk parashihet se do t’i arrijë që të gjithë objektivat sipas afatit.

Kthehu mbrapa

Shto koment