“Agimi i Artë”: Nuk ikim nga Himara deri sa ta çlirojmë

12.08.2013 (komentet: 0)

“Agimi i Artë” nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën, deri në momentin e çlirimit. Rroftë Kombi!”-tha Kristofors Tsankas. Lajmin e publikoi televizioni kombëtar “Top Channel” në Tiranë

 

Denion Ndrenika

Veprimtarë të partisë neonaziste “Agimi i Artë” në Kuvendin e Greqisë thonë se nuk largohen nga Himara deri sa ta “çlirojnë”, sikurse theksojnë. Deklaratat u bënë në ceremoninë e përvjetorit të tretë të vdekjes së një shtetasi shqiptar me kombësi greke, Aristotel Guma, të dielën në 11 gusht 2013. Në varrezat e Himarës, veprimtarët e “Agimit të Artë” dukeshin qartë pasi mbanin bluza të zeza dhe mbishkrimin e partisë së tyre. Ata lexuan një deklaratë pranë varrit të të ndjeriit Guma. Kristoforos Tsankas tha se “Agimi i Artë nuk do të ikë nga Himara deri në çlirimin e saj”. Duke përmendur një thënie të poetit grek Dhionisis Solomos (“Mos vallë kam gjë tjetër në mendjen time veç lirisë dhe gjuhës”?), Tsankas tha se “pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero”.
Lajmin e publikoi televizioni kombëtar “Top Channel” në Tiranë. Trupa e këtij televizioni, gazetari dhe kameramani u dhunuan nga njerëzit e “Agimit të Artë”, ndërsa policia nuk bëri asnjë reagim, madje largoi këta dhe jo veprimtarët neonazistë.


Vendi i aksidentit Aristotel Guma

Televizioni raportoi fjalën e Tsankasit, në emër të kryetarit të “Agimit të Artë”, Nikos Mihaliakos: “Po them dy fjalë në emër të komandantit tonë, Nikos Mihaliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për çcështjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë “non grata” për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne. Poeti ynë kombëtar, Dhionisis Solomos ka shkruar: “Mos vallë kam gjë tjetër në mendjen time veç lirisë dhe gjuhës”? Pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtete ai u tregua grek dhe vrasësit e tij tiranë. Eshtë fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Si njerëz na vjen keq për vdekjen e tij. Si grekë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madhështinë e burrit. Kriminelët që i hoqën jetën, nuk mund t’i përdhosin emrin, i cili do të mbetet i përjetshëm. Ai humbi jetën për të fituar përjetësinë.

Zonja dhe zotërinj!
“Agimi i Artë” nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën, deri në momentin e çlirimit. Rroftë Kombi!”-tha Tsankas.
Ceremonitë për nderin e të ndjerit Guma, sipas kërkesave të “Agimit të Artë” nuk u pranuan të zhvilloheshin nga prifti që mbajti meshën në Kishën e Shën Spiridhonit, andaj ai u largua.
I ndjeri Aristotel Guma humbi jetën në një aksidente të cilësuar si vrasje me paramendim për shkak të kombësisë nga mbështetës dhe veprimtarë grekë tri vjet më parë, pasi i godit nga një makinë me të rinj vlonjatë, me të cilët ishte përfshirë në debate në qendër të qytetit.

/illyria/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment