A ekziston pakica turke në Sanxhak!?

31.07.2015 (komentet: 0)

 

 

Shoqata e turqve në Serbi, dorë e zgjatur e qeverisë serbe, u bën thirrje   boshnjakëve në Sanxhak për të mbledhur nënshkrime për formimin e pakicës turke.

 

Ismet Azizi

Boshnjakët, të cilët pranojnë  të jenë  pjesë e këtij projekti,  janë të detyruar të heqin dorë nga identiteti  i tyre boshnjak dhe të deklarohen si pjesëtarë të pakicës turke.

Krerët e shoqatës arsyetohen  se në këtë mënyrë bëhet përafrimi me popullin boshnjakë të Turqisë, duke premtuar  se pas këtij projekti dhe përmes shoqatës do të fillojnë investimet nga Turqia në Sanxhak.

Prapa  kësaj shoqate qëndron qeveria lokale  në Novi Pazar të cilën e udhëheqë  SDP e Rasim Lajiqit.  Siq raportojnë mediat lokale në Sanxhak,  kryetari i shoqatës, Alo Nemac, është  bashkëpunëtor i ngushtë i Rasim Ljajiqit.

Po ashtu, në këtë qytet  shpejt është përhapur  lajmi se bëhet fjalë për një aktivitet të dyshimtë. Disa media kanë raportuar se qëllimi kryesor i mbledhjes së nënshkrimeve për  formimin e Këshilli Kombëtar të Turqve,  është përfitimi ekonomik i udhëheqësve të shoqatës.

Historiani dhe nënkryetari  i Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNV) Rexhep Shkrijel nuk dëshiron të  komentojë nëse kjo shoqatë ka  qëllime të fshehura, por thotë se  sigurisht se ka disa arsye  që  njerëzit nga ky rajon mund të deklarohen si turq.

Diku rreth 40 vjet më parë, 10 për qind e popullsisë së Novi Pazarit  kanë folur rrjedhshëm  gjuhën turke kurse para kësaj kohe, sipas Shkrijelit, ka patur edhe më shumë. Ka shumë  të ardhur në këto treva nga Turqia siç dëshmojnë  mbiemrat e tyre, thotë ai. Mjaft  njerëz nga këto vise kanë qëndruar në Turqi, kanë shërbyer  në ushtrinë turke, kanë punuar atje, dhe janë kthyer në Sanxhak. Gjuha me kalimin e viteve harrohet, por identiteti mbetet, ka deklaruar Shkrijel, duke shtuar  se edhe gruaja e tij është turke dhe se fëmijët e tij deklarohen si turq.

Ndërsa kohë më parë, kur u ngrit pluhur i madh në lidhje me personalitetin e Aqif  Blytës, profesor i nderuar  kishte dhënë një deklaratë, e cila  kishte tërbuar shumë kënd në Sanxhak dhe Serbi, duke thënë: Boshnjakët e Sanxhakut  janë krenar për prejardhjen e tyre shqiptare.  “Popullata e Sanxhakut kurrë nuk e ka  mohuar përkatësinë kombëtare të prijësit më të shquar  të tyre  Aqif  Blytës, i cili veproi  për këtë popull që nga formimi i Xhemijetit e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ka arrdhur  momenti  që t’ia bëjmë me dije shtetit serb se shumica e popullsisë së Sanxhakut janë me prejardhje shqiptare dhe këtë të vërtetë ata nuk e mohojnë.”

Në anën tjetër, kryetari i KKB dhe lider i SDA së Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, këtë iniciativë të Shoqatës të Turqve e sheh si truk të nacionalistëve serbë dhe të forcave serbomëdha. Uglanin ka deklaruar se “dëshira e tyre është që t’i përqajë boshnjakët, ta zvogëlojnë forcën e tyre dhe  ti parandalojnë ata që të ushtrojnë të drejtat e tyre”.

Thirrjes së qytetarëve që të deklarohen si turq e kanë dënuar edhe  mediat elektronike të afërta me  Myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorliqin. Në shkrimet e tyre thuhet se boshnjakët në këtë mënyrë do të humbasin identitetin e tyre kombëtar dhe një gjë e tillë do të qoj në ndarjen e tyre të mëtejmë.

Kthehu mbrapa

Shto koment