NDRYSHE NË OKB

10.02.2013 (komentet: 0)

Ivica Dacic ka thënë se zgjidhja për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara nuk mund të gjendet me anë të marrëveshjeve parciale me Serbinë. Kryeministri serb ka lënë të kuptohet se vendi i tij mund të bisedojë rreth ulëses së Kosovës në këtë organizatë vetëm në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar në New - York se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi konsideron se çështja e statusit të Kosovës nuk është zgjidhur.

Dacic ka thënë se duhet kërkuar një zgjidhje të drejtë që do të jetë në interes të serbëve e shqiptarëve.

"Për ne është e palejueshme, e për këtë kemi edhe përkrahjen e Federatës (së Rusisë), që anëtarësimi në Kombet e Bashkuara të zgjidhet me marrëveshje parciale”, ka thënë Dacic pas një takimi me shefin e misionit rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin.

Kreu i Qeverisë serbe, Ivica Dacic, ka thënë se Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e vet kur bëhet fjalë për Kombet e Bashkuara.

Ai ka shtuar se Serbisë për zgjidhjen e problemit të Kosovës i nevojitet përkrahja e Rusisë, e Kinës dhe e vendeve të tjera të mëdha.

"E falënderojmë Rusinë për përkrahjen që na e jep. Federata e Rusisë parimisht dhe me konstruktivet përkrah Serbinë me qëllim të zgjidhjes së drejtë dhe të paqes afatgjate në rajon e në veçanti për ekzistencën e serbëve. Është dënuar çdo keqpërdorim i misioneve ndërkombëtare që shpie në përforcim të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Dacic.

Kryeministri i Serbisë ka takuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB –së, Ban Ki Moonin. Ai me këtë rast ka theksuar “rëndësinë e pranisë së KB-së në Kosovë” dhe ka thënë se “serbët më së shumti i besojnë UNMIK-ut”.

Dacic gjatë qëndrimit në SHBA është takuar edhe me Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, William Burnsin, i cili ka potencuar rëndësinë e dialogut Beograd – Prishtinë.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës është ngritur nga ambasadori gjerman në Serbi, Heinz Wilhem, i cili ka thënë se Beogradi nuk duhet të pengojë Kosovën të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara.

Kohë më parë mediat serbe kishin shkruar se Dacic dhe Wilhelm janë pajtuar se anëtarësimi i Kosovës në OKB mund të jetë temë vetëm në kornizat e “dialogut për zgjidhjen e përgjithshme të çështjes së Kosovës”.

Dacic kishte theksuar se Serbia nuk është e përgatitur që për Kosovën në OKB të bisedohet “sa për sy e faqe”.

“Nëse flitet për zgjidhjen e përgjithshme, kjo temë do të jetë në rendin e ditës”, kishte thënë Dacic

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në OKB do të thotë njohje e pavarësisë, e cila është e papranueshme për Serbinë.

"Është ekzagjeruar kjo, sikurse deklarata ime se mund të flasim për këtë në suaza të zgjidhjes së përgjithshme. Kosova tash për tash nuk mund ta fitojë vetëm këtë, e fatkeqësisht mundet gjithçka tjetër. Këtë nuk munden pa ne”, kishte thënë Dacic.

Ambasadori Wilhelm kishte thënë se deklarata e tij për këtë temë “është kuptuar gabimisht” dhe se “është e qartë se ai nuk ka thënë se hyrja e Kosovës në OKB është kusht për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE”.

Wilhelm ishte pajtuar me Dacicin se kjo çështje herët a vonë do të vendoset në rendin e ditës dhe theksoi se është plotësisht e qartë se kjo është e rëndësishme për Kosovën.

“Jam dakord me Kryeministrin se kjo do të jetë një temë në kuadrin e një zgjidhjeje të plotë për çështjen e Kosovës", kishte thënë ambasadori gjerman.GAZETA EXPRESS

Kthehu mbrapa

Shto koment