Evakuohen mësuesit nga Karadaku i Shkupit

28.01.2012 (komentet: 0)

Një helikopter i Armatës së Maqedonisë sot rreth mesdite ka evakuuar 12 mësuesit që ishin të ngujuar në dy fshatrat malore Brezë dhe Malinë të Karadakut të Shkupit, për shkak të motit të keq dhe bllokimit të tyre nga reshjet e borës.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) bëri të ditur se janë evakuuar mësuesit dhe se të gjithë ndjehen mirë.

Shërbimet e QMK sot në mëngjes u alarmuan pasi që mësuesit kanë kërkuar ndihmë për evakuimin e tyre.

 

08:04 - Mësuesit e shkollave fillore periferike të Brezës dhe Malinës të Karadakut të Shkupit janë bllokuar për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) kërkoi që Armata e Maqedonisë të angazhojë një helikopter për tërheqjen e mësuesve gjatë ditës së sotme. Mësuesit janë nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës dhe se pesë prej tyre janë të angazhuar në shkollën e fshatit Brezë dhe shtatë të tjerë në shkollën e fshatit Malinë.

Njëri prej mësuesve është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe nevojitet intervenimi mjekësor. Mësuesit nuk kanë arritur që t`i afrohen automjetit të tyre që gjendet në fshatin Goshincë.

Sipas QMK, trashësia e borës në Brezë është shënuar rreth 2 metra dhe se tërë rajoni është i bllokuar. Për shkak të borës, nuk është e kalueshme edhe rruga Goshincë - Brezë në një largësi prej 8 kilometrave. Në këto zona për shkak të motit të keq është ndërprerë përkohësisht edhe procesi mësimor. QMK ka bërë të ditur se është në kontakt me banorët e fshatit dhe se nuk ka filluar pastrimin e rrugëve, për shkak të kushteve të rënda klimatike. (INA)

Kthehu mbrapa

Shto koment