Betim i ri i xhandarmërisë serbe: Pa Kosovën nuk ekzistoj as unë...
30.06.2012 (komentet: 0)
Pjesëtarët e Xhandarmërisë, njësisë speciale të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, kanë marrë sot betim të ri. Pjesa më e madhe e tekstit i është kushtuar Kosovës, pa të cilën, siç thuhet, “nuk ekziston as populli serb dhe Serbia”.
Sipas B92, Xhandarmëria serbe ka betim të ri, e cila është prezantuar dje, kurse autor i tekstit është Bratisllav Dikiq, njeriu i parë i Xhandarmërisë.
Në Xhandarmëri kanë pohuar se njësia e MPB-së sivjet kremton Vidovdanin si kremte të saj, dhe kjo është arsyeja që Kosova gjendet në fokus të betimit.
“Bëhet fjalë thjesht për metaforë. Kemi dashur që në frymën e Vidovdanit të kthehemi në histori dhe t’i kujtojmë trimat e vjetër të Kosovës dhe në përgjithësi atë ditë si ditën e trimave kosovarë dhe në bazë të kësaj kemi thënë se do të fitojmë apo vdesim”, tha zëdhënësja e Xhandarmërisë, Stanica Puzoviq.
Ajo theksoi se betimi dhe simbolika e ndërlidhjes së Ksovës nuk kanë kurrfarë lidhje me ndërrimin e pushtetit në Serbi.
“Kosova ka qenë gjithnjë e rëndësishme për këtë njësi, që nga formimi i saj deri sot”, shtoi ajo.
Pjesëtarët e Xhandarmërisë dje kanë shënuar 152 vjetorin e formimit.
Xhandarmëria ka në përbërje të saj Komandën, e cila është e vendosur në Beograd, dhe katër njësi – në Beograd, Nish, Kralevë dhe Novi Sad. Këto njësi kanë territorin e vet të përgjegjësisë, por sipas nevojës mund të angazhohen në territorin e mbarë Serbisë.
B92 thekson se mbi 3 000 pjesëtarë të Xhandarmërisë disponojnë me armatim të rëndë, sipas sistematizimit të miratuar para jo shumë kohësh, dhe praktikisht të gjithë ata janë nën komandën e një njeriu. Sipas po këtij sistematizimi, rreth 600 sish i takojnë njësisë speciale, që sipas strukturës është më adekuate me ushtrinë sesa me policinë.
Betimi i Xhandarmërisë:
Pa Kosovën nuk ekziston as populli im serb
Pa Kosovën nuk ekziston Serbia ime
Pa Kosovën nuk ekzistoj as unë
Popull serb, vëllezër e motra
Betohem para Zotit
Do të fitoj me nder apo do të vdes
Për nderim tim
Për origjinën time
Për familjen time
Për Serbinë time...
presheva.com/kokallari
Shto koment