Banorët e malësisë së Bujanocit refugjatë në atdhe të vet

03.06.2012 (komentet: 0)

Gani Shaqiri që nga viti 1999 jeton në Gjilan, që nga koha kur kishte lëshuar vendlindjen e tij, Suharnën, fshat në Malësinë e Bujanocit. Mllefin e tyre, ushtria, policia e xhandarmëria serbe e kishin ushtruar edhe mbi shqiptarët e kësaj malësie, që është më në lindje e banuar me shqiptarë.

Ganiu dhe mijëra shqiptarë të tjerë u larguan nga vendlindja, e ai për një kohë ka drejtuar edhe Këshillin e të të Dëbuarve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci. Kaluan trembëdhjetë vjet e ai ende nuk i ka dokumentet e Kosovës.

Në fillim nuk kishte dashur të pajisej me dokumentet e UNMIK-ut, ngase shqiptarët e dëbuar nga Lugina e Preshevës kishin shpresë se do të ktheheshin. Tashti, sikurse Ganiu, shumë shqiptarë nga Lugina presin me një krah dokumente në duar, duke u përballur me procedura të komplikuara për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.

Në kartën për të Drejtat e Njeriut, thuhet se secili individ duhet të jetë nënshtetas i ndonjë vendi se u garantohet edhe e drejta për të kërkuar azil, por në rajonin e Gjilanit vazhdojnë të jetojnë shumë persona pa dokumente as të Serbisë e as të Kosovës.

Të gjithë të rinjtë që janë lindur pas vitit 1999, por edhe ata që kishin ikur nga Lugina pa i mbushur 18 vjet, tashti nuk kanë dokumente në Serbi. Ka raste që brenda një familje disa familjarë i kanë dokumentet e Kosovës e disa të tjerë jo.

Ata që dikur i kishin dokumentet e UNMIK-ut, më lehtë pajisen me dokumente të Kosovës, ngase më lehtë e marrin nënshtetësinë, derisa të tjerëve nuk u njihet një e drejtë e tillë.

Rasti i Gani Shaqirit nuk është i vetmi, thotë Sejdullah Kadriu, kryetar i Shoqatës të të Shpërngulurve nga Kosova Lindore “Vatra” me seli në Gjilan. Sipas tij, duhet lehtësuar procedurat për pajisje me dokumentet e Kosovës. Ai thotë se në selinë e shoqatës për çdo ditë vijnë njerëz që ankohen se janë pa kurrfarë dokumenti dhe se kërkojnë zgjidhje.

Sipas Kadriut, edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Prishtinë kanë kërkuar që të lehtësohen procedurat dhe janë bërë disa lehtësime, por siç shton ai ato janë të pamjaftueshme, ngase problemi nuk është zgjidhur.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, është e pakuptimtë se si kërkesat po u kthehen negative e më shumë u dhemb kur ka raste që u propozohet të futen azil në Kosovë e bile edhe të dëshmojnë se e njohin gjuhën shqipe.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës thonë se e kanë të garantuar të drejtën për dyshtetësi dhe se lëvizjet e njerëzve nuk mund të ndalen.

“Vatra’ ka qëndrimin e saj që banorët duhet të kthehen në vatrat e tyre, por ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë duhet të integrohen deri në krijimin e kushteve për kthim”, thotë Sejdullah Kadriu, kryetar i Shoqatës së të Shpërngulurve “Vatra” me seli në Gjilan.

 PRESHEVA.COM

Kthehu mbrapa

Shto koment