Në ditën e sotme u vrane Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

17.01.2014 (komentet: 0)

Në Untergrupenbah te Gjermanisë u vranë tre herojtë shqiptarë, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.




JUSUF GËRVALLA

Jusuf Gërvalla lindi në Dubovik të Dechanit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe në Pejë. Në Prishtinë studioi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Një kohë punoi si pëshpëritës në Teatrin Krahinor të Kosovës e ma vonë filloi punën si gazetar i 'Rilindjes'. 

Jusufi ishte shkrimtar, këngëtar dhe piktor i talentuar. Botoi një varg veprash, artikujsh e gazetash tue u përpjekë që të bashkojë forcat shqiptare kundër pushtuesit jugosllav. Kompozoi një varg këngësh tue ekzekutu bashkë me Bardhoshin në kitarë.


BARDHOSH GËRVALLA ishte vëllai i Jusufit i cili iu gjet afër vëllait në ditët ma të vështira. Ishte kitarist i talentuar dhe përkthyes. 


KADRI ZEKA

Kadri Zeka lindi më 25 prill të vitit 1953 në fshatin Poliçkë, Malësi e Hogoshtit. Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan dhe këtu mbaroi shkollën e mesme. Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, dega e gazetarisë. 

Më 1973 Kadri Zeka u takon radhëve të organizuara të "Grupit revolucionar". Ishte në një celulë me dëshmorin Rexhep Mala, Hilmi Ramadanin e Hydajet Hysenin. Fillimisht Kadriu ka qenë anëtar i celulës, kurse pas arrestimeve të vitit 1974 dhe 1975 të anëtarëve të Grupit Revolucionar, Kadriu kalon në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës), në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij. 






ARTIKULL:

Vrasja në Shtutgard

nga Fadil Kajtazi 

14 Mars 2012

Ditëve të fundit prapë është aktualizuar ngjarja e dhimbshme e 17 janarit të vitit 1982, kur mbetën të vrarë patriotët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ashtu siç e pat tronditur opinionin kjo ngjarje para tridhjetë vitesh, ajo vazhdon të jetë tronditëse edhe trishtuese edhe në ditët e sotme për familjet e patriotëve, shokët e tyre dhe për mbarë popullin e Kosovës.

Një pjesë e madhe e atyre që deri më sot kanë marrë guximin që ad hoc ta aktualizojnë këtë çështje janë larg prezantimit të realitetit se çfarë ka ndodhë në të vërtetë në mbrëmjen kritike të 17 janarit, dhe kjo për dy arsye. 

Në këtë ngjarje janë hedhur dy palë; e para vërtet dëshiron të vijë deri te e vërteta, pavarësisht se cila është ajo, dhe pala tjetër, e cila krijon mjegull. Në këtë të dytën prapë kemi dy grupe, i pari i cili dëshiron të arrijë te një e vërtetë çfarëdo qoftë dhe këtë për qëllime përfitimi (politik, mediatik, financiar etj) dhe gjatë rrugës për të ardhur te e vërteta, krijon mjegull e cila ngjarjen e vërtetë e mbulon edhe më shumë. Dhe grupi tjetër, apo individë të caktuar të cilët në përpjekje për ta zbuluar të vërtetën, e mjegullojnë më shumë nga shkaku për të fshehur gjurmët e tyre të prezencës në këtë krim makabër. 

Përjashto familjet e nderuara Gërvalla dhe Zeka, të cilat kanë obligim njerëzor të interesohen për çdo copëz informate që dëgjojnë, të tjerët është vështirë të thuhet se në cilin pozicion gjinden, dhe te e vërteta absolute e kësaj ngjarje tani për tani është vështirë të arrihet, sado që dikush thotë se i njoh vrasësit me emër e mbiemër edhe me kushtin se ata i ka parë. 

Te e vërteta absolute për këtë ngjarje tani për tani mundë të arrihet vetëm nëse ndonjë 007 i AKI-së futet në arkivat e BIA-se dhe merr origjinalin e dosjes operative dhe atë, me kushtin që ajo nuk është në njërin nga thasët me dokumente, të cilat SHIK-u i ka sjellë nga Serbia. Në të kundërtën duhet të operohet me copëza faktesh, me anë të të cilave mundë të ndërtohet një pjesë e mozaikut, i cili krijon një imazh të përafërt të asaj se çfarë ka ndodhur në mbrëmjen e 17 janarit 1982. 

Fakte

Para se t’i radhisim faktet, pakkush deri me sot ka trajtuar motivin e vërtetë të kësaj vrasjeje, dhe për t’u kuptuar dimensioni i vërtetë duhet të dihet motivi, i cili gjithashtu është pjesë e dosjes operative, por qe është më i lehtë për t’u nënkuptuar, së paku nga ata të cilët deklarohen se i kanë pasur shokë të idealit Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin. Dhe hilja fillon pikërisht te ideali. Ideali i pjesës më të madhe të shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi ka qenë çlirimi dhe bashkimi me Shqipërinë. 

Këtë synim në fillim OZN-a, pastaj UDB-ja, dhe me vonë SDB-ja, e kanë ditur dhe njëra nga detyrat kryesore e tyre ka qenë ta pengojnë dhe kjo dihet nga praktika dhe përditshmëria e jonë. Mirëpo si çdo punë që ka metodat e veta, edhe në këtë punë, shërbimet dhe diplomacia jugosllave e kohës, ka përdorur një metodologji efikase e cila për një kohë të gjatë iu ka funksionuar. Dhe njëra nga këto ka qenë ngjyrosja me të kuqe e idealit tonë.

Këtë përpjekje e hasim që në fillim të veprimtarisë së organizatave patriotike që vepronin qoftë brenda në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, qoftë ato të emigracionit politik. Dhe kjo deri tani më së miri është e dokumentuar nga prof. Dr. Hakif Bajrami, në botimin “Zavere i zlocini UDB Jugosllavije prema albancima na Kosovo do 1966”.

Botërisht dihet se emigracion politik të shqiptarëve në BRSS, apo në ndonjë vend të bllokut socialist, nuk ka pasur. Me përjashtim të individëve dhe grupeve të vogla që kanë qenë në Shqipëri, pjesa më e madhe e emigracionit ka qenë e vendosur në vendet perëndimore. 

Veprimtaria e organizatave politike të emigracionit politik shqiptarë të ideologjizuar me marksizëm-leninizëm ka qenë e mirëseardhur për SDB-në, pasi që ata shumë kanë ndikuar që shërbimet perëndimore në të shumtën e rasteve ato ti cilësojnë si celula të KGB-së, dhe si të tilla ndikimi i tyre në qendrat politike dhe në opinionin evropian ka qenë i papërfillshëm.

Në kulmin e Luftës së Ftohët të bësh propagandë marksiste-leniniste në vendet perëndimore ka qenë sikur të qëndrosh në një fushë të minuar dhe më tepër se hipokrizi. Dhe pikërisht këtë e kishin vërejtur tre patriotët tanë të cilët kishin filluar tentimet e para për ta deideologjizuar lëvizjen për çlirim kombëtar. 

Bazat e një diskursi të ri në politikën e emigracionit politik shqiptar i ka vendosur Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi. Kjo nga jashtë vërehet nga disa intervista që Jusuf Gërvalla i kishte dhënë në shtypin evropian të kohës. Së paku nga ajo që deri tani është publikuar në publicistikën serbe nga oficerët e SDB-së, kjo kishte filluar t’i tmerrojë ata dhe ky ka qenë njëri prej motiveve kryesore pse SDB-ja dhe kreu i saj i atëhershëm, Stane Dollanc, kanë vendosur të veprojnë në mënyrë ofensive (shifra zyrtare e SDB për t’u likuiduar fizikisht dikush) në drejtim të tre patriotëve. 

Kjo është vërtetuar tërthorazi edhe në gjykatën e Hagës. Njëri nga dëshmitarët e mbrojtur kundër S. Millosheviqit, i cili kishe qenë shok i Gjorgje Bozhoviqit, i njohur me pseudonimin Gishka, njërit nga pjesëmarrësit në atentatin në Shtutgard, dëshmon se Gishka (me prejardhje nga një familje shqiptare e fisit Kuqi nga Mali i Zi) kishte thënë: “Ne (SDB-ja) i kemi tërhequr vërejtjen Millosheviqit që të heqë dorë nga konflikti masiv me shqiptarët, për shkak të implikimit të bashkësisë ndërkombëtare”.

“Atyre duhet vrarë intelektualet se i kanë të pakët. Lisit duhet hequr lëvozhgen, deri sa të dalë e reja ai thahet. Ky nuk na ka dëgjuar, dhe ja ku jemi”. 

Cilët janë autorët i vrasjes?

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, por edhe e Enver Hadrit, zyrtarisht është bërë publike nga Kuvend i Serbisë pas vit 2003, si dhe nga publikimet e bëra nga oficerë të shërbimit të cilët ishin organizatorë të këtyre akteve. 

Nga kjo rezulton se SDB-ja në këto akte terroriste kishte angazhuar ekipe të posaçme në përbërje të së cilës ishin Zhelko Razhnjateviq-Arkan, Ratko Gjokiq, Dragan Malesheviq-Tapija, Gjorgje Bozhoviq-Gishka, si dhe ekipi i dytë Veselin Vukotiç (Veshko), Andria Lakoniç dhe Darko Asanin. 

Në vrasjen direkte të Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit atentatorët kanë qenë Zhelko Razhnjateviq-Arkan dhe Gjorgje Bozhoviq-Gishka. Për këtë arsye Sekretari Federativ i Punëve të Brendshme Stane Dolanc shumë vite më vonë pati deklaruar se Arkani ka qenë më i dobishëm se i gjithë shërbimi, kurse ai përpos privilegjeve dhe shumave të parave, nga Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme si dhuratë kishte marrë një pistoletë të dekoruar me ar. 

Dokumenti është zyrtar dhe nuk ka pse të kontestohet dhe kjo nuk lë më hapësirë të vrapohet pas gjurmës, kur shihet ujku. Për ata që njohin gjuhen serbokroate, mjafton të hynë në internet dhe do të shikojnë se pjesa më e madhe e këtyre fakteve janë të publikuara. Ajo që familjarëve në radhë të parë, por edhe njerëzve të mirë të Kosovës më së shumti i dhemb është fakti i përfshirjes së shqiptarëve në këto akte. Kjo është enigma e cila vazhdon ta lë të hapur këtë plagë për familjen Gërvalla, Zeka dhe Hadri, dhe për popullin shqiptar kauzës së të cilës i shërbenin këta burra.

A ka pasur shqiptarë të përfshirë në këtë ngjarje?

Sado që bëhen përpjekje për të vërtetuar këtë, duhet të ruhemi nga mallkimi i të ndjerit Jusuf, i cili në momentet kur po luftonte me vdekjen ka lënë amanet që nëse është shqiptar mos u zbuloftë kurrë. Dhe ku ka madhështi më të madhe se kjo, dhe ku ka virtyt më të madh se ky. Këtë Jusufi nuk e ka thënë së nuk e donte jetën, këtë e ka thënë se e donte shumë atë, dhe me këtë nuk donte ta rëndonte jetën e brezave të ardhshëm. Dhe ku ka përkushtim më të madh se ky që në momentet e dhënies shpirt të të shkoj mendja për ta ruajtur nderin e kombit, për t’i hequr atij epitetin e kombit primitiv, vasal dhe tradhtar dhe shmangies se nxitur te vëllavrasjes. 

Edhe me kushtin e bartjes së mallkimit të të ndjerit (më mirë me të mallkuar Jusufi se më të lavdëruar kurrkushi), do të përpiqem të sqaroj atë se kush i ka mundur t’i shoh në të vërtetë vrasësit. Së pari nuk ka pasur gjasa që vrasësit t’i njohë ndonjë oficer i SDB-së Krahinore, apo i ndonjë komune, siç pretendohet nga disa nëpër debate televizive dhe portale. 

Zgjedhja e vrasësve, trajnimi i tyre, financimi, kamuflimi është bërë nga një sektor i specializuar në SDB-në federative, sektori për veprime ofensive, i cili zyrtarisht nuk ka ekzistuar asnjëherë. 

Kjo punë ka qenë e ngritur në nivel të shkencës pasi Instituti i Sigurisë që ka vepruar në kuadër të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme i ka studiuar këto gjëra dhe i ka përpunuar deri në hollësi. 

Atë që ka mund ta dije SDB Krahinore ka mundë të jetë bashkëpunëtori (Spiuni) i infiltruar në rrethin e ngushtë të organizatës që drejtonte Jusuf Gërvalla. Por edhe kjo me kushtin që bashkëpunëtori të mos jetë rekrutuar nga shërbimi ushtarak apo nga ai federativ. 

Në kuadër të çdo Qendre të Sigurimit Shtetëror nëpër komuna, pos tjerash ka ekzistuar edhe e ashtuquajtura Vija e Emigracionit Politik, e cila ka pasur për qëllim që të përcjellë aktivitetin e organizatave politike në perëndim. Rregull i punës ka qenë që informatat e dërguar nga bashkëpunëtori (spiuni) nga perëndimi të administrohen në këtë mënyrë ka pasur raste kur është shkruar vetëm një kopje e raportit, ndërsa në SDB-ja komunale, procedura përafërsisht është ndjekur në këtë mënyrë. 

Një kopje e raportit është vendosur në dosjen e bashkëpunëtorit, një në lënden e objektit, i cili është nën tretmanin e përpunimit operativ, tri kopje qendrës krahinore. Nëse është vlerësuar se raporti ka vlerë operative, atëherë ai i është dërguar drejtorisë së II-të të SDB-së Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme. Nëse nënsekretari federativ vlerëson se me këtë raport duhet informuar ekipin për aksione ofensive, atëherë një kopje e raportit, e fotokopjuar dhe të paregjistruar i dërgohet këtij sektori. 

Praktikisht kjo pak a shumë është dukur kusht. Nëse ta zëmë bashkëpunëtori ka qenë i rekrutuar nga SDB-ja qendra në Pejë, (zakonisht ka pas një pseudonim p.sh. Mustaqja), ai ka informuar oficerin që e ka mbajtur në lidhje. Ky ka bërë raportin sipas procedurës së mësipërme. Dhe krejt çka mundë të na tregojë për këtë ndonjë punëtor i SDB-së krahinore, ose komunale, mund të jetë se në vitin XX, Mustaqja është rekrutuar nga L.M. në qendrën e Sigurimit në Pejë. Ose dikush nga analitika e SDB-së krahinore mund të thotë se deri në vitin 1980 bashkëpunëtori Mustaqja informonte për veprimtarin e Jusuf Gervallës, pastaj ai u tërhoq nga SDB federative dhe kaq.

Informatori (spiuni) përpos informimit për aktivitetin e grupit për të cilin SDB-ja ka qenë e interesuar, rregull ka qenë, që nëse vendoset për likuidimin e ndokujt, ai të jetë prezent me grupin e ekzekutorëve për të bërë identifikimin e tyre. Dhe pa dhënien e pëlqimit të tij, atentatorët nuk kanë pas të drejt të hapin zjarr. Vetëm pas komandës ky, apo këta janë është hapur zjarr. Dhe i vetmi që i njeh fizikisht vrasësit është bashkëpunëtori i cili ka qenë prezent në aktin e vrasjes, por i cili nuk e ka ditur emrin dhe mbiemrin e tyre sepse me rregullat në fuqi të SDB-së nuk ka pasur të drejtë t’i dijë, sikur që edhe atentatorët nuk kanë pas të drejt ta pyesin informatorin për emrin e tij.

Çdo gjë tjetër për këtë rast dhe rastet e tjera është spekulim. 

(Autori është analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë)

Kthehu mbrapa

Shto koment