Ne diten e sotme u mbajt Kuvendi themelues i LDK-së

23.12.2013 (komentet: 0)

Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore te ne, u pajtua, gati spontanisht, që të themelonte një parti politike, e cila do t'i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë në vendet e bllokut të atëhershëm socialist. Iniciativa për themelimin e një partie që do të pagëzohet Lidhja Demokratike e Kosovës, doli nga shkrimtarët Jusuf buxhovi, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa. Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë.


Nisma për themelimin e Partisë u përkrah menjëherë pa rezervë nga dr.Ibrahim Rugova, dr.Ali Aliu, Ajri Begu, Basri çapriqi, Milazim Krasniqi dhe Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e LDK-së.  

I kompletuar, Këshilli nismëtar takohej herë pas herë dhe bisedonte për konturat e ardhshme të partisë. Pa marrë parasysh vështirësitë e fillimit dhe ato të kohës, u vendos që në punën e mëtutjeshme të themelimit të partisë të përfshiheshin edhe intelektualë të tjerë, të profileve të ndryshme. Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe dr.Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të partisë), pastaj aktivistët e palodhshëm dr.Bujar Bukoshi, dr.Zenel Kelmendi, Zenun çelaj, dr.Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t'u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtart tanë të nderuar: prof.dr.Idriz ajeti, prof.Mark Krasniqi, prof.Dervish Rozhaja, Anton çetta dhe Zekiria Cana.  

Bërthama e Këshillit nismëtar, e përbërë prej njëmbëdhjetë vetash (sa parashihej edhe me ligjin e atëhershëm federativ për shoqatat e qytetarëve), u mblodh disa herë gjatë tetorit dhe nëntorit. Takimet duhej të dukeshin "spontane", andaj shumica e tyre mbaheshin në kafenenë "Elida" në qendrën tregtare "Boro-Ramizi". Ndërkohë, nga gjysma e nëntorit dhe fillimi i dhjetorit po krijoheshin konturat e qarta të Programit të partisë si dhe statuti. Koordinatori Jusuf Buxhovi disa herë ua parashtroi anëtarëve të bërthamës të Këshillit nismëtar përmbajtjen e Programit dhe të Statutit, duke e plotësuar atë me vërejtjet dhe propozimet që i jepeshin nga njëmbëdhjetëshja, si dhe të tjerët që konsultoheshin. Në javët e para të dhjetorit versioni i programit ishte i gatshëm dhe ai u miratua. Mbetej për t'u caktuar dita dhe vendi i mbajtjes së kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kishte propozime të ndryshme, nga ato se kuvendi duhej mbajtur menjëherë në heshtje, deri tek ata që duhej shtyrë pas vitit të ri. Rrethanat përnjëmend ishin të tensionuara, ngase nuk dihej se si do të reagonte pushteti i atëhershëm partiak, i cili ishte në shkatërrim e sipër. Pas shumë shqyrtimesh, u caktua data - 23 dhjetor 1989, pra, dita e shtunë.  

Kuvendi themelues u vendos të mbahej në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku rëndom asokohe zhvilloheshin që të gjitha vlimet shoqërore dhe politike. Koordinatori i grupit u angazhua ta bënte paraqitjen ligjore të mbajtjes së kuvendit themelues në polici, me tërë dokumentacionin, ashtu si e kërkonte ligji i atëhershëm për mbajtjen e manifestimeve dhe tubimeve publike. Policia nuk njoftoi se do ta ndalonte kuvendin themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por as nuk dha pëlqim për të. Gjendja, pra, mbahej e tensionuar.

Duhet cekur se shtypi i atëhershëm në gjuhën shqipe nuk botoi kurrfarë lajmi për ditën dhe vendin e mbajtjes së kuvendit themelues të LDK-së, anipse Këshilli nismëtar kërkoi që kjo të bëhej. Megjithatë, informimi u bë në mënyrë fare interne, gojë me gojë, duke njoftuar ata që dëshironin të vinin në kuvendin themelues. Të shtunën, në mëngjes, diku rreth orës 9, në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u mblodh tash në përbërje të zgjeruar Këshilli nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjithë u pajtuan me Programin dhe Statutin e saj. U bisedua bukur shumë për strukturën udhëheqëse të partisë. Që të gjithë ishin të mendimit se kryetar i saj duhej të bëhej dr.Ibrahim Rugova, ndërsa sekretar Jusuf Buxhovi.

Grupi nismëtar nguli këmbë që dr.Rugova duhej të propozohej për kryetar dhe u deklarua që këtë ta parashtronte Kuvendi themelues, me çka ai u pajtua.

Diku para orës dhjetë të paraditës filluan të vinin, heshtazi, të interesuarit për Kuvendin themelues. Pikërisht në orën dhjetë, lokali i vogël i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës mezi i zuri ata që kishin vendosur të merrnin pjesë në mbledhjen e Kuvendit themelues të LDK-së. Ata ishin gjithsej 96 veta, të cilët me nënshkrimet e veta dhe me deklarim të lirë u përcaktuan t'ia vinin themelet partisë së parë politike shqiptare të pagëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këshilli nismëtar, që më parë u pat marrë vesh se mbledhjen duhej ta hapte dr.Zenel Kelmendi, i cili, pasi do të përshëndeste të pranishmit, do të propozonte rendin e ditës, kryesinë e punës, si dhe komisionet e domosdoshme të Kuvendit. Dr.Zenel Kelmendi e hapi kuvendin më pak fjalë dhe propozoi kryesinë e punës në këtë përbërje: dr.Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Fehmi Agani dhe Zenel Kelmendi, gjë që të pranishmit u pajtuan. Pastaj, ai propozoi komisionin kandidues në krye me Milazim Krasniqin, si dhe procesmbajtës Hysen Matoshin.

Në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi.

Të pranishmit dëgjuan me vëmendje Programin dhe Statutin e LDK-së dhe miratuan me duartrokitje të gjatë përmbajtjet e tyre. Askush nuk isht ekundër. Kryesuesi ia dha fjalën Milazim Krasniqiti, që në emër të Këshillit kandidues të propozonte udhëheqësinë e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai bëri këto propozime:  

1. Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës - dr.Ibrahim Rugova,  
2. Sekretar- Jusuf Buxhovi, 
3. Anëtarë të Kryesisë: dr.Fehmi Agani, dr.Bujar Bukoshi, dr.Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja.  

Propozimet u miratuan me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Pastaj, fjalën e mori dr.Ibrahim Rugova, i cili falenderoi për besimin e dhënë dhe u zotua se do t'i kryente detyrat që dilnin nga Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.  

Mbledhja e Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila filloi në orën 10:5 minuta, përfundoi në orën 11:10 minuta.  

Mbledhjen e ndoqën korrespodentët dhe gazetarët e këtyre gazetave: "Rilindja", Tanjugu, Radiotelevizioni i Prishtinës, "Oslobogjenje", "Vjesniku" dhe Radio-Lubjana. Nga të dhënat e sakta del se informata për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhanë "Rilindja" (një lajm të gjymtuar keqas), Tanjugu dhe Radio-Lubjana. Dy ditë më vonë për themelimin e LDK-së njoftoi RTV i Beogradit, "Vjesniku", ndërsa nga agjencitë e huaja njoftuan: AFT, AP dhe DPA. TV Prishtina e dha lajmin shkurtimisht në ditarin e natës së Vitit të Ri, pra, me një javë vonesë.  

Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, qysh të hënën, pra, më 25 dhjetor 1989, iu dërgua, ashtu siç e kërkonte ligji, organeve policore krahinore e gjykatës (që të bëhej regjistrimi në regjistrin e shoqatave të pavarura, anipse në vend atëherë ende nuk kishte ligj federativ për partitë politike), pastaj Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, Ambasadës së Anglisë në Beograd, si dhe Ambasadës së Gjermanisë në Beograd, si dhe Ambasadës së Francës në Beograd. I përkthyer në gjuhën angleze, Programi i Lidhjes Demokratike iu dërgua për atë ditë të gjitha agjencive më të mëdha botërore edhe Tanjugut.

Kthehu mbrapa

Shto koment