Ne diten e sotme te viti 1998 u zhvillua Beteja e Llapashtices

24.12.2013 (komentet: 0)

Edhe një përvjetor i dhimbjes dhe krenarisë. Ne vazhdojmë të jemi krenarë nga krenaria që na falën ata që u sakrifikuan për ne. Ata na dhanë emër, na krijuan identitet, e tërë merita u takon atyre që krijuan epoka të lavdishme gjatë historisë!

Ishte 24 dhjetori i vitit 1998, kur filluan betejat e pareshtura në ZOLL-it, ndërsa Llapashtica ishte shndërruar në një kala të pathyeshme për tre muaj me radhë, muret e saj ishin çelikosur nga luftëtarët e lirisë që u bënë gurë kalaje dhe nuk mund t’i rrënonte e tërë ajo makineri luftarake e pushtuesve sllavë. Luftëtarët e lirisë u hodhën si luanë mbi tanket dhe nuk lëshonin pozicionet, jeta e tyre ishte shpërfillur plotësisht përballë qëllimeve aq të larta që kishte lufta jonë çlirimtare. Ata dëshmuan me jetën e tyre se si duhet jetuar, luftuar dhe si duhet të vdiset për lirinë e atdheut.

Gjatë Betejës së Llapashticës, më 24 dhjetor 1998 nga radhët e UÇK-së ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorë të kombit :

Isa Havolli, Ismet Dërguti, Skender Zenjullahu, Miftar Zenjullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.

Këto rënie dhanë si rezultat shumë më shumë ngritje dhe e tërë kjo u shndërrua në tmerr për pushtuesit dhe argatët e tij, u shndërrua në një habi për ata që tanimë kishin rënë në pozita qyqare, ndërsa në forcë të jashtëzakonshme për popullin tonë liridashës…

Ishte vazhdimësia e rrugës së komandantit legjendar Adem Jashari, e Zahir Pajazitit. Një rrugë kishin zgjedhur ata – rrugën e lirisë. Kësaj rruge i hynë me ndërgjegje, sepse ishin të bindur se duke u bërë tok dhe duke valëvitur lart e më lart flamurin e luftës për liri, do të jetë garancia me e mirë se betejë pas beteje do të çojnë deri në fund jetësimin e idealit tonë të shenjtë: çlirimin e trojeve tona nga vargonjtë e robërisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment