Në ditën e sotme me 15 mars 1875 lindi

15.03.2014 (komentet: 0)

ne Konicë, (Shqipëri Irre.), Faik KONICA, publicist, figurë politike dhe shkrimtar shqiptar.

Lindi në Konicë, (Shqipëri Irre.), Faik KONICA, publicist, figurë politike dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dera e Zenelbejllinjëve të Konicës, kurse e ama vinte nga dera e bejlerëve të Delvinës. 

Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër në Kolegjin Saverian. Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për me viju studimet në shkollën e Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu me 1890, kur ishte 15-vjech. Në këtë shkollë u njoh me djaloshin tiranas, Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe ShBA.

Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ama binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste një frëngjishte të kulluar. Ma vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për me kry masandej shkollën e mesme në Francë. 

Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris ku u konvertu në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërgu shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri, Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori gjatë në shkrimet e tij. 

Si 21-vjechar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botu deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për me pengu shtrirjen e sllavëve në Ballkan. 

Më 1912 u diplomu për letërsi në Universitetin e Harvardit (ShBA) me medalje ari, ndërkohë që asht cilësu nga miqtë e tij si "bibliotekë ecejake". Fitoi disa konkurse, tue u nderu me chmime për aftësitë e tij intelektuale të vechanta. Faik Konica, qysh i ri, e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi botoi broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel të (Belgjikës), ku nxori revistën "Albania", revistë politiko-kulturore dhe letrare e cila u bë organi ma i randësishëm e ma me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. 

Faiku kishte marrë thu ndaj anëtarëve të Kongresit të Manastirit sepse, sipas tij, me vonesë të madhe ia kishin dërgu një telegram për me marrë pjesë në këtë kongres vendimtar për alfabetin e gjuhës shqipe. Ndërsa delegatët e Kongresit thonë se ia kanë dërguar dy telegrame për pjesëmarrje, pasi që Faiku nuk ishte përgjegjë në të parën. Në anën tjetër Faiku kambëngulë se të parin telegram nuk e kishte marrë, dhe mu për këtë shkak pasoi hidhërimi dhe revolta e tij ndaj tyre. 

Faiku në jetën e tij familjare ishte i pafat apo ndoshta edhe vetë ashtu e kishte zgjedhur. Ca thonë se kishte qenë i martuar me një farë Sophie Annette Hygo me të cilin i kishte lindur një djalë me emrin Henrik. 

Më 1909, pasi u mbyll revista "Albania" në Londër, Konica i ftuar nga atdhetarët shkoi në ShBA ku drejtoi gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 aj u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli[2], duke qenë udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare shqiptare në ShBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. 

Në Sent Luis (1897) nxori të përkohshmen “Trumbeta e Krujës”, ndërkaq në Boston, së bashku me Nolin, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që mbronte pavarësinë e shtetin të sapoformuar shqiptar. U zgjodh sekretar dhe kryeredaktor i "Diellit", që u bë organ i saj. 

Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Nuk e duronte dot Ismail Qemalin, kryetarin e përkohshëm të shtetit. Mbase edhe për inatin e tij, më 1913 e la Vlorën dhe iu bashku në Durrës forcave të Esat Toptanit, të cilin ndonëse e urrente, e ndihmoi të formonte qeverinë e ndarë shqiptare. Mbretin Zog herë e lavdëronte, herë e kritikonte. Megjithatë, më shumë sesa ambasador i Zogut, aj ishte ambasador i vendit të tij; dhe Zogun e respektonte si kryetar shteti por personalisht nuk e vlerësonte. 

Polemizoi edhe me Fan Nolin, duke e quajtur edhe bolshevik dhe mbërrijti deri aty derisa sa i kërkoi departamentit amerikan që të mos i lejohej ma hyrja e atij komunisti në ShBA, por nuk e humbi respektin për aftësitë e këtij të fundit. Noli do ta quante veten nxanës të tij. “Mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe”, thotë Noli, i cili me këshillat e Konicës kishte përkthy disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Konica ishte mik me poetin e njohur francez, Gijom Apolinerin. 

Shkrimtari Zhyl lë Metrë do të thoshte për Konicën: “Ky i huaj që e shkrun kaq mirë gjuhën tonë”. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ma vonë, aj zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Ishte delegat i “Vatrës” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për krijimin e shtetit shqiptar. Në 1921 u kthy në ShBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet '20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë e bëri nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emëru ministër fuqiplotë i Shqipërisë në ShBA. Ministër i oborrit mbretëror në ShBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte edhe pianist i shkëlqyer. Aj mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. 

Faiku vdiq në Uashington, i vetmuar, pranë të cilit gjendej një mikeshë e tij zonja G. A. Grahami nga e cila na ofrohen chastet e fundit të jetës së Faik bej Konicës. Ja si i përshkrun z. Grahami ato chaste: “...Faik bej Konica u përmend përsëri diku nga ora nëntë e pesëdhjetë. Më kërkoi dhe foli pak. Humbi në kllapi dhe hera e fundit kur u përmend ishte më vonë. Kishte nevojë për një gotë ujë, por iu luta që të presë. Ai sikur u pajtua dhe e ktheu kokën. Kjo ishte njëherazi edhe hera e fundit që bisedova me z. Konica...”. 

Postin e ambasadorit të Shqipërisë e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizu nga qeveria amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytë në borxhe. 

Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.
“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthynë në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësu amaneti i Konicës i cili u dëbu me dhjetëvjecharë të tërë nga letrat shqipe për motive politike. 



ARTIKULL: 

Ditet e fundit te Konices, zbulohen dokumentet e reja ne arkivat amerikane
Agron Alibali



Mbrëmjen e 15 dhjetorit 1942, në ora 19:30, në zyrën e shefit të FBI-së, z. J.Edgar Hoover në Washington DC, mbërriti një telefonatë krejt e papritur. Thirrësi, një individ me shumë tituj, identiteti i të cilit mbahet ende i fshehtë në arkivat amerikane, informonte se Faik Konica atë ditë ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan. Informatori, më tej deklaronte se "kishte marrë informacion se disa persona të panjohur po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia pa kryer formalitetet e duhura". Ai tha se ishte munduar të kontaktonte Departamentin e Shtetit, por përpjekjet e tij "nuk kishin pasur sukses". Për këtë arsye, ai kërkonte nga FBI-ja që "të ndërhynte për të ndaluar këto veprime". Zyrtari që priti telefonatën dhe mbajti shënim kërkesën e veçantë, u përgjigj me mirësjellje se "Byroja nuk kishte juridiksion në çështje të tilla ". Ishte mbyllur mbrëmjen e 14 dhjetorit ose mëngjesin e 15 dhjetorit 1942 jeta e Faik Konicës, e njërit prej rilindësve të kombit e themeluesve të shtetit modern shqiptar, e një personaliteti me dije dhe kulturë të jashtëzakonshme, e gjuhëtarit dhe letrarit të rrallë, e njërit ndër diplomatët më të shquar që patën punuar ndonjëherë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e njërit prej udhëheqësve më të mëdhenj të diasporave shqiptare në Evropë e SHBA - themelues i VATRA-s dhe kryeredaktor i "Diellit", e botuesit dhe redaktorit të revistës së famshme "Albania" etj. Vdekja e Faik Konicës ndodhte pikërisht 4 ditë pas deklaratës historike të 10 dhjetorit 1942 të Sekretarit amerikan të Shtetit, Cordel Hull, në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë së çliruar. Sikurse do të rrëfehet nga dokumentet e paraqitura më poshtë, një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë deklaratë do të jepnin vetë Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët kishin qenë në kontakte të vazhdueshme dhe bashkëpunim të ngushtë me qeverinë amerikane në lidhje me çështjet shqiptare. Mirëpo, sikurse do të shpjegohet një herë tjetër, vdekja e Faikut do të shënonte edhe mbylljen e dosjes hetimore ndaj tij të hapur rreth dy vjet më parë nga një krah tjetër i administratës amerikane, më saktë nga FBI-ja. Nga kjo dosje, edhe pse e hollë, mësojmë të dhëna të tjera për dy vitet e fundit të jetës së burrit të shtetit dhe diplomatit të shquar shqiptar. Dhe së fundi, vdekja e papritur e Konicës do të hapte një plagë ende sot të pambyllur të trashëgimisë historike e kulturore të kombit shqiptar - atë të amanetit të papërmbushur të Faik Konicës, që biblioteka dhe letrat e tij t'i mbeteshin në trashëgim e ruajtje Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 
Konica u largua kur çështja shqiptare ndodhej midis njërit prej udhëkryqeve të veta më të vështira. E pushtuar nga Italia fashiste, Shqipëria kishte humbur sovranitetin dhe personalitetin e vet juridik si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Lufta italo-greke papritmas e kishte vënë edhe më shumë në rrezik tërësinë tokësore të vendit, duke ringjallur pretendimet absurde territoriale të fqinjëve, të mbështetura edhe nga Anglia. Ditët e fundit të jetës së Konicës ishin kësisoj ditë me intensitet të jashtëzakonshëm. Me një energji, këmbëngulje dhe qartësi të rrallë, Konica me Nolin po luftonin sërish, si dikur në Boston më 1912-ën kur themeluan VATREN, për të shpëtuar atdheun në rrezik. Sipas tyre (i) Shqipëria ishte sërish në rrezik copëtimi për shkak të intrigave të fqinjëve të saj, ku kësaj radhe po përfshihej edhe Londra; (ii) rreziku shtohej nga mungesa e përfaqësimit dhe nga përçarja midis vedit; dhe (iii) sikurse më 1919-ën në kohën e Presidentit Wilson shqiptarët, kudo ku ishin, shpresën e mbanin tek qëndrimi i Shteteve të Bashkuara. Në kushte tejet të koklavitura të fundit të vitit 1942, kur gjendja në Shqipëri ishte krejt e paqartë, patriotët shqiptarë - përfshirë Nolin dhe Konicën - panë shpresën tek mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse në lidhje me vazhdimësinë juridike të shtetit shqiptar, tek personaliteti dhe figura e Mbretit Zog. Ata kësisoj u bashkuan pa ngurrim pas Zogut pavarësisht nga rezervat, kontradiktat dhe përplasjet e jashtëzakonshme që kishin pasur me të më përpara. Mirëpo qëndrimi i pjekur i këtyre dy hommes d'etat, të cilët vinin mbi gjithçka interesat e Shqipërisë, ishte ballafaquar me kundërshtarë të rreptë të Mbretit Zog, në krye të të cilëve ishte vënë Kostandin Çekrezi, dikur mik dhe bashkëpunëtor i Nolit dhe Konicës, i cili, sikurse edhe ata, kishte studiuar në Universitetin e Harvardit dhe më 1942-in ishte kryetar i shoqatës së porsa-formuar në Amerikë "Shqipëria e Lirë". Shtetet e Bashkuara hynë zyrtarisht në Luftën e Dytë Botërore pas sulmit të Pearl Harbor-it më 7 dhjetor 1941. Kjo solli ndryshime të mëdha në administratën amerikane. Një prej tyre ishte ngritja e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), pararendëse e CIA-s, e cila pati dy qëllime kryesore: (i) mbledhjen e informacionit të saktë; dhe (ii) nxitjen e lëvizjeve çlirimtare klandestine në Evropën e pushtuar, ku përfshihej angazhimi i amerikanëve me prejardhje nga ato vende. Ndërkohë që ngjarjet në Evropë po rrokulliseshin me shpejtësi, qeveria amerikane ndiqte me vëmendje zhvillimet në të gjitha teatrot e luftës, përfshirë Ballkanin me Shqipërinë.
Një ndër zhvillimet më interesante lidhur me Shqipërinë ishte përpjekja e OSS për të bashkuar diasporën shqiptare dhe për t'i dhënë mbështetje morale e ndihmë ushtarake forcave guerilase në terren. Kështu, "me 18 nëntor 1942 OSS ftoi përfaqësuesit e Vatra-s dhe Çekrezin për të diskutuar mënyrat për konsolidimin e aktivitetit të grupeve rivale në një këshill të përbashkët. "

Edhe 27 ditë Në fakt, takimi u krye me 19 nëntor 1942 - d.m.th. njëzeteshtatë dit para vdekjes së Faikut - midis Faik Konicës e Fan Nolit nga një anë dhe Earl Brennan-it nga ana tjetër. Për Brennan nuk dihet shumë, përveçse ai, bashkë me njëfarë Philip Adams, ishin ndër zyrtarët e parë që u morën me çështje shqiptare tek OSS-it. Hollësitë e takimit na i jep vetë Konica në një letër dërguar Sekretarit Hull.

Shkruan Faiku: 1530 Sixteenth Street
Washington, D.C.
21 Nëntor 1943
Zotëri:
Peshkop Noli nga Bostoni, dikur kryetar i qeverisë së Shqipërisë, dhe unë u ftuam nga z. Earl Brennan i Zyrës së Shërbimeve Strategjike për një shkëmbim pikëpamjesh për gjendjen në Shqipëri. Në fund ne i dorëzuam z. Brennan një deklaratë, dy kopje të së cilës ndodhen bashkëngjitur për dijeninë tuaj.
Përfitoj nga rasti, Zotëri, t'ju përsëris siguritë e konsideratës time më të lartë.
Nënshkruar
Faik Konitza
Ish-Ministër i Shqipërisë
Shumë të përndershmit Cordell Hull
Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara
Letra e Konicës, edhe pse e shkurtër, është model i komunikimit diplomatik. Aty ndjehet pesha e momentit historik, fryma e autoritetit - e shprehur nga citimi i funksioneve shtetërore të Nolit dhe të atij vetë; nevoja e unitetit: Konica e kishte kritikuar pafund qeverisjen e Nolit më 1924 dhe shpesh atë të Zogut më pas; e pra, tash, kur atdheu ishte në rrezik, ai ishte bashkuar sërish me mikun dhe bashkëluftëtarin e vet të kohës së Harvardit dhe të Vatrës, si dhe me vetë Ahmet Zogun, të cilin e njihte mjaft mirë.
Në këtë linjë është edhe
Deklarata Noli-Konica, bashkëngjitur: "Ne, të nënshkruarit, u ftuam prej njërës nga zyrat e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Washington për shkëmbim pikëpamjesh lidhur me mënyrën më të mirë për organizimin e një qeverie shqiptare në mërgim.
Gjatë bisedës ne theksuam këto pika:
1) Vetëm një front i bashkuar shqiptar që do të përfshinte të gjitha personalitetet e mundshme shqiptare do të kishte shans që të tërhiqte nga pas të gjithë popullin shqiptar dhe të ishte i dobishëm për Kombet e Bashkuara;
2) Mbreti Zog mbetet personaliteti shqiptar më i shquar që është gjallë (the foremost living Albanian personality), dhe përjashtimi i tij do t'a xhvishte lëvizjen e propozuar nga fuqia e saj;
3) Asnjë pjestar i këtij fronti të bashkuar nuk duhet të detyrohet të heqë dorë nga ideologjia e vet politike, por do të bashkëpunojë derisa integriteti territorial dhe pavarësia e Shqipërisë të sigurohen në Konferencën e Paqes; paskëtaj secili do të rifitojë lirinë e vet të veprimit;
4) "Qeveri të përkohëshme" si ajo e propozuar nga z. Çekrezi dhe shokët e tij do të ishin jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme (ëorse than useless); ato nuk do të ndihmonin as Shqipërinë dhe as Kombet e Bashkuara, madje do të nxisnin më tej planet e atyre fqinjve që kanë deklaruar zyrtarisht se duan copëtimin e Shqipërisë; dhe
5) Ne mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë me gjithë zemër dhe në çdo kohë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara.
Faik Konitza
† F. S. Noli
Washington, 19 nëntor 1942.
Ky dokument i rrallë tregon edhe njëherë thelbin e botëkuptimit politik të të dy gjigantëve të Rilindjes së kombit dhe shtetit shqiptar: Për ta, pavarësia e Shqipërisë, ruajtja e integritetit të saj territorial dhe mirëqenia e kombit ishin mbi gjithçka. Deri tash nuk e kemi në dorë raportin e Brennanit për takimin e 19 nëntorit. Gjithsesi, kontaktin me të Konica nuk e la me aq. Më 28 nëntor 1942, Sekretari i Shtetit, Cordell Hull bëri komentin e parë për Shqipërinë në një konferencë të zakonshme shtypi. Duke iu referuar "disa miqve të Shqipërisë në SHBA, që ishin të shqetësuar për të ardhmen e vendit", një gazetar e pyeti Sekretarin e Shtetit nëse kishte ndonjë koment për të bërë dhe sidomos, "nëse ai e konsideronte Shqipërinë si një ndër vendet që do të çliroheshin nga forcat aleate". Në një përgjigje të shpejtë (offhand), Sekretari tha se "të gjithë e mbajmë mend se si populli i pafajshëm dhe paqësor (non-offending) i Shqipërisë u pushtua dhe u zu (seized) nga ushtritë italiane në befasi dhe pa pretekstin më të vogël (remotest) dhe se njëfarë qeverie u vendos aty nga autoritetet italiane. Në këto rrethana mbetet detyra e lartë e çdo shqiptari dhe çdo qytetari tjetër të ndershëm që të qëllojë (shoot at sight) kundër çdo ushtari Italian që do të hasë në vendin e vet dhe që i mohon atij populli të drejtat dhe liritë që meriton (just rights an liberties) ".
Sigurisht Konica ishte mjaft i njohur në qarqet diplomatike dhe gazetareske të Washington-it, ku kishte shërbyer kaq vjet dhe ku kishte lidhur aleanca e miqësira të vërteta. Nuk e dimë nëse pyetja ishte deridiku e porositur, por ajo çka mund të themi me siguri ishte se ai dhe Noli nuk mbetën krejt të kënaqur nga deklarata e Sekretarit Hull.
Edhe 18 ditë Me të vërtetë, po atë ditë, më 28 nëntor 1942, d.m.th tetëmbëdhjetë ditë para vdekjes, Konica i shkruajti Earl Brennanit dhe i kërkoi që Shtetet e Bashkuara "të denonconin njohjen e dominimit italian, të pranuar heshturazi (implicitly) me politikën e "qëndrimit të butë" [appeasement], dhe ta njihnin Mbretin Zog si kreun e ligjshëm të vendit", pasi "si pasojë e rrjedhjes së detyruar të ngjarjeve, [Ahmet Zogu] ishte kthyer në simbol të pavarësisë së Shqipërisë - dhe kësisoj ai duhet ruajtur me çdo kusht nëse e kaluara dhe e tashmja duhen mbajtur të pandërprera" . Kuptohet se Noli dhe Konica, si dy burra shteti, diplomatë e dijetarë të rrallë, e kishin të qartë se rrethanat e krijuara pas pushtimit nga Italia kishin cenuar vazhdimësinë e shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Gjendja e paqartë në terren dhe mosnjohja e një qeverie në mërgim nga Anglia vinte në rrezik vetë ekzistencën e Shqipërisë. Letrën e Konicës për Brennain nuk e kemi të plotë, por me siguri ai do t'i ketë kërkuar edhe një deklarim më të qartë prej Shteteve të Bashkuara për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë pas lufte, sipas qëndrimit të përbashkët me Nolin të 19 nëntorit 1942. Sigurisht, në kuadër të nxitjes së qëndresës ndaj pushtuesit italian vetë OSS kishte objektivat e veta strategjike në Shqipëri. Përputhja e tyre me synimet Nolit dhe Konicës mund të ketë qenë faktor që përpjekjet e dy burrave të urtë të mos mbeteshin pa efekt.

Edhe 16 ditë Me të vërtetë, më 30 nëntor 1942, ose gjashtëmbëdhjetë ditë para vdekjes së Faikut, OSS do të vinte në lëvizje vetë Departamentin e Shtetit për të bërë një deklaratë tjetër për Shqipërinë. Ngjarja përshkruhet në një dokument të Adolf. A. Berle. Jr., Ndihmës/Sekretar i Shtetit i Departamentit të Shtetit:
* * *
30 Nëntor 1942
Eu - Z. Atherton
PA M - Z. Murray
Frank Sayre ndaloi këtu dhe shpjegoi se Zyra e Shërbimeve Strategjike po bënte plane për [nxitjen] e lëvizjes së armatosur politike [political warfare] në Shqipëri. Z. Brannon (sic), i asaj zyre, ka hartuar një projekt letër, të cilën ai shpreson se OSS do t'ia përcjellë Sekretarit të Shtetit. Kopja është bashkëngjitur.
Shkurtimisht, thelbi është se ai është gati të kërkojë një deklarate prej Shteteve të Bashkuara që të shpallë se Shqipëria e pavarur do të ringrihet pas luftës, çka do të ndihmojë nxitjen e luftës guerilase atje.
Brannon, si dhe Frank Sayre, janë të bindur se, të paktën ekziston një mundësi që Britania e Madhe të jetë përfshirë në bisedime jo-zyrtare edhe me Jugosllavinë, edhe me Greqinë, me qëllim ndarjen e Shqipërisë midis tyre.
Unë do të jem mjaft i lumtur të kem mendimin tuaj sa më sipër.
A.A.B. Jr.
Me të vërtetë Brennan i paraqiti Departamentit të Shtetit një propozimi prej dy pikash, i cili në thelb, përputhej me pikëpamjen e Nolit dhe Konicës. Në pikën e parë ai "kërkonte, shpalljen e një deklarate të hershme të autoritetshme në mbështetje të kauzës së një Shqipërie të pavarur." Kjo, vazhdon më tej ai, "do të lehtësojë bashkëpunimin ushtarak me udhëheqësit guerilas që po luftojnë kundër italianëve" dhe do të përbëjë "mbështetje morale 100% për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit". Në pikën e dytë, Brennan "shpresonte se Departamenti [i Shtetit] mund ta mendojë të përshtatshme njohjen si entitet simbolik të njëfarë grupi që të përfaqësojë aspiratat e shqiptarëve, qoftë thjesht si komitet përfaqësues shqiptar ose si qeveri në mërgim." Brennan theksonte se grupi duhet të jetë "rreptësisht jo-partiak" dhe "të angazhohet se çështja e Qeverisë [legjitime] duhet të presë deri në fund të luftës". Brennan, më tej, shprehet kundër drejtimit të këtij grupi nga Ahmet Zogu duke kundërshtuar argumentin se Zogu ende mund të "pretendojë ekzistencën e një të drejte mbretërimi të cilës de jure nuk i ka përfunduar afati. "
Edhe 12 ditë
Më 3 dhjetor 1942, kur Faikut i kishin mbetur më pak se dy javë jetë, Drejtoria e Çështjeve Evropiane në Departamentin e Shtetit i përcillte Sekretarit të Shtetit "sugjerimin" për një deklaratë në mbështetje të Shqipërisë, duke mbështetur kësisoj "rekomandimin e pare dhe kryesor" të OSS-it. Lidhur me kërkesën e dytë, ajo mendonte se "nuk ishte edhe aq urgjente", se shqiptarët e diasporës mbeteshin të përçarë dhe se "ne nuk jemi të bindur se njohja e një Komiteti shqiptar do të ishte e dobishme" . Po atë ditë, Drejtori J. W. Jones do t'i paraqiste Sekretarit të Shtetit propozimin përfundimtar të Drejtorisë së Çështjeve Evropiane për Deklaratën për Shqipërinë, bashkë me projekt-tekstin përkatës.
Edhe 4 ditë
Më 10 dhjetor 1942, d.m.th. kur Faik Konicës i kishin mbetur edhe katër ditë jetë, Sekretari i Shtetit Cordell Hull lexoi dhe shpërndau para shtypit të akredituar në Departamentin e Shtetit Deklaratën historike në mbështetje të aspiratave të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe integritet territorial. Teksti i përpiluar dhe i propozuar nga Drejtoria e Çështjeve Evropiane sipas ideve të OSS ishte miratuar pa asnjë ndryshim. "Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka harruar (is not unmindful) qëndresën e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë", do të deklaronte Z. Hull. "Ne i admirojmë dhe i çmojmë përpjekjet e grupeve të ndryshme guerilase që luftojnë kundër armikut të përbashkët në Shqipëri. Qeveria dhe populli i Shteteve të Bashkuara e presin me padurim ditën kur këtyre burrave trima të mund t'u japim të gjithë ndihmën efektive ushtarake që të çlirojnë vendin e tyre nga pushtuesi". "Në përputhje me politikën e qartë dhe të pandryshuar për mosnjohjen e asnjë pushtimi të arritur me forcë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë prej kurorës italiane. Deklarata e Përbashkët e Presidentit [Amerikan] dhe Kryeministrit Britanik, e 14 gushtit 1941, e njohur si "Karta e Atlantikut", thekson sa vijon:
'E treta, ata respektojnë të drejtën e të gjithë popujve që të zgjedhin formën e qeverisjes nën të cilën duan të jetojnë; dhe ata dëshirojnë që të shikojnë rivendosjen e të drejtave sovrane dhe të vetë-qeverisjes për ata [popuj] të cilëve ato u janë mohuar me forcë." Edhe rivendosja e një Shqipërie të lirë parashihet në atë deklaratë parimore. " Deklarata u prit jashtëzakonisht ngrohtë nga mbarë populli shqiptar, nën pushtim apo në diasporë. Si rrallëherë ishte kurorëzuar kësisoj me sukses të plotë një ndër veprimtaritë diplomatike më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.
Mirëpo pesha e moshës, shtrëngesat dhe stresi i jetës së përditshme, dhe sidomos hallet e Shqipërisë po rëndonin si pa ndjerë mbi shëndetin e Faikut të madh. "E takova rrugës rreth një javë para se të ndërronte jetë", do të shkruante Harry Gratan Doyle, shoku i tij i kursit në Universitetin e Harvardit. "M'u duk i plakur, i lodhur, dhe jo shumë optimist", - vazhdon më tej ai. "Zhdukja e përkohshme e vendit të tij si komb i pavarur, qe një goditje shumë e rëndë për të"… Por, vdekja e tij ishte e papritur dhe tronditëse. Ai kishte aq shumë miq këtu" .
Edhe dita e mbrame
14 dhjetori 1942 ishte ditë e Hënë. Nuk e dimë nëse Faiku qëndroi atë ditë në shtëpi apo u mor me ndonjë punë në qytetin ku kishte shërbyer për aq vjet. Pak para orës 17:00 Konica do të goditej nga një hemorragji cerebrale. Rreth orës 17:30 mbërriti atje sekretarja e tij, Charlotte Graham. Faiku i kërkoi asaj që të thërriste mjekun dhe mikun e tij të ngushtë Dr. Robert Oden, i cili mbërriti pa vonesë. Pasi e vizitoi ai konfirmoi sekretares se "Konica ishte në gjendje tejet të rëndë". Në pritje të ndihmës mjekësore dhe të shtrimit në spital, ai do të ndërronte jetë në orët e para të mëngjesit në apartamentin e tij në Washington, D.C. . Si dëshmitarë të heshtur të jetës së Faik Konicës në kryeqytetin amerikan, muret e apartamentit të tij të hijshëm zbukuroheshin nga rafte të mbushura plot me libra të rrallë, si dhe nga piktura e sende të tjera të vyera. Në atë ditë të mesit të dhjetori biblioteka e çmuar e Faik Konicës, e përbërë prej më se 2500 blenjsh, do të humbiste zotin e saj përgjithmonë. Dhe më vonë do të humbiste edhe vetë. Në dhomën e pritjes të apartamentit një portreti i mrekullueshëm i Faikut, vepër e piktorit të njohur amerikan me prejardhje polake, Joseph Sigall, do të mbetej për miqtë e tij të shumtë pamja më e gjallë dhe e prekshme e Faikut të madh tashmë të humbur.

[Milosao]

Kthehu mbrapa

Shto koment