Në ditën e sotme 5 mars

05.03.2014 (komentet: 0)

Përkujtojmë familjen Jashari e rënë në betejën e Prekazit


Kosova përkujton sot nisjen e betejës së serbëve ndaj familjes Jashari, betejë e cila iu mori jetën 20 anëtarëve të familjes, 10 prej të cilëve femijë. Në nderim të heroizmit të familjes Jashari, Qeveria ka planifikuar një sërë aktivitetesh, që nisin me manifestimin mbarëpopullor në nderim të Epopesë së UCK-se.
Beteja treditore e ka zanafillën mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët mësynë në shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz. Sulmi mbi Jasharët nisi rreth orës gjashtë të mëngjesit, kur forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga të gjitha drejtimet. I menjëhershëm dhe shumë i fuqishëm ishte edhe kundërpërgjigja e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.
Beteja e Jasharëve dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Pasi iu vra gruaja dhe disa fëmijë në ditën e parë e të dytë të betejës, data 7 mars 1998 do të shënonte rënien e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.
Në këtë Betejë, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit 20 anëtarë, 10 prej të cilëve fëmijë.
Prandaj, fenomeni i Adem Jasharit, nuk do të kishte këtë përmasë sikur nuk do të përplotësohej me mishërimin e familjes së tij, sikur mos të ishte pjesë e Prekazit heroik, sikur mos të kishte një ditëlindje në një ditë të rëndësishme shqiptare, sikur mos të përqafonte flijimin si në ditën e lindjes.
Andaj figura e Adem Jasharit bashkë me ngjarjet e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit përbëjnë tërësinë e sfidave, që për kohën ishin ndryshim epoke, ndryshim jete. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kthehu mbrapa

Shto koment