Në ditën e sotme 17 mars

17.03.2014 (komentet: 0)

u formua qeveria shqiptare nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, një diplomat i vjetër që kishte qënë ambasador i Turqisë në Petrograd.

Më 17 Mars, u formua qeveria shqiptare nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, një diplomat i vjetër që kishte qënë ambasador i Turqisë në Petrograd. 

Ndonëse Esad Toptani nuk u vu dot në krye të qeverisë, ai mbeti prapë se prapë njeriu m'i fuqishëm sepse mori dy ministritë më të rëndësishme, të Punëve të Brendëshme dhe të Luftës. Ky ishte një nga gabimet e Vidit, që i dha Esadit - kreu i të gjitha intrigavet - dy vendet kyç në qeveri. Gabimi tjetër ishte që nuk iu vuri fuqivet të mëdha si konditë të domosdoshme çlirimin e krejt tokës shqiptare prej ushtërivet greke përpara se ai të vinte në Shqipëri. E vetëmja dobi që pati ndoshta vendi i ynë prej ardhjes së Vidit ishte se ky u njoh si princ i Shqipërisë prej gjithë fuqivet të mëdha dhe shtetesh të tjerë t'Evropës e të Ballkanit, duke i dhënë kështu pavarësisë shqiptare një vërtetim ndërkombëtar të pamohushëm. 

Qeveria që u formua nën Vidin përbëhej prej çifligarësh a bejlerësh të mëdhenj të cilët, si gjithnjë, shikonin më fort interesat e tyre se sa ato të Shqipërisë. Por sido që të kishte qënë qeveria kombëtare, ata që propozonin dhe vendosnin në punët e Shqipërisë ishin të huajtë: Këshilli ndërkombëtar i Kontrollit dhe këshilltarët e huaj që rrethonin Princin. Për fat të keq, nuk ishin as këta në një mendje, sidomos këshilltarët austriakë dhe italianë. E dimë rivalitetin e vjetër ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë për çështjen e ndikimit a të sundimit të tyre në Shqipëri. Por gjatë Luftës ballkanike dhe vendimeve të Konferencës së Londrës, këto dy fuqi kishin mbajtur një politikë pak a shumë të përbashkët kundrejt Shqipërisë. Kurse me ardhjen e Vidit, Italia e ndryshoi qëndrimin e saj dhe nisi të bënte një politikë më vehte në lidhje me çështjen shqiptare, kundër Austro-Hungarisë dhe në dëm të madh të Shqipërisë. Duke pandehur se Vidi, si Gjerman, ishte m'i afërt me Austrinë, Italia u vu të gjente vegla midis Shqiptarëvet, e në radhë të parë Esad Toptanin. Filloi gjithashtu të bënte me Greqinë një politikë më vehte duke i lëshuar pe në Shqipërinë e jugës. 

Pas formimit të qeverisë së Durrësit, kundërshtimi i parë ndërmjet fuqivet të mëdha u çfaq për çështjen e huas që do t'i jepej Shqipërisë dhe për krijimin e bankës kombëtare të saj. Austria kërkoi edhe njëherë që banka shqiptare të krijohej me kapitale austro-italiane dhe huaja prej 75 milionë frangash ari, vendosur prej Konferencës së Londrës, t'i jepej Shqipërisë prej këtyre dy shteteve. Por fuqitë e tjera e kundërshtuan këtë plan dhe nuk deshën të largohëshin nga mendimi i vjetër, propozuar prej Francës, që banka e Shqipërisë dhe huaja të plotësohëshin me kapitale prej të gjashtë të mëdhenjvet. 

Kthehu mbrapa

Shto koment